Home Ja Pse Shqipëria nuk behet si Zvicera Gjyqtarja Hoxha që liroi dy të burgosur i shpëtoi shkarkimit në 2014

Gjyqtarja Hoxha që liroi dy të burgosur i shpëtoi shkarkimit në 2014

0

Gjyqtarja e Krujës, që dha vendimin për lirimin e Genc Tafilit dhe Ilir Pajës, rezulton se është proceduar nga KLD-ja edhe më parë me vërejtje për largim nga detyra.

Bëhet fjalë për mbledhjen e datës 15 prill të vitit 2014, ku ministri i Drejtësisë i asaj kohe, Nasip Naço, kishte kërkuar fillimisht shkarkimin e gjyqtares dhe largimin e saj nga trupa gjyqësore.

Por më pas, gjatë mbledhjes që u zhvillua me dyer të mbyllura, Këshilli i Lartë i Drejtësisë i dha një masë paralajmëruese.

“Mbledhja vijoi me shqyrtimin e masës disiplinore ndaj znj. Enkelejda Hoxha, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë, për të cilën ministri i Drejtësisë kërkoi paraprakisht ndryshimin e propozimit fillestar nga ‘shkarkim nga detyra’ në ‘vërejtje me paralajmërim për shkarkim nga detyra’.

Pas diskutimeve, Këshilli vendosi të miratojë kërkesën e ministrit të Drejtësisë, për masën disiplinore ‘vërejtje me paralajmërim për shkarkim nga detyra’ për znj.

Enkelejda Hoxha, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqë- sor Krujë”, thuhej në njoftimin e dhënë për mediat nga KLDja. Procesverbali i mbajtur nga KLD-ja, që mbante vendimin nr. 46, datë 15.04.2014, bënte të ditur se pas ankesës së një shtetasi për zvarritje në gjykim dhe verifikimit të rastit nga Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ka rezultuar me shkelje të vazhdueshme të ligjit, në punën e saj në veprimtarinë gjyqësore të gjyqtares E.H (Enkelejda Hoxha).

Pasi është kryer procedura dhe dëgjesa e gjyqtares Hoxha, është marrë vendimi për paralajmërimin e saj për largim nga puna.

“Këshilli i Lartë i Drejtësisë konstaton se në rastin konkret, gjyqtarja E.H. ka vepruar në kundërshtim me vendimin unifikues nr.7, datë 14.10.2011, në marrjen e vendimit të ndërmjetëm të datës 21.09.2012, që në thelb të tij, ky vendim unifikues njëson praktikën mbi rregullat procedurale penale që lidhen me lirinë më themelore të individit, atë “për arrestin në burg”.

Veprimi i gjyqtares (trupës gjyqësore), duke mos e zbatuar atë, ka pasur si pasojë zgjatjen në kohë, pa dhënë një vendim, ka cenuar lirinë personale të individit, garantuar kjo liri nga Kushtetuta e vendit dhe për rrjedhojë në të gjithë legjislacionin e brendshëm penal, por edhe në ekzistencën dhe veprimtarinë e Gjykatës Kushtetuese në funksion të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive vetjake.

Nisur nga siguria dhe uniformiteti në interpretim që krijojnë vendimet unifikuese, si dhe në rastin konkret, për të gjitha rastet e ngjashme për gjykatat e tjera, mosrespektimi i vendimit unifikues nga gjyqtare E.H., trupa gjyqësore, ka krijuar pabarazi në të drejta, ndaj një qytetari të Republikës”, thuhej më tej në njoftimin e dhënë për mediat.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se gjyqtarja Hoxha në kundërshtim të plotë me ligjet në fuqi, sipas debateve dhe vendimit të KLD-së ka vënë në diskutim vendimin unifikues nr.7, datë 14.10.2011, të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë.

Pra, me pak fjalë, gjyqtarja ka marrë rolin e trupës gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese, duke interpretuar një vendim të një Gjykate sipërore./Burimi: Panorama

Share:
Reklama juaj