Home KRYESORE Historia e dhimbjes se saj, dy hapa larg… Nga Irma Kurti

Historia e dhimbjes se saj, dy hapa larg… Nga Irma Kurti

Kam njohur një vajzë që i nënshtrohej në mënyrë të përditshme “drurit” nga ai që pretendonte se e donte. E donte aq shumë sa nxehej kur vishte një fustan paksa mbi gju apo kur e shikonin të tjerët dhe krijonte skena xhelozie kudo që të ndodheshin: në bar, në rrugë, në shtëpi.

Më hapte zemrën për çdo gjë, zemrën e saj që plagosej dhe vritej prej kohësh nga dashuria. Shpesh s’kishte nevojë të fliste, më mjaftonte ta shikoja në sy: vështrimi i tyre ishte i zbrazët, pa jetë, ato mbanin brenda një qiell trishtimi.

Por a mund të ishin të tillë dy sy të dashuruar?

Kur trokiste dhe unë i hapja derën ajo e dinte se mund të fliste me mua sa të donte, e dinte se do ta ndanim dhimbjen në dy. Nuk ishin të rralla rastet kur qaja dhe unë me të dhe ndjeheshim të dyja viktima. Sepse ajo ishte një njeri i afërt për mua. Si mund të isha indiferente ndaj dhimbjes së saj?

Hynim në dhomën më të ftohtë të shtëpisë, atje ku s’mund të na shqetësonte askush. Kur e pyesja: ”Si ia kalove?” ajo ulte kokën. E shikoja tek ngashërehej në heshtje, supet i dridheshin dhe më dukej aq e dobët, e brishtë dhe e pambrojtur sa e merrja menjëherë në përqafimin tim. Për të nuk ekzistonte stina e pranverës, sepse vishej gjithnjë me mëngë të gjata për të mbuluar njollat e dhunës.

“Të rrahu prapë?” e pyesja me zë të shuar. Ajo miratonte. Ai gjente gjithmonë një motiv për ta rrahur.

“Përse nuk e lë” i thosha e mbushur me mllef ndaj ‘atij’, “kjo nuk është dashuri”.

Përgjigjet e saj ndryshonin. Herë më thoshte: “E dua”, herë: “Ç’do të mendojë qyteti?”, herë: “Ndoshta e pata fatin vetë sepse e nervozova”. Por përgjigja më e shpeshtë ishte: “Kam frikë sepse më kërcënon me jetën”.

Një ditë ajo u nis përgjithmonë, e la strehëzën e ngrohtë të shtëpisë, e braktisi Shqipërinë. Për të shpëtuar nga ai njeri, megjithëse ai nuk e meritonte të quhej as kështu.

Filloi ta përgatiste valixhen pa zhurmë, duke e ndarë sekretin e largimit vetëm me njerëzit më të afërt. Në të vendosi pak rroba dhe shumë ëndrra.

U largua natën. E përcolla. Në portin e Durrësit ndalëm të dyja përpara tragetit. Era ia ngrinte flokët në ajër, ia përkëdhelte, ishin ledhatimet që kurrë nuk ia kishte falë dashuria.

Sa e bukur më ngjante atë natë! Kur ramë në krahët e njera-tjetrës më pëshpëriti: “Nuk do të lidhem kurrë me një burrë shqiptar”. Doja t’i thoja se burrat shqiptarë nuk janë të gjithë njëlloj, nuk mund të jenë të gjithë të dhunshëm si “ai”, por ndala kur pashë sytë e saj melankonikë që mbanin ende peshën e tmerrshme të dhimbjes. Thellë, në brendësinë e tyre, ndriçonte shpresa.

Ajo ia doli. I shpëtoi dhunës dhe takoi dashurinë e vërtetë. Por ka shumë të tjera që humbasin jetën. Sipas statistikave mbi njëqind gra në Itali vriten çdo vit nga burrat. Në vitin 2017 mesatarisht vritet një grua në çdo tre ditë. Kësaj masakre i shtohet dhuna e përditshme që nëse s’ndalet në kohë, ka të ngjarë të bëjë akoma më shumë viktima.

Sot në 25 Nëntor – Dita Botërore kundër Dhunës ndaj Grave të mos heshtim. Dhe jo vetëm sot. Le ta ngremë zërin që të gjitha gratë të jenë krijesa të lira, të paprekshme, sepse vetëm ato i japin jetë dashurisë; që ato të vishen si të duan, të gëzojnë dhe të mos u shuhet buzëqeshja, që ato të jetojnë stinën e pranverës nën një qiell të kaltër, pa zogj të plagosur e trëndafilë të përgjakur.

Share: