Home KRYESORE Jam i ndryshëm, jo i gabuar! Eseja e një djali 12 vjeçar...

Jam i ndryshëm, jo i gabuar! Eseja e një djali 12 vjeçar ne Itali!

0

Perktheu-Elona Caslli *

Jam i ndryshëm, jo i gabuar! Disa njerëz nga pamja e jashtme duken mirë, por brenda tyre jeton vdekja. Unë jam Ivani dhe jam 12 vjeç. Jetoj në një qytezë në pjesën qëndrore të Italisë, në një familje modeste, por pa miq.

Që nga koha kopshtit nuk më kanë pëlqyer kurrë lojrat e çunave; futboll, letra, lojëra elektronike. Kurrë nuk më kanë pëlqyer. Më pëlqente të rrija me gocat. Më dukeshin më interesante. Isha i ndryshëm por jo i gabuar. Më tallnin, më përqeshnin, madje dhe miqtë e mi merrnin pjesë tek kjo tallje , e pastaj vinin gjoja si të penduar për të më kërkuar falje.

– O mam, çfarë kanë? Pse më trajtojnë kështu?

– Qetësohu , shpirt; të kanë zili.

– Nuk besoj se më kanë zili.

Pastaj futem në fillore, paksa i çliruar sepse po e braktisja të shkuarën. Gjëja e parë që shokët vënë re tek unë është zëri im i hollë, i mprehtë, i ndryshëm nga zëri i djemve të tjerë. Kisha ca shokë por ata më shikonin me përçmim.

Isha prapë vetëm. Pastaj zura shoqëri me dy vajza. Ishin shoqet e mia më të mira. Edhe pse kishim shumë shoqëri , unë rrija paksa i mënjanuar pasi kisha frikë se po të më njihnin më mirë do të largoheshin nga unë. Fyerjet përsëriteshin. Nuk ishin fyerje të rënda. Më e rëndë ishte mënyra se si thuheshin dhe kjo mënyrë më plagoste.

Kalojnë katër vite dhe unë hyj në klasë të pestë. Me kalimin e kohës talljet dhe përqeshjet shuhen dhe unë ia dal mbanë të hyj në ‘’ botën e djemve’’ Françesko, Flavio, Domeniko, Roberto; ishim të pandashëm.

Me hyrjen në ‘’këtë botë të re’’ ose thjesht tek ky ‘’ këndvështrim i ri’’ si thoshte im atë disa gjëra ndryshuan brenda meje. Filloj të vishem sipas modës, letrat e bixhozit ,lojrat për djem e shumë gjëra të tjera zinin vend në dhomën time.

Më në fund isha i lumtur. Në klasë ishin disa djem të veçuar. Unë e kuptoja se si ndiheshin dhe përpiqesha t’u rrija afër; Alfredo, Saverio, Livio dhe Mario. Lumturia zgjati shumë pak. Filloi nëntëvjeçarja. Ishin të gjithë atje: Livio, Domeniko. Hyj me kokën lart nga viti që kaloi. Ndoshta duhet ta mbaja kokën ulur.

Gjimnastika, pika ime e dobët. Duke qenë se nuk më pëlqente sporti , s’isha marrë kurrë me të. ‘’ Të gjithë tek paralelet! Përkuluni! – ulëret profesori i fizkulturës. Krenar shkoj drejt paraleleve dhe ngrihem lart aq sa mundem. Pastaj ndalem.

Të gjithë më shohin. Një prej shokëve e thyen heshtjen ‘’ Femër është ky?!…. ‘’ Bast që s’di as të hidhet përpjetë.’’ Të gjithë qeshin me mua, më tregojnë me gisht sikur të isha një krijesë e neveritshme.

Isha copë-copë. Homoseksual, trans…- kështu më thërrisnin të gjithë. Filloi vetë shkatërrimi , droga e fuqishme pa të cilën nuk bën dot. I thoja vetes ‘’ Po sikur ta pi atë gotën me pluhur zbardhues mbi lavatriçe !

‘’ Një ditë shkoj në det me Domenikon dhe Françesko. Nga larg shoh Alfredon, Saverion dhe Livion me të cilët nuk flisja prej kohesh. Afrohen , me shtyjnë në tokë, më shkelmojnë, më shkelmojnë përsëri dhe pastaj fillojnë të më rrahin.

Pas meje shoh Françeskon dhe Domenikon që janë të ngurosur, nuk arrijnë të reagojnë sepse nuk u besojnë syve. Më lënë të shtrirë përtokë dhe unë nuk kam forcën as të qaj. Kthehem në shtëpi dhe mbyllem në dhomën time.

Hap telefonin. – Qindra mesazhe nga grupi i Anti- Ivanit. Këtë grup e kishte krijuar Alfredo; e gjithë shkolla bënte pjesë në këtë grup. Lexoj fyerje të rënda dhe askush nuk më mbron.

– Ivan , a thua do ta mbajnë mend këtë emër kur të mos jem më? Hap dritaren dhe e lë veten të lire. Mbaroi. Më në fund do të jem i qetë. Jam i ndryshëm, jo i gabuar…

Kjo është eseja që një djalë 12 vjeçar ka shkruar lidhur me temën – Shkruaj një tregim ku të bëjnë pjesë personazhet e mëposhtëm: një viktimë; një grup djemsh problematikë, disa spektatorë dhe një i rritur. Pëqëndrohu tek dialogjet dhe tek gjendjet shpirtërore të personazheve. Përpiqu që të shkruash një rrëfim që të jetë sa më afër të vërtetës dhe përzgjidh si mbyllje të tregimit një fund të lumtur ose të trishtë.

Kur mësuesja ia dorëzon esenë Ivanit , duke e vlerësuar me notën dhjetë, e pyet djalin nëse ka dëshirë ta lexojë përpara klasës dhe ai pranon ta lexoje esenë e tij përpara shokëve. Ajo që ndodh më pas është prekëse. Pjesa e madhe e djemve, ndonëse jo të gjithë që ishin personazhe të rrëfimit të Ivanit ngrihen dhe i kërkojnë të falur,.

Share:
Reklama juaj