Home KRYESORE Je me vonesë Zoti Ministër i Europës dhe i Punëve të Jashtme

Je me vonesë Zoti Ministër i Europës dhe i Punëve të Jashtme

0

Nga Kasem Seferi

Edhe pse me vonesë, kur bëhen përpjekje për të bërë diçka të mirë për vendin dhe, veçanërisht, për ekonominë, ndër të tjera, përfitojnë edhe qytetarët.

Sa dhe si kjo duhet t’i lihet kohës!

Ajo që më shqetëson si autor i një libri mbi diplomacinë ekonomike, gjashtëdhjetë e pesë kopje të të cilit ia kam falur Ministrisë së Jashtme kur Ministër Ishte Zoti Haxhinasto, është fakti se çfarë është bërë deri tani, ose e thënë ndryshe çfarë ka ndryshuar që nga ajo kohë që Qeveria Berisha 2 shpalli strategjinë kombëtare të zhvillimit, në prezantimin e së cilës Zevendësministrja Edit Harxhi hodhi idenë e diplomacies ekonomike dhe asaj kulturore.

Në vitin 2000, një studjues i njohur shkruante: “Globalizimi nuk është një dukuri dhe nuk është vetëm një prirje kalimtare. Sot ai është një sistem ndërkombëtar harkor që modelon politikat e brendshme dhe marrëdhëniet e jashtme pothuajse plotësisht në çdo vend dhe që nevojitet që ne ta kuptojmë si të tillë.”.

Diplomacia përkufizohet si mekanizëm i prezantimit, komunikimit dhe i negociatës nëpërmjet të cilave, shtetet dhe aktorët e tjerë ndërkombëtarë, drejtojnë punët e tyre.

Aktorët e rinj që kanë hyrë arenën diplomatike përfaqësojnë grupime të ndryshme dhe organizata të interesit vendor, kombëtar dhe ndërkombëtar dhe këto forca të ndryshme bashkëekzistojnë me njëra – tjetrën duke ushtruar forma të ndryshme të influencës diplomatike për të arritur objektivat e tyre.

Sot vihen re funksione dhe role rishtare diplomatike që mund të karakterizohen në mënyrën e mëposhtme:

Diplomacia ekonomike

Diplomacia ekonomike lidhet me çështjet e politikës ekonomike, për shembull, puna e delegacioneve në vendosjen e standarteve të tilla si OBT, FMN dhe BB.

Diplomatët ekonomikë (që ne nuk i kemi Zoti Bushati) monitorojnë dhe raportojnë mbi politikat ekonomike të vendeve të tjera dhe i japin qeverisë së vendit të tyre këshilla si t’i influencojnë në mënyrën më të mirë ato.

Diplomacia ekonomike shfrytëzon burimet ekonomike, si shpërblimet ashtu dhe sanksionet, në ndjekje të objektivit të politikës së jashtme.

A do ta bëjmë ne ketë Zoti Bushati?!

Të gjitha qeveritë janë të interesuara të mbështesin zhvillimin ekonomik kombëtar duke siguruar mbështetje për bizneset e vendit të tyre, për shembull, në formën e këshillave për eksport, asistencë ligjore, nxitës për eksportin dhe t’i mbështesin kur nevojitet një gjë e tillë, e cila përfshin ndihmën e bizneseve kombëtare të themelojnë filialet e tyre në tregje të tjera. Në të njëjtën kohë, mund të mbështeten bizneset e huaja për të investuar në brenda vendit të tyre.

Diplomacia tregtare

Diplomacia tregtare është puna e misioneve diplomatike në mbështetje të bizneseve të vendit të tyre dhe sektorit të financës në ndjekjen e suksesit ekonomik dhe objektivit të përgjithshëm të vendit për zhvillimin kombëtar. Kjo përfshin promovimin e investimit dhe të tregtisë brenda dhe jashtë vendit. Aspekt i rëndësishëm i punës së diplomatëve tregtarë është furnizimi informacionit mbi mundësitë e eksporteve dhe investimeve dhe organizmi i ndihmës për të vepruar si mikpritës të misioneve tregtare nga vendi i tyre dhe në disa raste diplomatët tregtarë mund të promovojnë gjithashtu lidhjet ekonomike nëpërmjet këshillimit dhe mbështetjes për bizneset vendase dhe të huaja në marrjen e vendimeve.

Po ketë do ta bëjmë Zoti Bushati?

Duke e njohur rëndësinë e tregtisë ndërkombëtare dhe Investimit të Huaj Direkt (IHD) për zhvillimin kombëtar, qeveritë ndërmarrin hapa në përpjekjet e tyre për forcimin e përfaqësimit tregtar në vendet kryesore partnere, sepse diplomatët tregtarë duhet të ofrojnë shërbime në këtë sferë të rëndësishme të diplomacisë: ata duhet të jenë punonjës të shërbimit civil dhe, veçanërisht, diplomatë të trajnuar që mbulojnë dhe përfaqësojnë vendin jashtë me qëllim që mbështesin zgjerimin e tregtisë dhe të drejtojnë diplomacinë tregtare.

Qëllimi i diplomatëve ekonomikë është të influencojnë në mënyrë kompetente politikën ekonomike shumëpalëshe duke bashkërenduar ministritë e specializuara në modelimin e procesit të negociatave në organizatat ekonomike të vendosjes së standarteve dhe duke përfshirë në mënyrë konstruktive aktorët jo shtetërorë kur është e dobishme dhe e përshtatshme.

Synimi i diplomatëve tregtarë është hapja e tregjeve të huaja për bizneset e vendit të tyre duke influencuar në ekonomitë e vendeve të tjera dhe duke lehtësuar hyrjen e bizneseve të vendit të tyre në tregjet e huaja.

Në ruajtjen e interesave ekonomike dhe zhvillimit të vendit diplomacia moderne ekonomike nevojitet të përmbushë një seri bazë objektivash dhe detyrash, duke synuar: të influencojnë politikën e jashtme, ekonomike dhe shoqërore për të krijuar kushtet e duhura për zhvillimin ekonomik duke marrë në konsideratë nevojat dhe aspiratat e të interesuarve të tjerë (biznesit, emigrantëve, etj); të punojë me organizmat rregullatore ndërkombëtare vendimet e të cilave ndikojnë tregtinë ndërkombëtare dhe rregullat financiare; të parandalojë konfliktet potenciale me qeveritë e huaja, organizmat ndërkombëtarë dhe aktorët e ndryshëm ekonomikë me synim minimizimin e risqeve ekonomike; të përdorin kanalet e ndryshme të medias për të ruajtur imazhin dhe reputacionin e vendit të tyre, të bizneseve dhe organizmave përkatëse; të krijojnë capital shoqëror nëpërmjet dialogut me të interesuarit të cilët mund të ndikohen nga procesi i zhvillimit ekonomik dhe globalizimi; të ruajnë kredibilitetin dhe ligjshmërinë e organizmave të tyre përfaqësuese në sytë e publikut dhe komunitetit të biznesit.

Diplomatët ekonomikë është e domosdoshme të jenë në gjendje të merren me të interesuarit dhe klientët respektivë (qeveritë, bizneset, shoqërinë civile), të drejtojnë negociata shumëpalëshe, të bashkërendojnë fushatat e marrëdhënieve publike, të mbledhin dhe të analizojnë informacionin e drejtëpërdrejtë, që rrjedh nga vendet mike dhe komuniteti ndërkombëtar.

Ata (që ende nuk i kemi por duhet t’Ii kemi) duhet ta skanojnë mjedisin dhe të arrijnë opinionformuesit e komuniteteve dhe shoqatave respektive, duke adoptuar një qëndrim që e hedh vështrimin larg përsa i përket zgjerimit të rolit repertor në lidhje me përfaqësimin dhe bashkëveprimin diplomatik.

Një numër i rritur shërbimit të huaj të pjesës më të madhe të vendeve anëtare të OECD – së bën përpjekje të mëdha për t’i mësuar diplomatëve funksionin dhe nevojat e biznesit të tyre, prandaj trajnimi i diplomatëve në fushën e marrëdhënieve ekonomike ndërkombëtare për të qenë në gjendje të merren me partnerët dhe klientët e huaj nuk është më përjashtim, por një rregull.

Globalizimi dhe kompleksitetet e tij bashkëshoqërues kërkojnë investim për diplomatët ekonomikë profesionistë, që është më se i domosdoshëm sot se në të kaluarën për shkak të roleve të zgjeruar të diplomatëve dhe nevojës së tyre për të zhvilluar rrjetin e aleancave.

Një e metë e mirënjohur e disa vendeve në zhvillim është emërimi i madh në postin e ambasadorit të individëve jo diplomatë si rezultat i favorizimit politik dhe nepotizmit dhe e kombinuar me më pak poste diplomatësh profesionistë, kjo lloj “pjellorie” diplomatike, shpesh, përfundon në dështim, sepse ambasadorët e “përkohshëm” nuk mund t’i kapin kompleksitetet dhe perceptohen si të njëanshëm dhe që këtej nuk mund të ndërtojnë koalicione ndërpartike dhe nganjëherë përfundojnë në shkelës të rregullave të një qeverisje të mirë.

Sot, menaxhimi i marrëdhënieve ekonomike ndërkombëtare nuk kufizohet më nga shteti, por më saktë nga çështjet e zgjeruara civile dhe tregtare.

Protagonistët e këtyre grupeve të reja të interesit shpesh janë punonjës ekzekutivë të biznesit, anëtarë të shoqërisë civile dhe përfaqësues të OJF – ve.

Në kushtet e sotme të globalizimit nga diplomacia ekonomike kërkohet: bashkërendim më i mirë i politikave ekonomike, veçanërisht, eksportit dhe strategjive të sektorit të turizmit; forcimin e konsultimit dhe bashkërendimit brenda dhe jashtë qeverisë; bashkërendimin më të mirë me vendet kryesore partnere në marrëdhënie ekonomike.

Këto u thanë, vërtetë në takimin treditor. Le t’ia lemë kohës atë çfarë do të bëhet.

Kohët e reja kërkojnë modifikimin e roleve dhe përgjegjësive tradicionale të MEPJ, e cila nuk mund të jetë më vetëm roje e diplomacisë, por duhet ta ndajë “hapsirën” e diplomacisë me ministritë e tjera dhe të mësojë të angazhojë në mënyrë konstruktive aktorët jo shtetërorë në dialog nëpërmjet konsultimeve proactive dhe bashkëpunimit të orientuar te e ardhmja për të siguruar ligjshmërinë e vendimeve politike dhe sigurinë e zbatimit të politikës; në analizën finale zhvillimi i qendrueshëm në kontekstin global kërkon përfaqësim të arsyeshëm të të interesuarve të shumëanshëm, ndërkohë marrëdhëniet ndërmjet këtyre të interesuarve janë komplekse pa u kufizuar në kufij politikë ose gjeografikë; aftësitë profesionale “diplomatike” duhen shfrytëzuar nga të gjithë për të promovuar profilet dhe pikëpamjet individuale.

Zhvillimi i qendrueshëm në kontekstin e globalizimit dhe mjedisit të tanishëm, kërkon përfaqësim të të interesuarve kyç që përfshin përveç MEPJ edhe ministri të tjera që kanë kompetenca të caktuara në hartimin dhe zbatimin e politikës ekonomike të qeverisë në kontekstin e zhvillimeve kombëtare dhe ndërkombëtare, me qëllim harmonizimin e interesave të tyre, studimin e prirjeve dhe orientimin e politikës ekonomike drejt objektivave afatgjatë.

Edhe këtë le t’ia lemë kohës.

Megjithëatë, ZOTI BUSHATI, JE ME VONESË!

ÇFARË BËRE KATËR VITET E KALUAR?!

Kasem Seferi – ekonomist

Share:
Reklama juaj