Home KRYESORE Kotzias – Bushati në Kretë. Pritet thjesht heqja e vulës apostile dhe...

Kotzias – Bushati në Kretë. Pritet thjesht heqja e vulës apostile dhe njohja e pantentave shqiptare

Ministrat e jashtëm të Greqisë dhe Shqipërisë kanë filluar bashkë me delegacionet respektive, përpjekjet për zgjidhjen e disa prej problemeve më akute që karakterizojnë marrëdhëniet dypalëshe, me dëshirën e mirë për ta ngritur nivelin e këtyre marrëdhënieve.

Kotzias e Bushati kanë patur fillimisht një takim kokë më kokë, për një rakordim përfundimtar të çështjeve që përfshin axhenda e takimit.

Pas këtij takimi, që ka zgjatur rreth një orë e gjysmë, ka qenë radha e ekspertëve të dy ministrive që të mblidhen bashkarisht për të diskutuar.

Takimi i tyre pritet të vazhdojë deri në mbrëmje.

Kotzias e Bushati dhe vartësit e tyre janë “betuar” që ta mbajnë median larg punimeve të takimit. Madje edhe mediat lokale kanë referime shumë të përcipta, edhe pse takimi konsiderohet si një ngjarje e madhe që veç të tjerash promovon ishullin e Kretës.

Gjithsesi, në përfundim të bisedimeve, ditën e nesërme, nuk priten rezultate impresionuese, të paktën për ato që janë evidentuar si çështjet më të nxehta dhe që kanë shkaktuar jo pak tension midis Athinës dhe Tiranës.

Në anën tjetër, pritet të avancojnë apo dhe të zgjidhen çështje që kanë të bëjnë me përditshmërinë e qytetarëve si vula apostile apo njohja e patentave shqiptare në Greqi. Nuk përjashtohet që të ketë një marrëveshje edhe për rishikimin e teksteve shkollore të historisë dhe gjeografisë.

Bisedimet po zhvillohen në hotelin Knossos Beach, 12 km nga qyteti Heraklion./Tribuna-News

Share: