Home KRYESORE Kryeprokurori i antikrimit

Kryeprokurori i antikrimit

Kryeprokurorit të Republikës, zoti Adriatik Llalla, i mbaron mandati pas pak ditësh. Kryeprokurori i ri nuk mund të zgjidhet pa u krijuar Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP). Dispozitat e vjetra kanë vdekur, të rejat duan ende kohë të vihen në veprim të plotë. Ky është vakumi i famshëm ligjor që do të duhet të mbushet me një zgjidhje kalimtare. Zgjidhje kalimtare do të thotë që në karrigen e Llallës të ulet një kryeprokuror kalimtar. “Kalimtar” është cilësori i rastit, por në të vërtetë ky kryeprokuror do të jetë shumë i rëndësishëm duke qenë se zgjedhja e tij përkon me fillimin e hetimit të narkotrafikut në nivele të larta e shumë e të larta dhe pritet të vazhdojë me dosje të tjera kriminale ku janë përfshirë zyrtarë dhe politikanë të lartë të shumicës së kryeministrit Edi Rama.

Pikërisht për këtë arsye zgjedhja e kryeprokurorit kalimtar është një ngjarje që ka marrë një vëmendje të posaçme nga gjithë spektri politik-institucional. Debatet po zhvillohen kryesisht për mënyrën e zgjedhjes së këtij kryeprokurori. Janë debate të justifikuara qoftë në kontekstin e shqetësimit që ka opozita se mos hetimet e nisura mund të ngadalësohen dhe devijohen nëse mënyra e zgjedhjes së kryeprokurorit të ri fuqizon kryeministrin, qoftë në kontekstin e shndërrimit të zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm në zgjatim të një pale politike, cilado qoftë ajo.

Për arsyen e njëjtë të fillimit të disa çështjeve me peshë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe për faktin se do të shërbejë si një paradhomë e Prokurorisë së Re (SPAKut), kryeprokurori kalimtar duhet të jetë një person me integritet të lartë moral e profesional, i askujt në kuptimin politik, klanor apo tarafor të fjalës, i gjithë shqiptarëve dhe partnerëve në kuptimin e efikasitetit dhe besnikërisë ndaj ligjit. Misioni amerikan OPDAT dhe ai europian EURALIUS kanë bërë një rekomandim konkret për zgjedhjen e një drejtuesi të përkohshëm deri në ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Termat e rekomandimit mund të diskutohen e përmirësohen në funksion të një zgjidhjeje sa më gjithëpërfshirëse të vullnetit të mirë.

Siç ka ndodhur edhe më parë me Byronë Kombëtare të Hetimit apo me Reformën në Drejtësi. Në vazhdën e qëndrimeve që ka mbajtur në rastet e lartpërmendura dhe në raste të tjera roli i opozitës pritet të jetë një rol aktiv bashkëpunues me partnerët ndërkombëtarë. Duke filluar me procedurën e duke përfunduar me emrat, me emrin. Ngjarjet dhe zhvillimet e fundit nga fronti i Prokurorisë tregojnë se kauza opozitare dhe popullore për një Shqipëri të ligjit dhe zgjedhjeve të lira përputhet me angazhimet e sotme e të nesërme të partnerëve amerikanë e europianë dhe mund të këtë sukses vetëm duke punuar ngushtë me ta.

Partnerët tanë, për fat, vijnë nga një shkollë demokratike që u ka kultivuar dhuntinë për të mos paragjykuar, për të dëgjuar, për të reflektuar kur shohin se e drejta është në anën që kundërshton një zgjidhje teksa propozon si mund të bëhet më mirë. Shembulli i ish-zyrtares se lartë amerikane, Viktoria Nuland, që erdhi në Tiranë dhe tejkaloi me rekomandimet e Departamentit të Shtetit pretendimet e opozitës për kompozimin e organeve të vetingut, ka mbetur si më emblematiku i këtij fleksibiliteti. Kërkimi i shpejtë i rrugës më të mirë për zgjedhjen e Kryeprokurorit kalimtar, me gjithë rëndësinë që ka, nuk është sigurisht i barazvlefshëm me votimin me konsensus të Reformës në Drejtësi. Por përvoja është po ajo.

Aktualisht OPDAT dhe EURALIUS kanë bërë një rekomandim që duket sikur i mundëson shumicës të zgjedhë një njeri të kryeministrit. Prej këtu edhe alarmi i ngritur nga disa politikanë dhe gazetarë se kryeministri do të kapë Prokurorin e Përgjithshëm me ndihmën e amerikanëve dhe europianëve për të mbyllur çështjet në ngarkim të bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë. Duket si një ushtrim mendor i thjeshtë. Dhe askujt nuk i mohohet e drejta ta mendojë kështu. Por ata që marrin vendime në emër të subjekteve politike duhet të shmangin tkurrjen në semlicizëm apo qëndrimin në llogore. Duhet angazhim, siç e nënvizuam edhe më lart.

Në kërkim të zgjidhjes më të mirë, partnerët nuk do ta injoronin faktin se ajo që quhet sot shumicë është në rrugën e deligjitimit të përditshëm si e tillë me deputetë që po del ashiqare se kanë blerë mandate apo me të tjerë që janë implikuar drejtpërsëdrejti në inkurajimin e trafikut të drogës. A mundet që persona në hetim të votojnë kush do të jetë kryeprokurori? Ata mund të votojnë sa kohë që e kanë mandatin, por nuk duhet lejuar që kjo lloj vote të jetë përcaktuese. Rama, sigurisht, ku ta gjejë të ketë kryeprokurorin.

Ai do të bëjë çmos ta ketë. Jo se i ka munguar. Kryeprokurori në fuqi nuk i ka krijuar ndonjë shqetësim gjatë katër vjetëve të mandatit të parë. Vendi është kanabizuar e kriminalizuar me një prokurori kryesisht jashtë loje gjatë qeverisjes së Ramës. Llalla ka qenë komod për zotin Rama. Logjika e thjeshtë ta thotë se tani që laku po shtrëngohet, kryeministri dhe do të donte edhe më shumë një kryeprokuror që i vjen pas midesë. Por nuk mund ta ketë. Ca më pak mund ta ketë me dashjen apo me mbështetjen e amerikanëve dhe europianëve.

Ca më pak mund ta ketë për të mbyllur krimet e mëdha që i kanë hapur dhe po i hapin pikërisht partnerët ndërkombëtarë në radhë të parë, ndërkohë që faktori politik dhe institucional vendor me mend në kokë, siç është Prokuroria e Krimeve të Rënda, për shembull, po i ndjek dhe po bën të vetëm në këtë sfidë të madhe. A ka sens të mendohet se amerikanët dhe europianët kanë vendosur të prishin gjithë çfarë po përpiqen të ndërtojnë duke i dhënë kryeprokurorin kalimtar kryeministrit më të damkosur të tranzicionit sa i takon promovimit të krimit dhe blerjes së zgjedhjeve?

A ka sens të mendohet se amerikanët dhe europianët në një anë po hapin kutinë e zezë të krimeve të pandëshkuara në Shqipëri, në anën tjetër po i japin Edi Ramës një çelës për ta mbyllur, apo për të seleksionuar çështje sipas interesit të tij në këtë kuti? Nuk ka pikë sensi dhe nuk po them më shumë për ata që mendojnë se ka sens. Në skenarin që po luhet askush nuk ka mundësi ta zgjedhë një kryeprokuror partizan të vetin.

Madje do të shkoja më larg dhe do të thosha: kush do të tundohej apo do të provonte ta bënte, do ta paguante shtrenjtë këtë tundim. Zhvillimet po marrin një rrugë të re që nuk ka lidhje me rrugët dhe zakonet e vjetra. Antikrimi është imperativi i sotëm dhe i nesërm i Shqipërisë. Kryeprokurori kalimtar duhet t’i përgjigjet si profil këtij imperativi. Ai do të kërkohet e do të gjendet mes një numri personalitetesh të fushës, të papërdorur politikisht. Nga kush do të gjendet? Nga palët politike, nga ndërkombëtarët.

Share: