Home KRYESORE Letër dashurie e Xhakomo Leopardit për Fani Tarxhoni Tocetin

Letër dashurie e Xhakomo Leopardit për Fani Tarxhoni Tocetin

Perktheu Elona Caslli

E dashur Fani. Nuk ju kam shkruar deri tani për të mos ju mërzitur, duke e ditur se jeni shumë e zënë. Por tek e fundit nuk do të doja që heshtja ime t’ju dukej harresë edhe pse t’ju harrosh nuk është aspak e lehtë.

Më duket se një ditë më thatë se shpesh herë miqve tuaj më të mirë nuk u përgjigjeshit ndërsa të tjerëve po, sepse ishit e sigurt se miqtë nuk do të fyheshin nga heshtja juaj , ndërsa të tjerët po.

Ma bëni nderin të më trajtoni si një nga miqtë tuaj më të mirë; dhe nëse jeni shumë e zënë dhe të shkruarit ju lodh , mos m’u përgjigjni. Dëshiroj shumë të kem lajme nga ju, por mund të pyes Ranierin ose Goxanin për ju siç bëj shpesh.

Nuk besoj se ju prisni të reja nga unë. Duhet ta dini që unë e urrej politikën, sepse besoj ose më mirë të themi, shikoj që individët nuk janë të lumtur me çdo lloj forme të qeverisurit; faji i natyrës që i ka krijuar njerëzit për të qenë jo të lumur; dhe qesh me lumturinë e turmave, sepse truri im i vogël nuk mund të konceptojë një turmë të lumtur, të përbërë nga individë fatkeq.

Aq më pak mund t’ju flas për të rejat letrare, sepse ju rrëfej që kam dyshim se e kam humbur njohjen e shkronjave të alfabetit, përmes braktisjes së leximit dhe të shkruarit. Miqtë e mi skandalizohen; dhe ata kanë të drejtë që kërkojnë lavdinë dhe përpiqen t’i bëjnë mirë njerëzve; por unë, që besoj se nuk mund të jem ndihmesë dhe që nuk synoj lavdinë, nuk e kam gabim, që kaloj tërë ditën shtrirë mbi divan, pa lëvizur asnjë qepallë.

Por e kam shumë gabim që këto gjëra, jua shkruaj juve , që jeni e bukur dhe e privilegjuar nga natyra për të ndriçuar në jetë dhe për të triumfuar mbi fatin njerëzor. E di që jeni e prirur për të qenë melankolike, ashtu siç kanë qenë dhe do të jenë përjetësisht të prirur të gjithë shpirtrat e hijshëm dhe gjenialë.

Por me sinqeritet, përtej filozofisë sime të zezë dhe të dëshpëruar, unë besoj se melankolia nuk përkon me ju, sado e natyrshme të jetë, nuk është aspak me vend.

E kam takuar shpesh herë Konteshën Mosti dhe më ka dhënë lajme për Ju.

Lamtumirë, e dashur Fani; përshëndeti vajzat. Nëse më quani të denjë për të më urdhëruar, dijeni që për mua si dhe për njerëzit që ju njohin është kënaqësi dhe nder t’ju shërbejmë.

I Juaji,

Xhakomo

Romë, 5 dhjetor 1831

Share: