Home KRYESORE Letër dashurie … Nga Ludwig van Beethoven

Letër dashurie … Nga Ludwig van Beethoven

Përktheu Elona Caslli

Letra e mëposhtme është një nga tri letrat që u gjend në një sirtar të Beethoven-it pas vdekjes së tij. Kjo letër nuk u dërgua kurrë dhe identiteti i gruas me të cilën kompozitori kishte rënë në dashuri mbetet ende sot i panjohur.

7 korrik 1812

Në shtrat mendimet e mia janë vetëm për ty, dashuria ime e përjetshme; herë të lumtur, herë të trishtuar, në pritje që fati ta plotësojë dëshirën tonë . Mund të jetoj veçse me ty, me askënd tjetër.. Po, kam vendosur të iki larg derisa të mundem të fluturoj në krahët e tu dhe të ndihem mirë pranë teje. Ta lë shpirtin tim, që mbështillet nga qenia jote, të hyjë në mbretërinë e shpirtrave. Kështu duhet të ndodhë.. do të bindesh kur të njohësh besnikërinë time . Asnjë grua tjetër nuk mund ta pushtojë zemrën time, kurrë, kurrë, kurrë…

O Zot, pse duhet të më largosh nga një dashuri kaq e madhe? Jeta ime në Vienë tani është e mjerë.. Dashuria jote më ka bërë njeriun më të lumtur dhe më fatkeq në botë. Në moshën time, njeriu duhet të ketë një jetë monotone dhe të qetë por a mund ta arrij këtë në  gjendjen që jemi ne të dy?

Ëngjëlli im, tani sapo më thanë që posta punon çdo ditë dhe po e mbyll këtu që kjo letër të mbërrijë tek ty sa më shpejt…
Rri e qetë.. Vetëm nëse arrijmë ta shohim kthjellët ekzistencën tonë mund t’ia dalim mbanë të jetojmë bashkë; rri e qetë; dashuromë në të tashmen; dashuromë në të shkuarën; sa nostalgji… sa dhembje për ty.. për ty jeta ime.. gjithçkaja ime…. lamtumirë… të lutem dashuromë dhe mos dysho kurrë tek zemra e të dashurit tënd besnik.

L.
Përjetësisht i yti.
Përjetësisht e imja.
Përjetësisht ne.

 

Share: