Home KRYESORE Ligji për gjuhët në Maqedoni, të hënën nis dorëzimi i amendamenteve

Ligji për gjuhët në Maqedoni, të hënën nis dorëzimi i amendamenteve

Debati për projektligjin e përdorimit të gjuhëve, përfshirë atë shqipe në Maqedoni, tashmë hyn në një fazë tjetër. Pas diskutimit në tërësi në komisione, tashmë është radha e paraqitjes së amendamenteve.

Të gjitha partitë politike kanë afat deri të hënën për të depozituar amendamentet e tyre. Pa dyshim që VMRO-DPMNE, partia e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski do shfrytëzojë mundësinë e amendimit në pjesët ku sipas saj rrezikohet gjuha maqedonase.

Edhe LSDM ka deklaruar se do të paraqesë pretendimet e saj për pjesën e dilemave mbi gjobat që parashikon ligji dhe akuzave se si ai do të cënojë karakterin unitar të Maqedonisë.

Më e ashpër në reagim duket se është lëvizja Besa, e cila mësohet se me anë të amendamenteve do të kërkojë zyrtarizimin e gjuhës shqipe.

Ndërsa partia më e madhe shqiptare në Maqedoni, BDI pranon se ligji nuk barazon gjuhën shqipe me atë maqedonase dhe se për këtë do të duhej ndërhyrja në Kushtetutë, gjë që për shkak të numrave është e pamundur.

Mediat në Maqedoni raportojnë se më 22 nëntor projektligji për përdorimin e gjuhëve do të hyjë në rend dite në Komisionin për Çështjet Evropiane.

Pas tre ditëve, i njëjti do të kalojë në Komisionin juridiko-ligjvënës dhe më pas në seancë plenare ku dhe pritet të ketë debat të gjatë./top channel

Share: