Home KRYESORE Ngjela: As klithmat e Saliut dhe as brekushet e Ramës…

Ngjela: As klithmat e Saliut dhe as brekushet e Ramës…

Avokati Spartak Ngjela, ka komentuar deklaratat e forta të ambasadorit Donald Lu, të bëra një ditë më parë, për krimin dhe arrestimin e peshqve të mëdhenj në vend.

Ngjela shkruan në ‘facebook’ se tashmë gjithçka po shkon drejt fundit dhe këtë e paralajmëroi edhe ambasadori, duke iu bërë thirrje skeptikëve të mos kenë më asnjë dyshim.

Sipas tij, shqiptarët janë proamerikanë dhe tani po fillon çlirimi i tyre dhe tragjedia e sunduesve të tyre të korruptuar e të bashkuar me krimin.

“Gjithçka po shkon drejt fundit. Donald Lu e paralajmëroi: “më në fund, ju shqiptarëve, pas 100 vjetësh po ju vjen shpëtimi”. Nëse ende ka skeptikë që kanë dyshime, nuk është shenjë e mirë për ta. Askush nuk e ndalon dot më këtë rrjedhë. Tani po fillon çlirimi i shqiptarëve dhe po fillon tragjedia e sunduesve të tyre të korruptuar dhe të bashkuar me krimin. Po, çfarë do të ndodhë? Asgjë e veçantë; do të çlirohen shqiptarët, nën drejtimin e Uashingtonit dhe Brukselit. Kjo është risia; sepse shqiptarët nuk mund të çliroheshin dot vetë.

Në fakt kështu ishin renditur pushtetet shqiptarë: krimi kishte pushtuar dhe ka ende nën pushtimin e vet qeverinë, prokurorinë dhe gjykatën, por ka bllokuar edhe tregun. Ishte fati i shqiptarëve që bota shqiptare në Ballkanin Perëndimor është domosdoshmëri sot për politikën globale të Amerikës dhe Gjermanisë. Asnjë pengesë nuk ka më kjo politikë nga krimi shqiptar. Por deri tani kjo pengesë ka qënë e madhe. Gjithçka kanë luajtur hordhitë e korrupsionit shqiptar deri në këto momente. Në Moskë kanë shkuar, në Beograd kanë shkuar, në Athinë kanë shkuar – por tani korrupsioni është mundur përfundimisht në Shqipëri.

Prandaj politika amerikane duhet të hidhet në sulm me fakte sikurse u hodh dje ambasadori Donald Lu. Kjo ditë, për shqiptarët më në fund ka qenë një ditë besimi. Shqiptarët janë 97 përqind proamerikanë të vendosur. Kjo përbën epiqëndrën e politikës anerikane; por kjo në fakt vendosi edhe fatin e tyre. Tani asgjë nuk do të ndalet, kurse shqiptarët po presin të shohin qeverinë e tyre antikorrupsion. Se ky do të jetë akti i fundit. Dhe këtë po e presin nga amerikanët. Dhe ajo do të vijë. Pse, kush do ta ndalojë qeverinë anti- korrupsion, klithmat e Saliut apo brekushet e Ramës?”, shkruan Ngjela.

Share: