Home KRYESORE Nuk po arreston ish-drejtuesit e policisë, thirret në prokurori shefi i SHÇBA

Nuk po arreston ish-drejtuesit e policisë, thirret në prokurori shefi i SHÇBA

Prokuroria për Krimet e Rënda ka thërritur këtë të enjte drejtorin e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Policinë e Shtetit (SHKB-ja e dikurshme). Eduart Merkaj është kërkuar nga prokurorët pas daljes së urdhër-arresteve për tre ish-zyrtarë të Policisë së Vlorës, raporton TCH.

Gjatë hetimeve të dosjes “Habilaj” prokurorët dyshojnë se, me mosveprimet e tyre kanë lejuar vëllezërit Habilaj të kultivojnë kanabis sativa.

Për një prej këtyre drejtuesve, Sokol Boden, ish-shef i Krimeve dhe ish-shef i kufirit në drejtorinë e Vlorës, për të cilin opozita ka publikuar edhe fotografi të tij me vëllezërit Habilaj, edhe Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë masën e sigurisë se arrestit me burg.

Ndërsa për Jael Çela, ish-drejtori i Policisë së Qarkut të Vlorës dhe Gjergj Kohila, shefi i sektorit të luftës kundër krimit të organizuar, në drejtorinë e Qarkut Vlorë, janë nxjerrë urdhra ndalimi.

Akuza që qëndron mbi ta është ajo e mosveprimit ndaj kultivimit të kanabis sativës në këtë qark.

Të tre ish-drejtuesit e Policisë së Vlorës kanë drejtuar gjatë viteve 2014 – 2016. Ende nuk ka një konfirmim zyrtar për arrestimin e tyre nga policia.

Aktualisht të tre ish-shefat e policisë janë në dispozicion dhe nuk kryejnë funksione.

*Në foto: Eduart Merkaj, Drejtor i Përgjithshëm i SHÇBA-së/opinion./al

Share: