Home KRYESORE “Paqja e vetmja zgjidhje”, tryeza e HWPL në Universitetin Mesdhetar mbledh gjithë...

“Paqja e vetmja zgjidhje”, tryeza e HWPL në Universitetin Mesdhetar mbledh gjithë aktorët

0

“Paqja e vetmja zgjidhje” bashkoi sot në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë, përfaqësues të komuniteteve fetare, përfaqësues së Bashkisë së Tiranës, të shoqërisë civile dhe të medias, në një tryezë interaktive me studentë e pedagogë, pikërisht për të ndarë këndvështrimet mbi paqen, por edhe për të diskutuar mbi tolerancën fetare si mekanizmin më të mirë për konsolidimin e saj, nxitjen e bashkëjetesës dhe zhvillimit të një shoqërie.

“Ne shqiptarët bëjmë pjesë në ata popuj që paqen e kemi pjesë të formimit dhe të ndërgjegjes sonë kombëtare. Edhe pse përbëhemi nga individë me përkatësi të ndryshme fetare nuk janë vërtetuar raste të konflikteve fetare, siç ka ndodhur fatkeqësisht me popuj të tjerë. Ne jemi prirur dhe ushqyer nga harmonia idilike fetare me njëri tjetrin si dhe nga prirja për bashkëjetesë dhe miqësi me fqinjët”, u shpreh në fjalën e hapjes së këtij aktiviteti, Dekani i Shkencave Juridike dhe Marrëdhënieve ndërkombëtare të Universitetit Mesdhetar, Prof. Dr. Ksenofon Krisafi.

Ai shtoi se për rrënjosjen e paqes dhe të dialogut te shqiptarët, një ndikim pozitiv kanë pasur edhe besimet dhe institucionet fetare. “Duke u bërë bartës të kulturës, emancipimit, qytetarisë dhe formimit të veçantë kulturor, ata kanë propaganduar paqen, mirëkuptimin, dashurinë për njëri tjetrin”, tha Prof. Dr, Krisafi.

Aktivistja e të drejtave të njeriut prej 25 vjetësh, znj. Sevim Arbana, u shpreh se të rinjtë duhet të jenë pjesë e debateve dhe dialogut për të rritur tolerancën. “Paqja ka një kuptim aq të gjerë dhe ne dëshirojmë ta sjellim këtu përmes një dialogu tuajin dhe përfaqësuesve të komuniteteve fetare dhe aktorëve të tjerë”, u shpreh Znj. Sevim Arbana.

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Andi Seferi u shpreh se të rinjtë janë kontribut-orët më të mëdhenj të Paqes, pasi me frymën e solidaritetit ndaj njerëzve në nevojë që ata shfaqin cdo ditë, e bëjnë Tiranën dhe gjithë Shqipërinë, shumë më të pasur.

“Mbështetja ndaj njerëzve në nevojë, e bën kryeqytetin shumë më të mirë dhe shumë më të jetueshëm përtej pjesës infrastrukturore, duke ndikuar në krijimin e asaj që ne quajmë Paqja Sociale”, u shpreh z. Seferi.

Përfaqësuesit e komuniteteve fetare dhanë mesazhet e tyre për paqen duke theksuar se në cdo fe, paqja mbetet kryefjalë e harmonisë njerëzore.

Share:
Reklama juaj