Home KRYESORE Sarkazma realiste e një mjeku te njohur ne ditët e festave!

Sarkazma realiste e një mjeku te njohur ne ditët e festave!

Nga Erion Dasho

Në ditët e Pavarësisë dhe të Çlirimit, pasi kalon gëzimi dhe entuziazmi kur ha drekat e darkat, apo shikon fishekzjarrët në qiell, nuk mund të mos mendosh ku ka mbërritur Shqipëria pas 105 vjet shtet “i pavarur” dhe 73 vjet shtet “i lirë”. Dhe, pasi rreh mendimet, nuk mund të mos ndjesh përbuzje dhe ndot që je qytetar i këtij palo shteti!

Një palo shtet që drejtohet nga palo politikanë të pabesueshëm, të pamoralshëm, gënjeshtarë dhe hajdutë! Ku kryeministri mburret në emisione humoristike me fotot e veta nudo, shkon me atlete në takime ndërkombëtare, me shallvare në takime me elektoratin dhe tall në Facebook qytetarët e vet; ku ish-kryeministri dhe kryeministri botojnë kartelat klinike të njëri-tjetrit; ku tre-katër drejtuesit më të lartë të shtetit dhe opozitës akuzojnë njëri-tjetrin si trafikantë dhe përdorues droge, zhvatës miliardash, vrasës, spiunë të agjenturave të huaja, etj. etj.

Rrumpallë deri në pikën sa kujtohet me mall rregulli i kohës së Zogut! Plaçkitës deri në pikën sa po kërkohen ndëshkimet e kohës së Enverit! Tradhëtarë deri në pikën sa Esat Pasha ka filluar të duket patriot! Nuk lanë në këmbë asnjë shyllë të shtetit! Në se po, cilën?! Arsimin? Shëndetësinë? Mbrojtjen sociale? Kulturën? Drejtësinë? Ushtrinë? Rendin? Nuk lanë asnjë pasuri kombëtare pa vjedhur dhe grabitur! Në se ka mbetur diçka, çfarë? Nafta? Kromi? Bakri? Bregdeti? Lumenjtë? Pyjet?

Pasojat janë të dukshme!

Shqiptarët po largohen ose duan të largohen me çdo kusht. Herë pas herë dalin zëra që u kërkojnë njerëzve të mos ikin sepse “Ky vend bëhet”. UNË MENDOJ SE KY VEND NUK BËHET MË! Të paktën, jo në të gjallët tonë dhe të fëmijëve tanë! Kur lexon debatet, sherret dhe akuzat e politikanëve shqiptarë të periudhës së para-pavarësisë, pavarësisë, para-Zogut, Zogut, etj. ato ngjajnë si dy pika uji me debatet, sherret dhe akuzat e sotme. Derisa nuk u zgjidhën për njëqind e kusur vjet, gjasat janë të mos zgjidhen edhe për njëqind vjet të tjerë…

Të besosh se ky vend do të bëhet për dhjetë, njëzet apo tridhjetë vjet është gabim i madh dhe iluzion! Një vend që drejtohet nga politikanë që qeverisin ku e ku më keq se otomanët (nga të cilët fituam pavarësinë para 105 vjetësh), nuk jep asnjë shpresë. Doni një shembull? Cilët janë dokumentet më të besueshëm nëpër gjyqe, ato të osmanëve apo ato të qeverive tona “të pavarura”?!

Në këtë situatë, a ka shpresë qytetari dhe familja që jeton me punë të ndershme se, në një të ardhme të afërt, mund të bëjë një jetë dinjitoze?! Natyrisht që jo! Prandaj, kujtdo që më kërkon një këshillë, ja jap me gjithë zemër:

NË SE I DHIMBSET E ARDHMJA, TË IKË SA MË PARË NGA KY VEND DHE TË MOS MENDOJË TË KTHEHET MË!

Të lërë pas iluzionet! Mbi të gjitha iluzionin e gënjeshtërt se “Ky vend bëhet”!!! Të shkojë në një vend të civilizuar por jo me mendësinë e emigrantit të përkohshëm që synon “të bëjë një dorë paré” dhe të kthehet! As me tahmanë e banditit që shet ca vjet drogë, prostitucion apo krim dhe kthehet në qytetin apo fshatin e vet për tu bërë pjesë e “elitës”! Jo!!! Të përpiqet të bëhet qytetar i mirë dhe i ndershëm i vendit ku do të shkojë! Të mësojë gjuhën njëlloj si shqipen, të shkollohet, të integrohet, të jetë mirënjohës dhe besnik i vendit të adoptuar dhe të ndërtojë atje jetën e vet të re!

Jeta është e shkurtër dhe sfidat në Shqipëri janë të pakalueshme! Historia tregon se në Shqipëri kanë sjellë ndryshime pozitive vetëm të huajt, si kur kanë qenë miq, ashtu edhe kur kanë qenë pushtues. Qeveritarët tanë janë të paaftë të qeverisin dhe bashkëqytetarët tanë janë të paaftë të zgjedhin qeveritarë për të qenë! E trishtueshme, por e vërtetë!

Përfundimisht:

ÇDOKUSH PËR VETE DHE SA MË LARG PREJ SHQIPËRISË..

Share: