Home KRYESORE Politikanët i kanë dhënë vetes, një leje dhe një lakmi “hyjnore”… Nga...

Politikanët i kanë dhënë vetes, një leje dhe një lakmi “hyjnore”… Nga Azem Parllaku

Frika dhe interesi, janë dy forca që i bashkojnë njerëzit. Qytetarët e Shqipërisë, janë vetë ata që vendosin se, cili është interesi i tyre. Nëse mendojnë se sundon padrejtësia, varfëria dhe krimi, atëherë me votën e lirë duhet t’a çrrënjosin këtë sundim. Ndërsa sa për frikën ajo është e kaluar, shqiptarët përfundimisht e kanë të qartë, se qeveria është ajo që duhet të ketë frikë nga qytetarët, e jo qytetarët nga qeveria. Demokracia në shpirtin e saj përmban edhe institucionalizimin e së drejtës në rezistencë, ndaj e drejta e popullit për revolucion është e ligjshme.

Të drejtë të popullit që t’a ndërrojë, apo t’a braktisë cilëndo formë të qeverisjes dhe të themelojë një model të ri të shtetit, përkatësisht të përmbysjes së një shteti apo pushteti në mënyrë legjitime ka shumë në historinë politike. Por, në çfarë falsifikimi dhe thjeshtësie të rrallë jeton qenia shqiptare? Ende deri sot shqiptarët nuk po mundin të kuptojnë “mrekullinë” e mashtrimeve dhe gënjeshtrave të politikës qevereisëse. Për fatin e keq të qytetarëve, politikanët i kanë dhënë vetes dhe ndjenjave të tyre, një leje dhe një lakmi “hyjnore”, për të bërë çfarë duan në kurriz të popullit.

Ky guxim i shfrenuar, ka bërë që, shqiptarët të konsiderohen si një popull i lindur për të qenë skllav, teksa nga ana tjetër pushtetarët identifikohen me mbiemrat; i korruptuar, i dhunshëm, dinakë, grabitqarë, etj, duke ia vënë vulën e turpit emrit Shqipëri.

Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit Hoyt Yee, i angazhuar nga afër së fundmi me Ballkanin Perëndimor, thotë se perëndimi duhet të tregohet më i prerë ndaj udhëheqësve të akuzuar për shkelje apo korrupsion në vendet e tyre. Sigurisht që Shqipëria nuk bën përjashtim. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si partner i Shqipërisë do të vazhdojnë të kërkojnë nga qeveria, partitë politike dhe deputetët, që të mbajnë zotimet për të zbatuar reformat në Drejtësi, nëpërmjet të cilave do të vendoset sundimi i ligjit dhe do të arrihet statusi i pavarësisë për gjyqësorin. Është koha që Shqipëria po trajtohet si një përparësi për politikën e jashtme amerikane.

Kur në Tiranë kanë mbërritur hetuesit ndërkombëtarë, janë ata politikanët më të tremburit. Hetimi intensiv i pasurive të mbledhura nga aferat korruptive, me bekimin e ambasadorëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian, do të vijojë vijojnë më ekspozimin e fakteve kundër korrupsionit dhe krimit në Shqipërinë e sotme. Shqipëria ka qenë gjithmonë një vend i vjedhur nga krerët dhe një vend i shitur te fqinjët po prej tyre; por dhe një vend i shpëtuar nga rasti.

Sipas ambasadores së Bashkimit Europian, Vllahutin, në Shqipëri po shitet atdheu për të shpëtuar shtëpitë; dhe jo shtëpitë për të shpëtuar atdheun. Shqiptarët, historia e të cilëve është një varg luftrash të pandërprera për çlirimin kombëtar dhe për ruajtjen e ekzistencës në trojet e tyre u udhëhoqën nga prijës popullor. Roli i prijësve në këto luftra qe i madh. Atyre populli u thuri këngë, qoftë për së gjalli, qoftë për së vdekuri. Por për habi, ata nuk u shndërruan në figura autoritare për ta ushqyer vetëdijen autoritare tek bashkëkombësit e vetë, e cila do t’i zhyste në llumin e iracionalitetit dhe mashtrimit të madh. Historia e solli që Perëndimi dhe sidomos politika amerikane ta mbështesnin interesin e tyre te shqiptarët.

Përveç Amerikës dhe Gjermanisë, në këtë histori mbi njëqind vjeçare, të gjithë të tjerët kanë qënë kundër shqiptarëve. Tani janë të gjithë pro, dhe me shqiptarët, përveç Rusisë dhe krerëve shqiptarë që drejtojnë dhe vjedhin shqiptarët. Është koha të ftohet në rol opinioni mbarëshqiptar, subjektet politike e jo politike, që të jenë koshient në këto momente dhe të mobilizohen të gjithë forcat intelektuale e nacionaliste në shërbim të realizimit të interesave kombëtare e shtetërore. Një qeverisje e pamoralshme, nëse diskredotohet me fakte, krijon historinë e re të moralitetit qeverisës. Koha historike e të drejtave të shqiptarëve ka ardhur.

Sot nuk mund të tolerojmë përseritjen e dështimeve historike. Nga e gjithë kriza që përjetojnë sot shqiptarët, kriza politike e morale duket më e tragjike. Gjithashtu, duhet nënshtruar vetëdijës kritike dhe opinionit demokratik të gjitha shkarjet politike-diplomatike nga vija e interesave vitale kombëtare. Dy here në njëqind vjet shtet, tentohet të bëhet inkriminimi i plotë i shoqerisë shqiptare; dikur me luftën e klasave, për llogari vetëm të antishqiptarisë sllavo-lindore, të kamfluar nën revolucionet e internacionalizmat proletare.

Sot për herë të dytë me kanabizim e mafiozizim e shoqërisë, per llogari vetëm të antishqiptarisë tradicionale dhe palëve të treta me interesa financiare. Të dyja keto dhurata, kanë të njejtën distancë nga liria dhe prosperimi i vertetë i një kombi. Të dyja këto dhurata, antishqiptarët na i sjellin me të njejtat duar ato të politikës. Ndaj shqiptarët, e kanë për detyrë t’a mbrojnë vendin dhe shoqerinë e tyre. Heshtja është pjesë e skemës dhe formë produktive në favor të mafias. Vonesat në histori e kanë çmimin shumë të lartë.

Share: