Home Gjeo-Ekonomia Rritet çmimi i naftës/ Ja sa do paguani më shumë për litër

Rritet çmimi i naftës/ Ja sa do paguani më shumë për litër

Çmimet e karburanteve kanë shënuar një rritje me rreth 5 lekë për litër ditët e fundit, duke kaluar sërish mbi 170 lekë për litër, kryesisht në zonën Tiranë-Durrës.

Në pikat e tregtimit të Kastrati, tregtuesi më i madh në vend, një litër naftë tregtohet aktualisht me 172 lekë, nga 167 lekë që ishte më parë, ndërsa një litër benzinë shitej me 173 lekë, nga 168 lekë.

Edhe Elda, operatori i dytë më i madh në treg e ka shtrenjtuar naftën dhe benzinën po me pesë lekë për litër, përkatësisht në 171 dhe 172 lekë.

Në pikat e tregtimit të Bolv Oil dhe Gega, karburanti tregtohet me rreth 168-170 lekë për litër.

GULF dhe Alpet e kishin shtrenjtuan naftën që disa javë më parë në 173-175 lekë për litër.

Aktorët e tregut pohojnë se dy janë arsyet e këtij shtrenjtimi:

Së pari, tarifa e rilicencimit të pikave të karburantit, e cila edhe pse u rrezua fillimisht nga Gjykata Kushtetuese u rivendos sërish në nivele më të ulëta, përkatësisht 3 milionë lekë për pikat e tregtimit në kryqytet dhe 1 milion lekë në rrethe. Për Tiranën kjo tarifë filloi të mblidhej nga Bashkia pak javë më parë, në muajin shtator. Tregtuesit paralajmëruan se ajo do të reflektohej në çmim, teksa është një tarifë që do paguhet nga konsumatori fundor. Tregtuesit, siç e argumentuan dhe në Kushtetuese thanë se qëlimi i tarifës është thjesht të mbulojë shpenzimet administrative për kryerjen e shërbimit përkatës, por në këtë rast ajo u vendos jashtëzakonisht e lartë dhe si rrjedhojë ata e reflektuan në çmim.

Arsyeja e dytë lidhet me bursat ndërkombëtare, ku nafta ka arritur në nivelet më të larta që nga qershori i vitit 2015. Treguesi referencë i naftës europiane, Brent, tregtohej në fund të javës me gati 63 dollarë për fuçi.

Shqipëria renditen ndër vendet me çmimet më të larta në naftës në rajon dhe Europë, si rrjedhojë e barrës së lartë të taksave që rëndojnë mbi të. Rreth 63% të çmimit të naftës e përbëjnë taksat.

Sipas të dhënave të Global Price Petrol, të përditësuara në 30 tetor, Shqipëria renditej e 27-a në botë përsa i përket vendeve me çmime më të larta të benzinës./Monitor

Share: