Home KRYESORE SHPALLEN FITUESIT E EDICIONIT TË 10-të TË ÇMIMIT AIITC

SHPALLEN FITUESIT E EDICIONIT TË 10-të TË ÇMIMIT AIITC

0

Edicioni i 10-të i Çmimit AIITC u kurorëzua sot në mjediset e Hotel Rogner me ceremoninë e shpalljes së fituesve. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin personalitete të artit e të kulturës shqiptare, përfaqësues nga institucionet shtetërore, akademike e kërkimore në vend, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri, studiues, shkrimtarë, artistë dhe intelektualë.

Motivi qendror i këtij çmimi është stimulimi i krijuesve shqiptarë për të sjellë prurje artistike e shkencore, me qëllim pasurimin e fondit të artë të kulturës shqiptare. I themeluar prej vitit 2007 nga Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC), Çmimi AIITC ndahet në tri kategori: libri më i mirë, peizazhi më i bukur dhe krijimtaria më e arrirë nga moshat e reja. Veprat dhe punimet e paraqitura për konkurrim në periudhën kohore prej një viti, vlerësohen nga juritë përkatëse të secilës kategori, punë e cila kurorëzohet me ceremoninë e shpalljes së fituesve.

Në fjalën e rastit, Drejtori i AIITC-së, Dr. Ramiz Zekaj, theksoi se Çmimi AIITC synon t’i kapërcejë kufijtë që iu imponuan fateve të kombit tonë, sepse libri, piktura, proza e poezia kanë forcë të thithin nektarin e të gjitha burimeve, t’i përshkojnë të gjitha shtigjet dhe të prekin cepat e qilimit të bukur kuq e zi. Sipas tij, ky Çmim kërkon t’u japë kurajë elitës, studiuesve, artistëve, të rinjve dhe të shërbejë si një gur në murin e shpresës.

Mbrëmja vijoi me ndarjen e çmimeve në kategorinë e librit më të mirë të vitit, që trajton tema nga kultura dhe shkenca islame. Kryetari i jurisë, prof. dr. Feti Mehdiu shpalli fitues të Çmimit të parë studiuesin Rifat Hoxha për librin me titull “Histori e Islamit në Kavajë”, vepër që jep një kontribut në pasurimin e historisë së fesë dhe qytetërimit islam, kryesisht në qytetin e Kavajës.

Me çmime të dyta u vlerësuan studiuesit Adem Zejnullahu për librin “Aspekte të Islamit te Shqiptarët” dhe Dritan Çoku me botimin e tij “Sahat Kulla e Kavajës”. Ndërsa studiuesve Arian Kadiu, Enis Sulstarova dhe Orhan Bislimaj iu akordua çmimi i tretë.

Për kategorinë “Peizazhi më i bukur nga penelat e piktorëve shqiptarë”, kryetari i jurisë së artit pamor z. Buron Kaceli shpalli fitues të çmimit të parë piktorin Sadik Kasa, për peizazhin “Sheshi i shatërvanit Prizren”, e vlerësuar për nivelin e lartë artistik, plot dritë e kolorit, realizuar me penelata të fuqishme.

Ndërsa në kategorinë e krijimtarisë letrare nga moshat e reja, poeti Agron Tufa shpalli fituese të vendit të parë poeten Shqipe Palloshi, për vëllimin e saj poetik, me tematikë “E bukura në shpirt dhe në jetë”. Me çmim të dytë u vlerësua studentja Sidorela Brahaj dhe me çmim të tretë nxënësja Denisa Beshi, për krijimet e tyre në poezi e prozë.

Tingujt e ngrohtë të violinës, të interpretuara nga familja Qerimi, shoqëruan të ftuarit pothuajse gjatë gjithë mbrëmjes. Për të finalizuar ceremoninë e ndarjes së “Çmimeve AIITC”, u shtrua edhe një koktej, ku në të njëjtën kohë të pranishmit patën mundësinë të sodisin pikturat pjesëmarrëse të këtij edicioni, të ekspozuara në këtë eveniment.

Share:
Reklama juaj