Home KRYESORE UNË JAM KUSHDO QË JU DËSHIRONI TË BËHEM, MADJE EDHE KOSTUM I...

UNË JAM KUSHDO QË JU DËSHIRONI TË BËHEM, MADJE EDHE KOSTUM I ZBRAZËT

Titulli i këtij teksti është parafrazim nga një thënie e një dallkauku drejtuar shefit të tij,që është shndërruar në një shprehje proverbiale, e përdorur kudo për të keq, por në Kosovë po zbatohet nga shumë parti politike. Dallkaukët janë vlerësuar si të shkathëtit e politikës dhe madje janë lakmuar për përfitimet që i kanë siguruar nga shefat e tyre për këtë sjellje. Sjelljet e tyre iu ka shkuar për shtati shefave, kur ata kanë krijuar monopole për programet dhe projektet, me të cilat kanë centralizuar buxhetin e shtetit në nivele klanesh, me të cilin i kanë kushtëzuar lokalitetet që të përkrahin të preferuarit e tyre kukulla, si kusht për zhvillim, shërbime të mira dhe punësim të njerëzve të tyre

Nga Nijazi Idrizi

Me një qasje të tillë, Kosova u dobësua shumë e posaçërisht në pjesët ku kombi duhej ta tregonte fuqinë dhe vendosmërinë e shtetformimit. Në kufi me Serbinë, Mitrovica e ndarë, u shëndërrua në arenë të krimit të organizuar, ku pastrimi i parave dhe ekonomia joformale lulëzuan; Llapi, Gollaku e Karadaku, ranë në krizë të identitetit të tyre (për shkak të udhëheqësve lokal), nuk u definuan politikat afatgjata, si hapësirë kyçe e pjesës më neuralgjike të rajonit të Ballkanit dhe mbeti nën trysnin e zhvillimeve negative në Kumanovë dhe Luginë të Preshevës, të diktuara nga Serbia dhe Maqedonia. Me këtë rënie që kanë pësuar, ato nuk janë në gjendje që të ndikojnë e lëre më që të diktojnë paqe, zhvillim dhe integrim të kësaj hapësire. Klaneve nuk iu ka interesuar forcimi me prioritet i Anamoravës e rrjedhimisht edhe i Luginës së Preshevës dhe Kumanovës, por diç po tregon puna, ata më shumë kanë punuar për rrënimin e tyre në favor të pozicionimit të klaneve të tyre.

Për fat të keq kjo qasje ka funksionuar gjatë në Kosovë, për shkak të mungesës së një oferte serioze politike. Por në dy palë zgjedhjet e këtij viti, duke u bazuar në rezultatet e tyre, duket se kemi një ndryshim të gjendjes, e cila pas një analize që do t’iu bëhet atyre, do ti alarmoj disa lider dhe klane për trendin e vullneteve dhe fundin e pashmangshëm të tyre. Gjendjen e kanë alarmante PDK dhe AKR, të cilat pothuajse i përgjysmuan ulëset në Kuvend të Kosovës. PDK në zgjedhjet lokale doli partia e dytë me rreth 14 mijë vota më pak (rreth 166 mijë vota) pas LDK e cila i ka grumbulluar rreth 180 mijë vota. Me trend stagnimi ka dal AAK, ndërsa NISMA është në fazën e konsolidimit me të ardhme të paqartë. Vetëm LVV doli e fituar në të dy palë zgjedhjet, për nga numri i votave të cilat i dyfishoi.

Për sa i përket votave për lidership, PDK dhe AKR kanë treguar lidership të dobët dhe të pabesueshëm në të dy nivelet. Trendi i rënies së votave për kandidatët për deputet nga zgjedhjet qendrore ka vazhduar të bjerë edhe në ato lokale të 22 tetorit, për kryetarë të Komunave. Të gjithë kryetarët e Komunave nuk kanë arritur të marrin më shumë vota nga ato të partisë. Ata gjithsejtë kanë grumbulluar rreth 164 mijë vota, ose pak më pak se kuvendarët e tyre, e që i bie se kanë treguar lidership më të dobët se ata. Lidershipi i LVV, iu është afruar atij të PDK me rreth 150 mijë vota, i AAK nuk ka ndryshuar (rreth 108 mijë vota), ndërsa LDK edhe këtu është e para me rreth 230 mijë vota.

Nga kjo analizë mund të nxirret një përfundim se votuesit e Kosovës, kësaj radhe votuan për fundin e një pjese të klaneve të disa partive politike, posaçërisht kundër atyre të PDK në Anamoravë. Poliqkarët e Qemajl Mustafës nuk kaluan, morën fund, megjithëse kandidati për kryetar të komunës së Gjilanit, Zenun Pajaziti u përforcua edhe me nipin e tij Kujtim Gashi në Dardane. Që të dy, e shtynë PDK nga vendi i parë në të tretin dhe ia humbën asaj mbi 50% të votave. Edhe në Llap e Prishtinë (edhepse u përfshinë në fushatë ministrat e përjetshëm), nuk u arrit as në balotazhi. Ndërsa klani i kontrabandës së Pejës mori fund që në raundin e parë.

Në zgjedhjet lokale shpresa e ndryshimit ka qenë LVV, nga e cila të gjithë kanë pritur sukses të plotë. Por kjo gjë nuk ndodhi. Ata i kapi dëliri i madhështisë, sa filozofin politike me vlerë kombëtare e ulën në nivelin e bejteve të shkollës së Bejtexhive.

Fituesi i çmimit Nobel Ronald Coase thotë: “Vlera e gjërave mund të rritet duke u marr me to”.

Në balotazh kanë shkuar 19 komuna. Janë bërë koalicione madje jashtë çdo logjike të shëndoshë. Por edhe këtë fakt qytetarët do ta gëlltisin disi.

Një gjë është e sigurt, më 19 nëntor do të marrin fund skeptikët e ndryshimit!

Share: