Home KRYESORE Zbulohen detaje nga bisedimet Bushati – Kotzias

Zbulohen detaje nga bisedimet Bushati – Kotzias

0

Mediat lokale në Kretë zbulojnë detaje mbi takimin mes dy kryediplomatëve Ditmir Bushati dhe Nikos Kocias.

Bisedimet e nivelit të lartë do të mbahen në Hersonisos në Kretë, e pikërisht në vendin e njohur turistik, në shpellën e njohur në mitologjinë greke si vendi ku perëndesha Rea lindi Zeusin.

Sekretari i Përgjithshëm i Sekretariatit të grekëve jashtë vendit Dimitris Plevrakis, i pohoi gazetës Nea Kriti, zgjedhja e palës greke për takimin nuk është e rastësishme.

“Duam ta theksojmë se arsyeja është pozicioni strategjik i Kretës, si pikë stabiliteti dhe sigurie në rajon. Në këtë kontekst, si një ministri e jashtme, ne po planifikojmë ngjarje të tilla çdo vit.”

Plevrakis risolli në vëmendje faktin se pikërisht në Elunda të Kretës është zhvilluar edhe takimi mes Kotzias dhe homologut turk Çavushoglu.

Por gazeta sqaron se takimi me Bushatin do të zhvillohet në Hersonisos, sepse fatkeqësisht hotelet në Elunda janë të mbyllura në këtë kohë.

Lidhur me përmbajtjen e diskutimeve, Plevrakis i referohet përpjekjeve të Kocias, për të arritur fqinjësi të mirë.

“Ne besojmë se Greqia mund të jetë pol i stabilitetit për të gjithë rajonin e Ballkanit. Dhe në këtë drejtim ne zgjedhim Kretën. Përpjekja e sotme është një përpjekje më shumë për të ardhmen. Në atë që do të na përcaktojë në vitet e ardhshme, në mënyrë që të kemi marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjitha shtetet.”

Athina zyrtare nuk e fsheh ambicien për të mbajtur rol drejtues në Ballkan

“Dialogu ndihmon dhe ne besojmë dhe shpresojmë se do të ketë rezultate shumë pozitive për të dyja vendet. Ana greke ka ndërmarrë tashmë shumë nisma. Në këtë kontekst, ky takim do të jetë një vazhdim i nismës së ndërmarrë nga qeveria greke për Ballkanin, kur u zhvillua konferenca katërpalëshe në Selanik. Kohët e fundit, me pjesëmarrjen e shteteve të tjera, rajoni i Ballkanit është stabilizuar. Ne besojmë, se rruga e Shqipërisë drejt Evropës po kalon nëpër Greqi. Kjo është arsyeja pse unë do të ndjek një vizitë në shpellën ku lindi Zeusi, në vendin ku ka zanafillën Europa”. /360grade.al/

Share:
Reklama juaj