Home KRYESORE Bushati tregon negociatat me Greqinë: Në janar Kotzias vjen në Tiranë

Bushati tregon negociatat me Greqinë: Në janar Kotzias vjen në Tiranë

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, deklaron se bisedimet me Greqinë do të vijojnë dhe takimi i rradhës do të zhvillohet në Tiranë.

Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Bushati ka theksuar se në lidhje me Greqinë marrëdhëniet janë në një rrugë më të mirë seç kanë qenë.

“”Ne kemi shtruar të gjitha çështjet, që datojnë që nga Lufta e Dytë Botërore deri në ditët e sotme. Besoj se jemi në një rrugë më të mirë seç kemi qenë. Do të ketë një raund tjetër në janar, këtë herë në Shqipëri, ku ne do të vazhdojmë mbi ato diskutime që kemi bërë, sidomos gjatë takimit të fundit në Kretë. Besoj se është krejt e qartë për opinionin publik që çështjet e një natyre historike mbartin një lloj sensibiliteti të caktuar për palët, sikundër çështjet që kanë të bëjnë me delimitimin e shelfit dhe zonës ekskluzive ekonomike, apo një përcaktim më të mirë të të gjithë regjimit kufitar, që duhet të ekzistojë ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, është një çështje që kërkon një vëmendje të posaçme nga të dyja palët dhe ne po përpiqemi për të punuar në këtë drejtim”, sqaroi ministri i Jashtëm.

Bushati thekson se procesi i bisedimeve me Greqinë për çështjet e mbartura ndër vite nuk ka qenë aspak i lehtë dhe kjo ka qenë arsyeja përse edhe komunikimi në publik, lidhur me diskutimet e zhvilluara, ka qenë i rezervuar.

“Natyrisht, nuk ka qenë një proces i lehtë dhe nuk është një proces i lehtë, kërkon kohën e vet, jo të gjitha çështjet kanë të njëjtën natyrë komplekse dhe për pasojë, edhe zgjidhja që ofrohet për disa prej këtyre çështjeve, mund të jetë më e vështirë. Është e rëndësishme, që pothuajse për të gjitha çështjet ka një lloj dakordësie, që duhet të pastrohen nga tryeza jonë e çështjeve dypalëshe, në kuptimin figurativ të fjalës, dhe ky lloj diskutimi në paketë për këto çështje, kategorizimin e shportave mbi bazën e një tematike që ne e kemi konsideruar dhe në të shkuarën, është në rrugën e duhur. Por, nuk mund të thuhet që sot për sot ka një dakordë- si për të gjitha llojet e çështjeve që janë në diskutim dhe kjo është arsyeja që ende jemi të kujdesshëm në komunikimin me opinionin publik”, tha Bushati.

Ministri ka folur edhe për çështjen “Tahiri” kur deklaroi se PS i ofroi kushtet e nevojshme Prokurorisë, që ajo të bënte hetimin e saj për ishministrin. “Në radhë të parë, në rast se ka një akuzë, është Prokuroria ajo që duhet të vërtetojë akuzën në institucionet e drejtësisë, pranë gjykatave dhe besoj se këtu matet vullneti politik i forcës qeverisëse, në rastin konkret, familjes sonë politike, për krijimin e kushteve të duhura, për sa u përket organeve të drejtësisë, për të dhënë fjalën e tyre për këtë çështje dhe deri në këtë pikë nuk ka asnjë gjë që mund të ketë lidhje me imazhin e vendit, për sa kohë, si në çdo sistem demokratik, akuzat ngrihen nga organi i akuzës dhe më pas është Gjykata që duhet të thotë fjalën e saj. Tani, ne duhet të fokusohemi fort tek elementët që kanë lidhje me trafikimin, jo thjesht me kultivimin dhe tek ofrimi i një perspektive më të qartë ekonomike, sidomos për ato zona rurale, nga të cilat ky fenomen ka qenë më i dallueshëm”, tha Bushati.

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme u shpreh optimist që Shqipëria në pranverën e vitit të ardhshëm të marrë një ftesë për anëtarësim në Bashkimin Europian.

“Ne presim që me fillimin e punës, që po bëhet nga ana e institucioneve të vetingut, në fillim të pranverës, të kemi rezultate të prekshme, për sa u përket niveleve të larta të Gjyqësorit dhe të Prokurorisë; shpresojmë shumë që kjo punë të shërbejë si një bazë e mirë edhe për nivelet e tjera të Gjyqësorit dhe Prokurorisë. Pra, besoj se është krejt e mundshme që 2018-a të kurorëzohet me këtë vendimmarrje dhe në tryezën e bisedimeve, Shqipëria të shkojë me disa frute që vijnë nga Reforma në Drejtësi dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, u shpreh ministri i Jashtëm. / VOA

Share: