Home Ja Pse Shqiperia nuk behet si Zvicera Integrimi ekonomik i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE

Integrimi ekonomik i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE

Nga Kasem Seferi

Integrimi ekonomik është një koncept më i gjërë se integrimi tregtar, pasi ai rrok gjithashtu migracionin, rrjedhat e kapitalit në vend, infrastrukturën dhe institucionet e përbashkëta. Integrimi ekonomik është më i rëndësishëm se madhësia e tregut, sepse as madhësia dhe as vendndodhja nuk mund të ndryshohen, ndërsa integrimi mund të ndihmojë për të kapërcyer dizavantazhet e madhësisë dhe të distancës.

Integrimi ekonomik, shpesh, kërkon kapërcimin e izolimit, i cili mund të origjinohet nga faktorë të ndryshëm: vendndodhja gjeografike, kultura, instabiliteti politik dhe politikat.

Perqendrimi mbi integrimin ekonomik nuk e zvogëlon rëndësinë e të gjithë faktorëve të tjerë që influencojnë mbi rritjen ekonomike; politikat, institucionet dhe rrethanat që influencojnë akumulimin e faktorëve të prodhimit dhe përdorimin e tyre efiçent, dukshëm, mbeten të rëndësishëm në një ekonomi të vogël.

“I marrë në kuptimin e gjërë, integrimi ekonomik është në zemër të performancës ekonomike të vendeve të vogla.” (Alesina, Spolaroe dhe Wacziarg 2005, Banka Botërore).

Përmirësimi i produktivitetit në ekonominë e një vendi është i lidhur ngushtë me konsolidimin e institucioneve demokratike dhe integrimin me pjesën tjetër të botës me anë të tregtisë së mallrave dhe shërbimeve, për të bërë të mundur rritjen e të ardhurave.

Përgjithësisht, ekonomistët e mbështesin integrimin ekonomik sepse ai eleminon disa inefiçenca.

Për shembull, kur shtetet e një tregu të përbashkët zgjedhin politika të ndryshme të punës dhe të të tatuarit, punëtorët dhe bizneset kanë një nxitës për të lëvizuar nga shtetet ku tatimet janë të mëdha në shtetet ku ato janë të vogla.

Në të njëjtën mënyrë, ato që marrin subvencione të qeverisë kanë një nxitës për të lëvizur nga shtetet ku subvencionet janë të vogla në ato ku janë të mëdha.

Në mënyrë shoqërore ky migracion, në mënyrë të njëkohëshme, ndëshkon shtetet progresive me anë të ngritjes së shumës që duhet të shpenzojnë dhe zvogëlimit të të ardhurave tatimore në dispozicion për të plotësuar detyrimet e tyre.

Ka qenë kjo arsyeja përse OECD – ja ka ardhur në përfundimin se bota e zhvilluar duhet ta eleminojë “konkurrencën e dëmshme tatimore” ndërmjet shteteve, gjë që ka nxitur debatin këto dhjetë vitet e fundit.
Por, nuk është integrimi ekonomik në vetvete ai që po debatohet, sepse një Europë uniformisht me tatime të ulta dhe me tregje pune fleksibile do të ishte pikërisht aq sa e integruar aq edhe një Europë që rrok uniformisht përqindje tatimore të larta dhe tregje pune jofleksibël.

Më saktë çështja është se çfarë lloj integrimi ekonomik të mëtejshëm do të ndjekë Europa, së cilës në të vërtetë i duhet t’i japë zgjidhje alternativës: ose të pranojë rregullat e konkurrencës dhe lulëzimin që sjellin ato, ose tu rezistojë atyre.

Arsyetimi është se integrimi ekonomik nuk e promovon rritjen ekonomike brenda dhe jashtë vetvetes.

Vetëm liberalizimi ekonomik mund ta bëjë një gjë të tillë, sepse në qoftë se 27 vendet anëtare të BE – së duhet të bien në ujdi të integrohen nëpërmjet normave gjermane dhe franceze, fakti që bashkimi i tyre ka arritur një integrim të mëtejshëm ekonomik nuk do të mund t’i shpëtonte ato nga rrëshqitja në errësirë.

Nga perspektiva ekonomike, ekspertët thonë se fati i fundit fare i kushtetutës europiane është më pak i rëndësishëm se sa vizionet konkurruese të së ardhmes europiane që ka ekspozuar debati i ratifikimit.

Në njërën anë janë vendet që udhëhiqen nga Franca dhe Gjermania, që besojnë se ekonomia europiane duhet të bëhet shumë më e rregulluar, ndërsa në anën tjetër janë vendet e udhëhequra nga Britania dhe Hollanda, që besojnë se ekonomia europiane duhet të bëhet më pak e rregulluar.

Pascal Lamy, Drejtor i Përgjithshëm i OBT – së, në shkrimin me titull “The Trade Route to the Post Crisis Growth and Stability”, deklaron: “Zgjerimi tregtar do të jetë një komponent kritik për ta ngritur Europën nga bataku i saj ekonomik dhe përmirësuar nivelin e saj të konkurrueshmërisë.

Kjo është çështja mbi të cilën qendron e ardhmja ekonomike e BE – së dhe zgjerimi i saj i mëtejshëm.”.

Ngadalësimi i proçesit të integrimit dhe ndalimi i përkohshëm i tij për shkak të dështimeve në Greqi, Spanjë, Portugali, etj, janë argumente shtesë kundër zgjerimit të mëtejshëm, gjë që bëri të mundur miratimin e kriterit “të qartë dhe rigoroz” nga 27 vendet anëtare të BE – së.

Për shkak të problemeve të mainifestura nga një euro e dobësuar në tregun ndërkombëtar monetar, Brukseli po revizionon opsionet e tij me qëllim që të gjejë përgjigje strategjike për krizën dhe politika e zgjerimit drejtpërdrejt për pjesën juglindore të kontinentit është gjithashtu pjesë e kërkimit të një paradigme të re, pasi sipas të gjitha gjasave ideja mbi pranimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor “në një paketë” nuk është më e vlefshme.

Në kontekstin e mësipërm, zgjerimi i mëtejshëm i BE – së me vendet e Ballkanit Perëndimor lidhet me tre grupe faktorësh, që konsiderohen para së gjithash përgjegjës për arritjen e vonuar të disa prej objektivave të tranzicionit siç janë: ngjarjet politike; integrimi i vonuar dhe në mënyrë më të argumentuar (sikundër u vërtetua në shqyrtimin e kërkesës për Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë dhe Bosnje – Hercegovinën); dhe politikat ekonomike të papërshtatshme.

Nga viti 2009 pjesa më e madhe e vendeve të Europës Juglindore kishin arritur në mënyrë të suksesshme shumë prej objektivave ekonomikë të tranzicionit për në ekonominë e tregut, përveç përjashtimit të mundshëm të Kosovës, e cila është ende në një situatë të vështirë ekonomike dhe politike.

Vendet e Europës Juglindore janë bërë ekonomi më të hapura me dominant pronësinë private, kanë reformuar shumë institucione kyç, si dhe kanë liberalizuar tregtinë e tyre me BE – në dhe me fqinjët e tyre.

Sektori i tyre financiar dominohet nga bankat e huaja të vendeve të BE – së dhe vihet re shfaqja e bursave pothuajse në të gjitha kryeqytetet e tyre. Gjatë më shumë dhjetë viteve të kaluara, vendet e Europës Juglindore ishin ndërmjet vendeve në tranzicion me rritjen më të shpejtë ekonomike, që kanë arritur stabilitet thelbësor makroekonomik, që kanë pasur një monedhë kombëtare të konvertueshme stabël ose lehtësisht të këmbyeshme, që kanë akumuluar rezerva të konsiderueshme të valutës së huaj, që e kanë zvogëluar riskun e paaftësisë paguese të jashtme.

Mundësitë e privatizimit ishin të mëdha dhe Investimet e Huaja Direkte ishin me prirje lart, të paktën deri në vitin 2008. Vetëm në lidhje me këto tetë vjet të parë, boshllëku përsa i përket reformave ekonomike që lidhen me tranzicionin brenda vendeve rajonit të Europës Juglindore ndërmjet reformuesve të hershëm dhe të vonë, si dhe ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor e vendeve të Europës Juglindore, është zvogëluar por jo aq sa duhet.

Integrimi i fortë ekonomik i vendeve të Europës Juglindore me BE – në ndodhi gjithashtu nëpërmjet rritjes së rrjedhave tregtare, Investimit të Huaj Direkt dhe integrimit financiar, megjithëse vendosja e lidhjeve kontraktore ka proçeduar me një hap shumë më të ngadalshëm.

Gjatë këtyre 27 viteve të fundit, vendet e Europës Juglindore kanë arritur shumë objektiva të rëndësishëm të tranzicionit, por gjithashtu kanë pasur edhe një numër dështimesh.

Niveli i sotëm i prodhimit në lidhje me vitin 1989 e ilustron mirë sa thellë ka ndikuar në ekonomitë e Europës Juglindore recesioni i vitit 1990 (dhe ngjarjet politike që e amplifikuan shumë atë), që nga ajo kohë ndikimet janë lehtësuar vetëm pjesërisht nga rritja e fortë ekonomike e pasvitit 2000.

Historia e një inflacioni shumë të lartë dhe këmbëngulës, i ka udhëhequr të gjitha vendet e Europës Juglindore, disa më herët disa më vonë, që të nënshkruajnë recetën e sigurt të politikave monetare shumë shtrënguese.

Ndërkohë që këto politika ishin të suksesshme në zvogëlimin e inflacionit, ato nuk kanë siguruar zhvillim ekonomik afatgjatë, si dhe kapjen e shpejtë të hapit të vendeve më të zhvilluara europiane.

Ristrukturimi i kufizuar i shumë sektorëve industrialë në pjesën më të madhe të ekonomive në Europën Juglindore dhe dështimi për të vendosur një kuadër ligjor, rregullator dhe institucional ka sjellë dështimin për të gjeneruar përgjigjen e domosdoshme për zvogëlimin e papunësisë dhe gjenerimin e zhvillimit të qendrueshëm ekonomik.

Megjithëse EBRD – ja në vitin 1995 bëri një dallim të shpejtë ndërmjet koncepteve të tranzicionit dhe zhvillimit ekonomik (duke e përkufizuar tranzicionin si proçes të vendosjes së ekonomive të tregut nëpërmjet ndryshimit institucional, ndërsa zhvillimi i referohet rritjes së standarteve të jetesës), është e qartë se tranzicioni për në ekonominë e tregut ka qenë i motivuar gjërësisht nga ndjekja e zhvillimit ekonomik.

Prandaj, ndryshimet sistemike të domosdoshme nga tranzicioni në ekonominë e tregut, duhet të jenë një instrument madhor për arritjen e zhvillimit ekonomik afatgjatë, por kjo gjë ka provuar se është më e vështirë për t’u arritur në vendet e Europës Juglindore.

Ndryshimet institucionale të lidhura me tranzicionin që janë venë në jetë në një mjedis, veçanërisht, politik dhe ekonomik të paqendrueshëm, nuk e kanë favorizuar zhvillimin e shpejtë ekonomik.

Ka ende një numër detyrash ekonomike që duhen kryer në vendet e Europës Juglindore, ashtu si dhe sfida politike që janë pikërisht po aq të rëndësishme.

Vendet e Europës Juglindore nevojitet të bëjnë përpjekje madhore për të zgjidhur çështjet e mbetura politike, pasi kjo është në interes të të gjithëve. BE – ja konfirmon, gjithashtu në një mënyrë të besueshme, prospektet e anëtarësisë në BE për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Bashkëpunimi ndërmjet vendeve dhe përmbushja e kritereve në dokumentat e BE janë rruga më e shpejtë për t’iu bashkuar BE – së, gjë që tregon se përgjegjësia duhet të merret përsipër nga çdo vend individualisht, nëpërmjet bashkëpunimit rajonal dhe në bashkëpunim me BE – në.

Share: