Home KRYESORE Kërkoni shenjtërinë e jetës! Nga Dr. Diana Skrapari

Kërkoni shenjtërinë e jetës! Nga Dr. Diana Skrapari

Paris, Bruksel, Ankara, Grand Bassam, Uagadugu, Alepo … bombardime, vdekje, dëmtime!

Pse derdhet gjak i pafajshëm? Përse shkaktohet dhimbje dhe vuajtje nga humbja e njerëzve të dashur, e qenieve njerëzore, e të ngjashmëve tanë?

Le të kujtojmë se jeta është një gur i çmuar, ajo është një thesar! Pse sulmet, bombat, vrasjet duhet të na e marrin atë? Jeta është një dhuratë nga Perëndia dhe vetëm Ai mund të na e marrë. Nëse një dashuri sado e vogël për Atë ekziston në zemrat tona, ta tregojmë admirimin tonë ndaj Tij duke dashur njerëzit e tjerë. Nëse ne mendojmë ata që nuk kanë të njëjtën fe ose mendim, duhet të vdesin, gabojmë rëndë.

Le të dëgjojmë, respektojmë, të tolerojmë diversitetin në botë!

Dhe mos harroni! Të respektojmë jetën!

Sartre ka thënë: “Ferri janë të tjerë! “

Dhe është e vërtetë! Ferri në Tokë është krijuar nga ata që mbjellin vdekjen. Ferri është kjo mungesë e ndjeshmërisë për njerëzit të cilët janë mishërim i Zotit në tokë.

Të reagojmë duke kërkuar shenjtërinë e jetës! Ne duhet të ndalim përbuzjen për jetën e të tjerëve duke kultivuar altruizmin dhe tolerancën. Thjesht të fillojmë me admirimin për kryeveprën e universit, njeriun!

 

 

 

 

 

 

Share: