Home KRYESORE Konfuzioni me transparencën i institucioneve të vetingut cënon besimin e publikut

Konfuzioni me transparencën i institucioneve të vetingut cënon besimin e publikut

Kryetarja e Komisionit te Kualifikimit, Genta Tafa, duke folur gjate ceremonise se inagurimit te godines ku do te ushtrojne funksionin tre komisionet e reformes ne drejtesi. Zyrat e reja ne te cilat do te punojne komisionet e Vettingut ndodhen ne ish-ndertesen e Lidhjes se Shkrimtareve dhe artisteve ne Rrugen e Kavajes. /r/n/r/nThe head of the Qualification Committee Genta Tafa speaks during the inauguration ceremony of the premises where the 3 committees of the justice reform will operate. The new offices are located at the former building of the Writers and Artists League, in Kavaja Street.

Nga Sebi Alla, BIRN

Një punonjës i Gardës, i vendosur pranë derës prej hekuri të ish-godinës së Lidhjes së Shkrimtarëve-sot institucioni i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, na thotë prerë se nuk mund të hyjmë. “Është institucion sekret i rëndësisë së veçantë dhe ne e kemi të ndaluar të fusim mediat pa marrë miratim,” thotë gardisti.

Pas këmbënguljes për një komunikim  zyrtar, një tjetër punonjës që prezantohet si Shefi i Sigurisë së Brendshme, thotë se nëpunësit e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit i thanë të përcillte këtë mesazh: “Ende nuk është caktuar punonjësi dhe koordinatori i Marrëdhënieve me Publikun, ndaj e kemi të pamundur për të dhënë informacionin që kërkoni në lidhje me transparencën”.

Pas mëse dy vjet debatesh politike dhe një sërë vonesash, institucionet e vetingut u ngritën dhefilluan punën duke marrë në shqyrtim dosje të gjykatësve dhe prokurorëve. Por ndërsa rezultatet e këtij procesi priten me interes të lartë nga shumica e qytetarëve shqiptarë, institucionet e reja janë ende konfuze mbi mënyrën se si ky proces do të mbahet në shinat e transparencës.

Pas interesimit në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, Kolegjin e Apelimit, KA dhe Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, OMN, BIRN mësoi se nuk ka ende një procedurë të qartë të komunikimit të këtyre institucioneve me median dhe publikun.

Ligji “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve” në nenin 55 sanksionon se seancat dëgjimore duhet të jenë publike, por njëkohësisht krijon hapësirë për t’i mbajtur ato edhe të mbyllura siç parashikohet në nenin 20 të ligjit për gjykatat administrative.

Ligji po ashtu flet në disa pika për konfidencialitet gjatë procesit të hetimit dhe para vendimit, madje edhe parashikon penalizme për komisionerët nëse rregullat e komunikimit shkelen. Ndërsa marrëdhëniet me mediat sipas nenit 28 të ligjit “Për rivlerësimin kalimtar” rregullohen përmes një personi që caktohet ta kryejë këtë detyrë.

Një nga anëtarët e komisioneve të veting-ut, që foli me BIRN në kushtet e anonimatit pranoi  se ende edhe vetë ata ishin të paqartë mbi mënyrat e komunikimit dhe se po diskutohej mbi modalitetet që duhet të ndiqen për një proces të drejtë dhe transparent. Megjithatë, komisioneri tha se transparenca e procesit mund të shërbente si ndihmë për vettingun.

“Mund të ndodhë që për çështje konkrete do ishte në interes që disa të dhëna mbi ecurinë e procesit të vetting-ut të bëheshin publike. Kjo mund të ndihmonte që qytetarë apo institucione shtetërore të ofronin më shumë të dhëna rreth personave që do kalojnë procesin e vetting-ut edhe konkluzionet përfundimtare mund të ishin më të drejta,” tha i njejti burim.

Megjithatë, sipas Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi, transparenca nuk është në dorë të këtyre institucioneve dhe se si të gjitha autoritetet publike, ato duhet t’i nënshtrohen procesit të njëjtë të transparencës.

“Organet e vetting-ut janë të detyruar që të japin informacion në lidhje me ecurinë e procesit dhe konkluzionet që dalin prej tij,” tha Dervishi për BIRN.

Çfarë parashikon ligji i vetingut për transapercën dhe kofidencialitetin:

Neni 16 
Anëtari i institucionit të rivlerësimit mban përgjegjësi disiplinore, veçanërisht për shkak të:
9. Bërjes publike të mendimeve që ka dhënë vetë ose anëtarët e tjerë gjatë procesit që akoma nuk kanë marrë formën e një akti të bërë publik.
10. Shkeljes së detyrimit të konfidencialitetit dhe të mospërhapjes së informacionit, që rezultojnë nga hetimi ose gjykimi, gjatë procesit ose kur ky ka përfunduar, duke përfshirë publikimin dhe shpërndarjen, edhe për shkak të neglizhencës, të akteve ose informacioneve konfidenciale ose të akteve procedurale, që rrjedhin nga çështjet të cilat janë në proces hetimi ose gjykimi.
11. Bërjes së deklaratave publike dhe në media për çështjet, me përjashtim të komunikimeve të shtypit brenda kufijve të detyrës së tij.
Neni 55/ Seanca dëgjimore
2. Seanca dëgjimore e Komisionit është publike dhe zhvillohet në përputhje me nenin 20 të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”.
5. Bisedimet për marrjen e vendimit ndaj subjektit të rivlerësimit zhvillohen me dyer të mbyllura në praninë e vëzhguesit ndërkombëtar. Vendimi i Komisionit merret me votim të hapur dhe me shumicë të thjeshtë të anëtarëve të trupit gjykues. Nëse gjatë vendimmarrjes ka qëndrime të ndryshme nga ai i shumicës, komisionieri i mbetur në pakicë arsyeton me shkrim mendimin e tij. Vëzhguesi ndërkombëtar ka të drejtë të shkruajë një mendim ndryshe/paralel që i bashkohet vendimit. Procesverbali i bisedimeve të çështjes mbahet nga personeli i regjistrit të Komisionit.
6. Vendimi shpallet në fund të seancës dëgjimore.
7. Vendimi me shkrim u njoftohet subjektit të rivlerësimit, Komisionerit Publik dhe vëzhguesve ndërkombëtarë brenda 30 ditëve pas përfundimit të seancës dëgjimore. Vendimi publikohet në faqen zyrtare të internetit të Komisionit.

Transparenca e procesit të vetingut konsiderohet po aq jetik sa edhe vetë reforma nga analistë politikë dhe vëzhgues të sistemit të drejtësisë.

Anjeza Gashi, eksperte ligjore e organizatës Lex Ferenda mendon se transparenca ka lidhje të drejtpërdrejtë me besimin e publikut.

“Besimi i publikut te sistemi i drejtësisë nuk mund të ndodhë pa rritur transparencën e veprimtarisë së organeve të vetting-ut,” tha Gashi për BIRN.

Interesi publik për procesin e vettingut është i madh. Reforma në drejtësi dhe vetë vetingu janë kthyer prej dy vitesh në fjalët kyç të debateve politike dhe në sloganet kryesore të fushatës së fundit zgjedhore. Rradha që qytetarë të prekur drejtpërdrejt nga drejtësia  mbajnë çdo ditë pranë hyrjes së institucionit, siç gjeti edhe BIRN,  atje ku dikur ka qenë Lidhja e Shkrimtarëve, për të denoncuar dosjet e tyre, tregon po ashtu interes të lartë publik mbi procesin.

Pavarësisht kësaj pritshmërie dhe interesi, Arjan Vasjari mendon se duhet të gjendet një ekuilibër pasi sipas tij procesi “është një procedurë ligjore dhe jo proces politik”.

“Çdo shprishje e këtij ekuilibri do të prodhonte një arbitraritet juridik dhe moral,”  tha Vasjari për BIRN.

Megjithatë, Vasjari shton se e drejta e publikut që të informohet është e garantuar dhe se vetëm transparenca mund të mundësojë një rikthim të besimit te institucionet e sistemit të drejtësisë. Për analistin, që të realizohet kjo, më së pari duhet që publiku të kuptojë dhe njohë konkretisht faktet, të dhënat, provat që përligjin humbjen e tij të besimit te sistemi aktual i drejtësisë.

“Tek e fundit, nuk ka asnjë arsye ligjore apo etike që të na sugjerojë të jemi diskret me publikimin e paligjshmërisë që vetting-u mund të zbulojë për shumë nga njerëzit e sistemit të drejtësisë sot,” shton Vasjari.

Ligjvënësi ka qenë mjaft lakonik në rastin e marrjes dhe dhënies së informacionit. Neni 28 i ligjit thotë se “anëtari i institucionit të rivlerësimit dhe personeli i tyre trajtojnë informacionin për procedurën e rivlerësimit, në respektim të parimit të konfidencialitetit dhe mbrojtjes së të dhënave personale”.

Por Dervishi argumenton se transparenca e procesit të veting-ut nuk është dëshirë ose pjesë e interpretimit të anëtarëve të KPK ose KPA, sepse sipas tij  ligji për të drejtën e informimit është mëse i qartë.

“Institucionet e veting-ut kanë detyrimin që të hartojnë programin e transparencës, pra të japin informacionin pa kërkesë, t’u  përgjigjen çdo kërkese të qytetarit për informacionin që kërkon, natyrisht duhet të ngrenë si të gjithë autoritetet e tjera publike regjistrin e kërkesave dhe të përgjigjeve,” thotë ai.

Në faqen zyrtare të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, kpk.al, është vendosur rubrika për programin e transparencës. Aty po ashtu njoftohet media se kontaktet me të do të mbahen përmes koordinatorit. Por institucioni ende nuk ka vënë në dispozicion kontakt të koordinatorit, ndërsa nuk janë plotësuar as rubrikat e “Programit të Trasparencës”.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, i cili ende nuk ka nisur punën pasi pret vendimet e para të KPK-së, ka po ashtu një faqe zyrtare kpa.al, por ajo është ende në proces ndërtimi.

Komisioneri Dervishi thotë po ashtu se edhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM), sa i përket transparencës duhet të zbatojë ligjet shqiptare.

“Në vlerësimin tim, paçka statusit të veçantë që gëzon veprimtaria e ONM  duhet t’i nënshtrohet transparencës, njësoj si tre organet e tjera të vetting-ut, për shkak të interesit të lartë publik,” shton komisioneri Dervishi.

Përtej mesazhit të thatë të njërit prej rojeve në hyrje të godinës së KPK, BIRN nuk mundi të merrte për këtë shkrim komente zyrtare nga asnjëri prej institucioneve të vetingut. ONM konfirmoi marrjen e pyetjeve mbi transparencën e procesit, por deri në botimin e këtij shkrimi nuk solli përgjigje.

Afrim Krasniqi, drejtori ekzekutiv i Institutit për Studime Politike bie dakord se suksesi i vetingut të shumëpritur do të varet prej transparencës së procesit.

“Do të duhet që publiku të jetë i mirëinformuar dhe i bindur se nuk është lojë politike e radhës, por diçka shumë më e madhe, është fillimi i fazës për konsolidimin e institucioneve të shtetit të së drejtës,” tha Krasniqi.

“Për më shumë që transparenca është një detyrim kushtetues, por edhe moral nga vetë aktorët e rinj të reformës në drejtësi, përfshirë Misioni Ndërkombëtar i Monitorimit,” shtoi ai.

Ndërkohë, përfaqësuesja e “Lex Ferenda” Anjeza Gashi thotë se transparenca mbi atë që po ndodh duhej të kishte filluar.

“Pavarësisht se ka filluar puna dhe po kryhet procesi i vlerësimit të aftësive profesionale dhe etike të gjyqtarëve dhe prokurorëve, publiku është pak ose aspak i informuar mbi ecurinë e këtij procesi dhe të reformës në drejtësi në përgjithësi,” kritikon Gashi.

Ajo gjykon se mosinformimi në kohë i publikut dhe niveli i ulët i transparencës mbi veprimtarinë e organeve të rivlerësimit kalimtar, mund të ndikojë negativisht në perceptimin e publikut mbi efektshmërinë e procesit të veting-ut.

Ajo po ashtu e sheh të rëndësishëm informimin edhe sepse beson se mund të nxitet “një rol më proaktiv i qytetarëve për të denoncuar faktet që mund të përbëjnë prova në lidhje me kriteret e rivlerësimit, siç edhe përcaktohet në nenin 53 të ligjit të rivlerësimit”.

Share: