Home KRYESORE Presidenti francez Macron takon sot Kryeministrin izraelit Netanjahu

Presidenti francez Macron takon sot Kryeministrin izraelit Netanjahu

Përgatiti Diana Skrapari

Kryeministri izraelit do të pritet në Pallatin Elysee për një “drekë pune”. Presidenti francez është kreu i parë i shtetit që e takon atë që nga njohja e njëanshme e Jeruzalemit si kryeqyteti i Izraelit nga Donald Trump. Kjo është vizita e dytë në Francë nga kryeministri izraelit. Ai tashmë ishte ftuar në Paris korrikun e kaluar për të përkujtuar mbledhjen e Vel d’Hiv.

Takimi u njoftua më 19 nëntor, pasi dy krerët biseduan me telefon për krizën në Liban. Por situata në Bejrut duhet të mbetet në hije nga ringjallja e dhunës që nga vendimi i Donald Trump për të njohur si kryeqytetin e Izraelit Jeruzalemin. Të shtunën, të paktën dy palestinezë u vranë në Rripin e Gazës nga sulmet izraelite pas zjarrit raketor. Përleshjet midis palestinezëve të rinj dhe forcave izraelite të sigurisë u zhvilluan gjithashtu në Bregun Perëndimor. Sipas Gjysmëhënës së Kuqe, 171 palestinezë u plagosën në Bregun Perëndimor dhe 60 në Rripin e Gazës gjatë ditës së shtunë nga të shtëna zjarri ose rrahjet nga forcat e sigurisë ose të intoksikuar nga thithja e gazit lotsjellës.

Liga Arabe i ka kërkuar Uashingtonit të rishqyrtojë vendimin e saj ndërsa Fatah bëri thirrje për protesta. Nëse për Netanjahun, e mërkura ishte një “ditë historike”, Emmanuel Macron në anën e tij e përshkroi si “për të ardhur keq” vendimin e presidentit amerikan. Të premten, në mikrofon të France Inter, Jean-Yves Drian (Ministër i Punëve të Jashtme franceze) gjithashtu tha se kjo iniciativë ishte “në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare”. “Ne nuk e miratojmë atë dhe ne me të vërtetë shpresojmë se, pavarësisht gjithë kësaj, qetësia mbizotëron,” shtoi Ministri i Jashtëm. Por ai gjithashtu tha se Franca “nuk mund të vepronte vetëm” për të zgjidhur krizën. Manifestime pro-palestineze ka pasur edhe në Paris dhe Lyon.

 Për Ami Ayalon, ish shefi i Shin Beth, “Izraeli po përballet me një situatë shpërthyese pas vendimit të Trump”. Ish shefi i Shin Beth, shërbimi i inteligjencës izraelite, Ami Ayalon është një nga nxitësit e nismës së People’s Peace. Ai mendon se fjalimi i Trump ishte shumë pragmatik. « Ai u ndal në përcaktimin e kufijve të Jeruzalemit, duke thënë se ata do të vendoseshin pas negociatave dhe shtoi se ai pranon parimin e dy shteteve. Por realiteti është se Lindja e Mesme është një rajon shumë i veçantë. Ajo që duket pragmatike dhe racionale kudo në botë perceptohet shumë ndryshe këtu, veçanërisht në Jeruzalem, ku situata është shpërthyese. Për më tepër, tashmë po përjetojmë episode të dhunës »,shtoi ai.

Megjithëse njohja e Jeruzalemit, qyetit të artë sipas këngës së Ofra Haza, (Yerushalayin Shel Zahav-Jeruzalemi qytet ari), nga ana e Donald Trump si kryeqytet i Izraelit, është një vendim që ka ngjallur shumë debate, mund të konsiderohet si një vendim i drejtë për popullin hebre./Perqasje.com

Share: