Home KRYESORE Pse largohen aktorët nga “Portokallia”? Altin Basha tregon edhe arsyen e Ermal...

Pse largohen aktorët nga “Portokallia”? Altin Basha tregon edhe arsyen e Ermal Mamaqit

Regjisori Basha dhe spektakli që ai drejton që prej vitit 2003 ka nxjerrë shumë aktorë të rinj që janë dashur nga publiku dhe më pas janë larguar për të vijuar karrierat individuale

Nga ana tjetër ai ka shumë kritika për atë që po bëjnë ose që duhet në fakt të bëjnë institucionet kulturore në vend, shkruan Panoramaplus.

I ftuar në një forum në Uet, Basha u shpreh:

“Kam 4 vjet jam në një betejë të hapur publike me qeverinë për politikat kulturore. Mendoj që kurrë më keq, Shqipëria nuk është udhëhequr për politikat kulturore sesa tani, edhe pse ka fatin komuniteti i artistëve që të ketë një kryeministër një artist, por që për fat të keq kur të ikë nuk do të lërë asnjë gjurmë në zhvillimin e artit dhe kulturës shqiptare”, theksoi ai duke kritikuar ministrinë e Kulturës dhe Teatrin Kombëtar. Sipas tij këto institucione kanë mbetur si para vitit 1990.

I pyetur për rivalitetin që i bën spektaklit një ish-aktor i tij si Ermal Mamaqi, Basha ceku dhe debatet e kohëve të fundit për ikjen e aktorëve.

“Ermali u largua nga Portokallia për fustanet e nuseve, i pëlqeu më mirë biznesi, nuk pati asnjë problem. E ka maksimizuar veten në atë emision, emisionin e ka mirë, e ka interesant. Në Portokalli i është dukur sikur është në mes të buqetës, ndoshta më i eklipsuar. Por nuk ka probleme në këtë pikë, se ka shumë diskutime që unë kam përzënë shumë njerëz nga Portokallia, në fakt ikin njerëzit që nuk mbajnë presionin, kjo është gjithë ideja, dhe kur ulet performanca. Unë s’jam një person i interesuar që të heq aktorët e mirë nga emisioni se nuk kam asnjë interes. Unë kam interes t’i kem aty”- tha ai.

Po megjithëse drejton një prej spektalet më të ndjekura në vend a ka ndonjë peng Altin Basha për karrierën e tij, ndoshta si regjisor jashtë Portokallisë?

Në një farë mënyre ai thotë se ndihet i plotësuar me angazhimin si pedagog duke kërkuar dhe një lloj balance për pasionin e tij për teatrin me anë të punës në spektaklin e humorit ose siç ai e perifrazon ; “Portokallia është një lloj ure mes asaj që do doja të bëja në teatër dhe asaj që të “detyron” realiteti të bësh”.

/360grade.al/

Share: