Home KRYESORE Reagimet pas njohjes së Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit nga Donald Trump

Reagimet pas njohjes së Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit nga Donald Trump

Përgatitur nga Dr. Diana Skrapari

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu të mërkurën e cilësoi si një “ditë historike” për njohjen nga Presidenti amerikan, Donald Trump të Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit. Netanjahu po ashtu ka thënë se vendimi i Presidentit të SHBA-së nuk do të ndryshojë asgjë në lidhje me vendet e shenjta të tri feve të mëdha monoteiste në Jeruzalem, duke theksuar angazhimin e Izraelit për të ruajtur “status quo”.Z. Netanjahu po përpiqej të qetësonte shqetësimet, veçanërisht të myslimanëve, se Izraeli do të ushtronte kontroll mbi vendet e shenjta pas njoftimit të Trump.

Jeruzalemi është shtëpi për vendet e shenjta për hebrenjtë, të krishterët dhe myslimanët, vendi i tretë i shenjtë në Islam, xhamia Al Aqsa. “Kjo është një ditë historike”, tha Netanjahu. Jeruzalemi “është kryeqyteti i popullit hebre për 3,000 vjet, është kryeqyteti i Izraelit për gati 70 vjet”. “Populli hebre dhe shteti hebre do të jenë përgjithmonë mirënjohës”, tha ai në një video të transmetuar menjëherë pas deklaratës së Trump.

Ky vendim “është një hap i rëndësishëm drejt paqes”, shtoi kryeministri.Netanjahu i bëri thirrje vendeve të tjera të ndjekin shembullin e Shteteve të Bashkuara dhe të njohin Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit dhe të transferojnë atje ambasadat e tyre. Asnjë vend nuk ka një ambasadë në Izrael në Jeruzalem. “Unë ndaj angazhimin e Presidentit Trump për të punuar për paqen midis Izraelit dhe të gjithë fqinjëve të tij, duke përfshirë edhe palestinezët”, tha ai. “Dua gjithashtu që të jetë shumë e qartë: nuk do të ketë ndryshim të çfarëdo lloji në status quo në vendet e shenjta”, tha ai. “Izraeli gjithmonë do të zbatojë lirinë e adhurimit të hebrenjve, të krishterëve dhe myslimanëve”.

Reagimi i Presidentit iranian, Hassan Rohani ishte një nga më të fortët kundër planit të Donald Trump për të njohur Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit. Në një fjalim të mërkurën para zyrtarëve në Teheran, Presidenti iranian, Hassan Rohani tha se Irani do “nuk tolerojë shkelje të vendeve të shenjta myslimane” dhe u zotua për të marrë pjesë në një samit të jashtëzakonshëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik që do të mblidhet në Stamboll më 13 dhjetor nga Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan. “Bota islame do të kundërshtojë këtë komplot,” siguroi pak orë më parë Ayatollah Ali Khamenei, Lideri Suprem dhe kreu i vërtetë i shtetit iranian.

Këto deklarata nuk janë të habitshme nga një Republikë Islame që nuk e njeh Izraelin dhe që ka bërë që kauza palestineze të jetë një nga shtyllat e politikës së saj të jashtme për 38 vjet. Në emër të luftës kundër asaj që ai e quan “entiteti sionist” Irani ndihmon financiarisht dhe ushtarakisht Hamasin dhe xhihadin islamik në Rripin e Gazës. Sipas Nabil Shaath, ndihmës i lartë i presidentit palestinez Mahmoud Abbas, çdo njohje nga SHBA e Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit do të nënkuptonte fundin e ndërmjetësimit të SHBA për të rifilluar procesin e paqes,që ka ndalur nga dështimi i përpjekjes së fundit amerikane në 2014.

Ndërsa Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan të enjten denoncoi njohjen e Jerusalemit si kryeqytetin e Izraelit nga homologu i tij amerikan Donald Trump, duke thënë se vendimi  do ta zhysë rajonin “në një rreth zjarri.” Erdogan paralajmëroi të mërkurën se njohja e Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit nga Uashingtoni “do të bënte lojën e grupeve terroriste”.

Ai ftoi gjithashtu liderët e 57 vendeve anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik për një samit në Stamboll më 13 dhjetor të përqendruar në çështjen e Jeruzalemit. Turqia dhe Izraeli kanë normalizuar marrëdhëniet vitin e kaluar pas një krize diplomatike të shkaktuar në 2010 nga një sulm izraelit kundër një anije të një OJQ në Rripin e Gazës, e cila ka shkaktuar dhjetë të vdekur në mesin e aktivistëve turq. Të dy palët kanë intensifikuar bashkëpunimin, veçanërisht në fushën e energjisë, por Erdogan mbështetës i kauzës palestineze, vazhdon të kritikojë rregullisht politikën izraelite.

Megjithë reagimet e ndryshme që mund të ketë pasur rreth njohjes së Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit, po vihet në vend një e drejtë e popullit hebre që ka luftuar 2000 vjet për të krijuar shtetin  e tij, me Hatikvah (shpresën) e vetme që Jeruzalemi do të ishte dhe të njihej si  kryeqyteti i këtij shteti të krijuar para 70 vitesh. Njohja e Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit nuk  do të krijojë tensione, por vetëm stabilitet në Lindjen e Mesme pasi do të kemi një gjendje të re ku do të ketë respekt dhe vend për adhurimin e tre feve monoteiste që do të jetojnë në paqe në qytetin e shenjtë të Jeruzalemit./Perqasje.com

 

Share: