Home KRYESORE Vlera e njeriut…shpirti i tij! Nga Diana Skrapari

Vlera e njeriut…shpirti i tij! Nga Diana Skrapari

Në Perandorinë Osmane jetonte një burrë bashkë me të birin pasi gruaja i kishte vdekur. Ai shihte veprimet e të birit dhe i thoshte gjithmonë: “Biri im, vetëm burrë nuk do të bëhesh”. I biri mbaroi të gjitha studimet e asaj kohe dhe u bë Vali i një kasabaje. Një ditë, ai i thotë rojeve të tij të shkonin të thërrisnin të atin se donte ta takonte Valiu. Ata shkuan tek i ati i tij dhe i thanë se duhet të shkonte me ta pasi e kërkonte Valiu. Burri i gjorë nuk e  dinte se i biri ishte Valiu i kasabasë që e kërkonte dhe shkoi bashkë me rojet tek pallati i tij.

I biri kishte shtrirë këmbët dhe rrinte me tërë atë pompozitet. Kur i ati ju afrua, ai ju drejtua:

“Ja pra, baba i dashur, ku jam tani. Jam bërë Valiu i kasabasë, nje njeri shumë i rëndësishëm dhe ti më thoshe që kurrë nuk do të bëhesha burrë”

Dhe i ati i përgjigjet: “Po, biri im të thosha që nuk do të bëhesh burrë, por jo Vali. Ti je bërë Vali, por nuk je bërë burrë, pasi nuk ke aspak vlera njerëzore dhe nuk ja shpreh ato as babait tënd”.

Shumë njerëz arrijnë majat në jetë dhe mund të bëhen dikush shumë i rëndësishëm, por kanë harruar të jenë njeri dhe të kenë vlera njerëzore. Ata, gjatë rrugëtimit të tyre, për të arritur ambicjet e tyre kanë bërë kompromise me djallin duke ja shitur shpirtin atij. Madhështia e një njeriu është shpirti i tij, thjeshtësia e tij. Nëse ti je i plotë me veten tënde dhe i di vlerat që ke, nuk ke nevojë për tu treguar duke u thënë të tjerëve se je i rëndësishëm. Rëndësia jote tregohet me atë që ti ke në shpirt, në mirësinë dhe dashurinë që tregon ndaj të tjerëve. Fodullëku tregon atë boshllëk të brendshëm që mund të përkthehet vetëm me ndjenjën e inferioritetit që mund të kesh ndaj të tjerëve. Shpirti që ngushtohet si një lëkurë shagrini derisa zhduket plotësisht pas atij pakti me errësirën, mund të jetë fitorja e hidhur e fitimtarit që rri vetëm me trofeun e famës…

Pa shpirt, në labirinthin e vetmisë…

Share: