Home KRYESORE Feja e shqiptarit nuk është anti-semitizmi dhe islamofobia (përgjigje për Ilir Demalinë)

Feja e shqiptarit nuk është anti-semitizmi dhe islamofobia (përgjigje për Ilir Demalinë)

0

Nga Olsi Jazexhi

Ilir Demalia, një personazh që nuk e njoh se kush është e çfarë bën më ka përmendur emrin në një shkrim që është botuar në 360grade.al. Demalija (mbiemri i të cilit vjen nga bashkimi i dy emrave turq: Adem dhe Ali) më sulmon mua dhe Kastriot Myftarajn duke thënë:

”Nga të gjithë të ftuarit në emision, arrita në përfundimin, se sëpaku, ata të ftuar aty, sidomos dyshja Jazenxhiu-Myftari, jo që nuk kanë as fe e as atdhe, as kulturën më elementare të komunikimit, por të dy në extremet e tyre të qëlimëshme, dëmtojnë rëndë, ose më saktë, nxisin një konflikt fetar që po shpërtheu do të jetë me pasoja të rënda deri në zhbërje të nocionit shqiptar.”

” Jazenxhiu në një moment nga fundi emisionit tha: Fishta ka qenë pro Hitlerit dhe anti-semit. Nuk po zgjatem të diskutoj këtu figurën më të madhe kombëtare At Fishtën, se ata që nuk e kanë mësuar dhe nuk e kanë pranuar si të tillë deri më sot nuk mund ta mësojnë më. Jazenxhiu, nuk ka si ta kuptoj e ta di Fishtën. Fakti që thotë se ka qenë pro-Hitlerit dhe antisemit, tregon së çnjohje ka për të. I pari që po “zbulon këtë fakt “ është Jazenxiu, I cili tregon se ky njeri, jo vëtëm që nuk e ka lexuar Fishtën, por edhe nuk mund ta lexoj. Fishta, na dhuroj alfabetin latin dhe jo harfet turke apo ciriliket. Fishta, nuk ka pasur si ti shërbej nazizmit se ka qenë në varr që në dhjetor të 1940, ndersa nazizmi erdhi në Shqipëri në shtator 1943. Ty dhe takëmin tënd Fishta I përmbledh ne dy reshta!”

Përgjigja ime për Demalinë është që edhe pse ju keni zgjedhur të komunikoni në mënyrë vulgare dhe me akuza, duke bërë një mish mash me sharje e sulme sa kundër Turqisë, Serbisë, Greqisë, shqiptarëve, muslimanëve dhe ortodoksëve shqiptarë etj, unë po të përgjigjem për Fishtën edhe më shumë sesa ke dëgjuar në emisionin e Zhejit. Përgjigjen po ta nis me një citat nga shkrimi i Ismail Kadaresë “Realizmi socialist, arti i madh i revolucionit” i botuar në gazetën “Zeri i Popullit”, 13 janar 1974, f. 3:

”Cili ka qënë konservatori më i madh i letrave shqipe dhe jo vetëm i letrave, por i gjithë kulturës sonë? Përgjigja është e qartë për të gjithë: ky konservator ka qënë Gjergj Fishta. Fanatik i tërbuar, idealizues i çdo gjëje patriarkale, apologjet i fesë, i institucioneve mesjetare, hymnizues i primitivizmit, armik i egër i çdo përparimi – ky është portreti i këtij letrari prift. Mirëpo, nga ana tjetër po të bëjmë pyetje se cili ka qënë liberali më i madh i letërsisë sonë, përgjigja është po ajo: përsëri Gjergj Fishta. Filoitalian i papërmbajtshëm, agjent i Vatikanit, emisar i pushtimit fashist, partizan i çkombëtarizimit dhe i romanizimit të kulturës sonë. Pra, nga një anë kryekonservator fanatik, nga ana tjetër kryeliberal. Shovinist i tërbuar dhe njëkohësisht kozmopolit i tërbuar. Kur ishte fjala për idetë e reja shoqërore, përparimin, për revolucionin, ai ishte konservatori më fanatik. Kur ishte fjala për fatet e atdheut, për lirinë, për kufijtë ai ishte liberali më i madh.“

Pasi të citova Kadarenë, duhe të të sugjeroj që shqiptaria juaj e imagjinuar nuk duhet mpleksur me islamofobinë, anti-semitizmin, turkofobinë dhe grekofobinë. Në të njëjtën kohë të kërkoj që të mos më ofendosh si turkoman pasi mbiemri yt Demali tregon origjinën tënde kulturalisht osmane.

Ndërsa unë e kuptoj nga përgjigja juaj që ju nuk jeni studiues apo dikush që ka lexuar arkiva dhe shkrimet e Fishtës ndër vite, duhet të theksoj për ata që na lexojnë që Gjergj Fishta ashtu sikur edhe Ernest Koliqi që u përmend në emisionin “A është akoma sot feja e shqiptarit: shqiptaria?” nuk janë persona me të cilët në duhet të mburremi dhe as “figura më e madhe kombëtare”. Gjergj Fishta, Ernest Koliqi, Anton Harapi, por edhe krerë të Komunitetit Musliman të Shqipërisë sikur Behxhet Shapati, At Ali Turabiu, Hafiz Ali Korça etj kanë patur ide që në ditët tona janë të dënueshme. Të ndikuar nga idetë e nazizmit dhe fashizmit, arianizmit dhe eugjenizmit të kohës ata kanë qenë racistë por edhe anti-semitë. Këto ide, në SHBA ku ju jetoni dënohen me ligj.

Gjergj Fishta i cili, nëpërmjet lobizimit të klerit katolik, u mësohet si hero fëmijëve tanë nëpër shkolla sot ka qenë sikur edhe Kadareja tregon më lartë një fashist, kuisling i pushtuesëve austro-hungarez, servil-otomanist që i bënte lavde sulltanëve osmanë në kohën e Turqisë, sikur ka qenë edhe një prej shumë horrave të nacionalizmit. Por nacionalizmi i Fishtës ka qenë më shumë një mercenarizëm në shërbim të pushtuesëve austro-hungarezë dhe më pas italianë. Nëse do kesh durim për të mësuar më shumë unë do të sugjeroja të lexoje fondin e Fishtës në Arkivin e Shtetit në Shqipëri dhe mënyrën raciste sesi Fishta i quante shqiptarët muslimanë, duke përfshirë edhe gjyshërit e tu – si turq. Të sugjeroj të lexosh vetëm komunikimet e Fishtës me Eshref Frashërin, kryetarin e Këshillit Kombëtar të Shqipërisë, apo komunikimet e Fishtës me priftërij të tjerë të kohës së tij dhe do kuptosh urrejtjen proverbiale që Fishta kishte kundër shqiptarëve muslimanë, të cilët i quante turq.

Ndërsa që të kuptosh anti-semitizmin, fashizmin, propagandën kundër demokracisë dhe mbrojtjen e turpshme që Fishta i bënte Holokaustit të Hitlerit kundër hebrejve të sugjeroj të lexosh Revistën Hylli i Dritës dhe shkrimet e shumta të Fishtës dhe shokëve të tij aty. Që të kuptosh vogëlsinë e “figurës më të madhe kombëtare At Fishta” unë të sugjeroj të lexosh shkrimin “Drejtësia Ndërkombëtare” botuar nga Fishta në revistën Hylli i Dritës 1939/8-10. Heroi i alfabetit tënd (dhe jo harfeve turke me të cilat stërgjyshi yt ka shkuar) mbronte Kristallnachtin në Gjermaninë Naziste dhe akuzonte hebrejtë dhe masonët si e keqja më e madhe e botës. Ata akuzohen si mbjellës të komunizmit, luftues të mbretërive evropiane dhe katoliçizmit, dhe masakrues të evropianëve të krishterë. I bazuar mbi këto akuza Fishta mbronte Kristallnachtin nazist ndërsa sulmonte amerikanët dhe aleatët e tyre në luftën kundër nazizmit.

Tani si qytetar amerikan që je, banor i një vendi demokratik ku njerëzit nuk diskriminohen në bazë të fesë dhe origjinës së tyre unë të sugjeroj që të lexosh shkrimet e vërteta të Fishtës, dhe jo vetëm ato që propaganda nacional-katolike i servir personave sikur ti. Pasi ta lexosh Fishtën mire, më pas të ftoj që të bësh dy zgjedhje. Ose të qëndrosh me Fishtën dhe idetë e tija diktatoriale, raciste, anti-muslimane dhe anti-semite, ose të ridrejtosh veten tënde dhe të sillesh si një patriot i vërtetë amerikan dhe të pranosh vlerat moderne të demokracisë liberale.

Ky diskutim që unë bëj me ty këtu, është vijimësi i asaj që diskutuam në studio me Kastriotin dhe shokë në lidhje me incidentin e Mirditës. Unë mendoj që shqiptarët si ti, apo edhe ata që thyen ligjin dhe sulmuan simbolin turk të Mirditës, duhet të ripërtërijnë mendimet dhe vlerat e tyre dhe vijnë në shekullin e 21. Ne sot jetojmë në një botë të lire, dhe në një demokraci-liberale ku njerëzit nuk mund të diskriminohen në bazë të fesë, origjinës dhe bindjeve të tyre. Ashtu sikur unë dënoj dhunën ekstremiste fetare të mirditorëve që sulmuan hidrocentralin dhe flamurin turk – vetëm pse ai ishte turk – në të njëtën mënyrë unë dënoj edhe idetë anti-semitike dhe islamofobike të Gjergj Fishtës që të kanë prekur ty.

Unë e kuptoj që ty nuk do të të vijë mirë kur të lexosh këto rreshta, por unë shqiptarinë time moderne e imagjinoj si një shqiptari pa urrejtje fetare dhe etnike. Pa supremaci të bardhësh apo katolikësh mbi njerëzit e feve dhe origjinave të tjera. Shqiptaria ime është një shqiptari shekullare pa Gjergj Fishta, Nënë Tereza, Skënderbej e Atletë të Papës dhe Vatikanit. Shqiptaria ime është sikur amerikanizmi shekullar, një shqiptari e cila pranon diversitetin fetar, etnik dhe politik që një demokraci liberale garanton. A do pranosh edhe ti idetë e mia, apo do të jesh me fashistin Gjergj Fishta dhe idetë që kleri fashist katolik përkrahu në Shqipërinë e shekullit të XX?

PS: Nuk eshte thene qe opinioni i autorit perkon me opinionin e Perqasje.com

Share: