Home KRYESORE Italiani vdiq në spitalin e Vlorës, bashkëshortja akuzon mjekët

Italiani vdiq në spitalin e Vlorës, bashkëshortja akuzon mjekët

Një 45-vjeçare nga Vlora ka denoncuar në Polici mjekët e spitalit rajonal, pas vdekjes së bashkëshortit të saj italian.

Ajo i ka akuzuar bluzat e bardha për mjekim të pakujdesshëm të 66- vjeçarit Vitorio Canali, i cili është shtetas italian. Ngjarja është regjistruar më datë 18 janar, ditën e premte, në spitalin e Vlorës, ku pasi ka ndërruar jetë Vitorio Canali, ka qenë shtetasja Ermelinda Refati, ajo që ka bërë kallëzim pranë strukturave të Policisë së Vlorës. Ajo ka pretenduar se bashkëshorti i saj 66-vjeçar ka ndërruar jetë në repartin e reanimacionit në spitalin e Vlorës si pasojë e mjekimit të pakujdesshëm nga stafi mjekësor aty. Sipas informacioneve, 66 vjeçari është shtruar gjatë datës 18 janar në spitalin e Vlorës, me probleme shëndetësore, ndërsa dyshohet se kanë qenë shqetësimet nga zemra, ato që kanë sjellë përkeqësimin e shëndetit të tij, shkruan “Panorama”.

Por disa orë pasi është shtruar në spital, 66-vjeçari ka ndërruar jetë, ndërsa bashkëshortja e tij ka akuzuar mjekët dhe stafin e repartit të reanimacionit, që kanë shkaktuar vdekjen e tij si pasojë e mjekimit të pakujdesshëm. Referuar akuzave të ngritura, specialistët e seksionit të hetimit të krimeve në Policinë e Vlorës kanë sekuestruar edhe kartelën e 66-vjeçarit, ndërsa trupi i tij është dërguar drejt Institutit të Mjekësisë Ligjore në Tiranë për përcaktimin e shkakut të vdekjes. Ndërkohë, nga spitali rajonal i qytetit të Vlorës nuk ka pasur asnjë reagim. Mjekët theksuan se do të presin përgjigjen e Mjekësisë Ligjore dhe hetimeve të nisura për ngjarjen në fjalë, duke mos pranuar të japin komente të tjera rreth kësaj ngjarje.

Sipas të dhënave, çifti ishte në një bashkëjetesë dhe jetonin herë në Vlorë dhe herë në Itali. Së fundmi, ata kishin ardhur në Vlorë ku kishin edhe një banesë të tyre. Papritur, të premten, 66-vjeçari ka shfaqur shqetësime shëndetësore dhe 45-vjeçarja e ka dërguar atë menjëherë në spitalin e Vlorës. Por pak momente pas mbërritjes, ai ka ndërruar jetë, çka ka shkaktuar edhe reagimin e gruas, e cila i është drejtuar Policisë dhe ka kallëzuar stafin mjekësor./Panorama

Share: