Home KRYESORE Manza “kryeqyteti” i 3 mijë muxhahedinëve iranianë

Manza “kryeqyteti” i 3 mijë muxhahedinëve iranianë

0

Që prej vitit 1986 në kufirin mes Irakut dhe Iranit ishte ndërtuar kampi Ashraf ku strehoheshin disidentët e regjimit të Iranit. Vendosja e tyre në Shqipëri filloi në mars të vitit 2013, kur qeveria Berisha pranoi të strehonte 210 muxhahedinët e parë , të cilët mbërritën në Tiranë në maj 2013.

Të gjithë banorët e kampit Ashraf erdhën në Shqipëri pas një marrëveshje të kryeministrit Rama me ish sekretarin e shtetit Xhon Kerri në vitin 2016. Organizata e Muxhahedinëve Popullorë të Iranit (MEK) është një lëvizje që vepron në emigrim për rrëzimin e regjimit aktual në Iran.

3.000 muxhahidinët iranianë që erdhën në Shqipëri, deri më tani kanë jetuar në banesa të marra me qera do të strehohen në zonën e Manzës disa kilometra larg qytetit të Durrësit. Report TV ka mësuar se në një sipërfaqe toke prej disa hektarësh e cila është blerë nga muxhahidinët Iranian, po ndërtohet kampi ku ka nisur të strehohen familjet e para.

Mësohet se paratë për blerjen e tokës dhe ndërtimin e banesave të reja në formën e një kampi janë financuar nga komuniteti disidentëve Iranian që jetojnë në kryesisht në Europë. Banesat e reja të disidentëve Iranianë rrethohen nga një perimetër sigurie për të evituar çdo rrezik të mundshëm. Mbrojtja e disidentëve iranianë të ardhur në Shqipëri garantohet nga agjentët e Shërbimit Informativ.

“E gjithë zona është nën survejimin tonë për të pasur një siguri maksimale të këtyre shtetasve” u shpreh një burim nga SHISH për Report TV. I njëjti burim u shpreh se në pikat kufitare të Shqipërisë i kushtohet një vëmendje e posaçme shtetasve Iranian për tu siguruar që asnjëri prej tyre nuk është agjent i shërbimit sekret iranian që mund të ndërmarrë ndonjë sulm ndaj muxhahidinëve që strehohen në Shqipëri.

Nga ajo që duket në afërsi të banesave të reja të iranianëve në Manzë është se kampi ruhet me roje private. Në brendësi të tij qëndrojnë disa makina që dalin dhe hynë brenda në kamp. Përfaqësues të muxhahedinëve në Shqipëri refuzuan të komentojnë për Report TV se përse ishte zgjedhur zona e Manzës për të ndërtuar kampin e ri.

Ata sqaruan se nuk duan të japim shumë detaje për banesat e tyre të reja pasi regjimi Iranit përmes disa media të sponsorizuara në Shqipëri do të bëjë propagandë kundra tyre. Gjithsesi, Manza që njihet si qyteza e minatorëve të qymyr gurit në vitet e komunizmit, tashmë do të njihet edhe si vend strehimi më i ri i 3000 kundërshtarëve të regjimit Iranian të cilët vlerësojnë mikpritjen e banorëve lokalë.

“Ne do të qëndrojmë në Manzë deri në momentin kur në Iran të marrë fund regjimi diktatorial. Ëndrra jonë është të kthehemi pranë familjeve tona në një Iran të lirë” u shpreh jashtë kamerës për Report TV njëri prej tyre./360grade.al

Share:
Reklama juaj