Home KRYESORE I nderuar koleg Kraja, Ministria e Kulturës nuk është një portal privat!

I nderuar koleg Kraja, Ministria e Kulturës nuk është një portal privat!

0

Nga Ina Kosturi

Si lexuese dhe e interesuar për shtypin kulturor pjesë e të cilit kam qënë intensivisht nga viti 2003 me opinione, kritika e intervista, e më tepër kur diskutohet për muzikën u ndala në intervistën që Nestor Kraja, pedagog , koleg në Fakultetin e Muzikës dhe së fundmi botues i Portalit Opus.alb ka dhënë në gazetën “Sot” , 17 janar 2018

Intervista diskuton për projektet që mbështeten nga Ministria e Kulturës në fushën e muzikës, për transparencën që kërkohet, për çështjet e artit e muzikës. Teksa lexoja intervistën në mëndje më erdhi transparenca, selektimi dhe” dashamirësia “që portali Opus.alb që kolegu drejton shfaq ndaj kolegëve , muzikantëve e studentëve. E krahasoj me Ministrinë e Kulturës dhe të paktën këtë të fundit e gjej të saktë përsa i përket dorëzimit të dokumentave, kërkesave, datave dhe një sërë rregullsish të tjera, pavarësisht numrit të shumtë të aplikuesve, që do doja shumë ti kish patur dhe portali, ndonëse portali është privat dhe nuk ndan fonde. Portali shpërndan copëza reklame që shndërrohen në lavdi për artistët, e më pas pse jo dhe në fonde nga të tjerë në bazë të reklamës.

Ky është mekanizmi që funksionon tek projektet artistike, për të lavdishmit ka dhe fonde. Mos duhet transparencën i nderuar koleg ta kërkojmë së pari nga vetja, duke u qëndruar larg modeleve gjysmëshekullore të lajmit alla “ Radiostacion “ , mos duhet respektuar së pari puna e kolegëve dhe e të gjithëve njësoj duke filluar me parimin bazë të gazetarisë, dhënien e lajmit ? E lajmi ynë janë afishet e koncerteve që selektohen shëmtuar në Opus alb , që përfshijnë selektim deri tek sukseset e studentëve. E publikimi i tyre nuk kushtojnë asgjë, e bëjnë gazetaret e kulturës çdo ditë në respekt të punës së çdo artisti. Para së ti kërkojmë Ministrisë të jetë transparente me projektet, a nuk është komuniteti i muzikantëve, komuniteti i vështirë , halli më i madh i të cilit ka qënë dhe mbetet krijimi i raporteve miqësore, raporte të fqinjësisë së mirë midis kolegëve në nderim të punës së gjithsecilit ?

I intervistuari ankohet se muzikantët nuk flasin, nuk shprehen , po nuk thotë se mendimi ndryshe nuk botohet në Opus.alb as si replikë. Kjo është një derë fare e vogël në krahasim me dhjetra portale, gazeta që komunikojnë në mbarë botën në shqip dhe në gjuhë të huaja, po ky është një portal vendi, është më pranë , gjendet midids nesh. Do më dukej normale sikur intervista të niste me një apel për përkrahjen e kompozitorëve shqiptarë dhe krijmtarisë së tyre, gjë të cilën e kam bërë disa herë në shkrime të ndryshme pa pasur asnjë interes , pa qënë kompozitore. Më çudit fakti se intervista këtë herë nis me një term tjetër, me një hall që nuk ka lidhje as me Ministrinë , as me festivalet.

Më çudit fakti se shqetësimi më madh na qenkan ansamblet muzikore që marrin pjesë në festivale, madje kërkohet nga ministria dhe një strategji për ansamblet ! Nuk besoj të jetë kryer ndonjë sondazh, ndonjë studim për të studiuar ansamblet, se akoma nuk kemi studime për muzikën shqiptare ! Nuk besioj që studimi të përfshijë moshën, kuotat e barazisë gjinore, cilët janë më rezistentë në kushtet atmosferike të ftohtësisë dimërore dhe ngrohjes në stinën e nxehtë të verës, faktin se një videoklip do kishte më shumë impakt me të rinj trendy , a do ishte mjekra e përshtatshme për ta bërë atraktiv ansamblin , apo sa kohë duhet të rinjtë të qëndrojnë bashkë në ansamble për të ndihmuar artin !

Përtej qesharakes, tendenciozes, cili je ti që komandon projektet tona në festivale dhe aktivitete kur Ministria na jep shanse të zgjedhim aktivitetin , solistët, ansamblin , projektin ashtu si gjithsecili e mendon e sidomos në festivale , ku të gjithë e dimë se mbajtja dhe funksionimi i shoqatave është i lodhshëm , i mundimshëm në muzikën klasike. C kuptim ka termi ansambël me përvojë , ansambël i ri, si ka mundësi të jesh në dijeni të formacioneve kur projektet sapo janë dorëzuar dhe nuk ka rëndësi as mosha , as flokët, as 30 % i kuotës së kuvendit për barazisë gjinore ?

Diskutohet për shkollën e Artit , për kuotat e studentëve. Sigurisht që në një sisitem kapitalist nuk mund të bëhen krahasime, arti ofron pak mundësi , jashtë Shqipërisë ka hapësirë për shkollim dhe rrudhja e kuotave është normale. A mund të ketë një politikë që të favorizojë një klimë të mirë tek ne ? Sërish e gjithë kjo fillon nga vetja , para se të bejmë të tjerë fajtorë, a duhet menduar se ndryshe nga gjithë portalet muzikorë të muzikës klasike që lexon dhe kontaktoj vazhdimisht , ky që drejton është unik dhe i vetmi që e quan ambientin shqiptar , kolegët, “balturinë” , jo një herë po disa herë.

I vetmi që sharjen e ka kthyer në metodë, lavdërimin në qokë. Nuk është kjo mënyrë e të shkruarit një ndikim direkt në rënie të interesit tek studentët , nuk janë shkrimet që denigrojnë figura kolëgësh , kompozitorë e muzikantë faktorë që çojnë në një klimë të shëmtuar e humbje të interesit për shkolën, nuk janë shkrimet për koncertet e studentëve disa herë tendencioze në analiza të qëllimshme , kur të tilla nuk u bëhet profesionistëve kur çirren e stonojnë po e gjitha mbahet në heshtje ? Nuk është sulmi që u behet produkteve shqiptare shpesh krahasuar me jashtë tendencionz në dëm të përparimit ? Nuk është mospërmendja e selektimi që i bëhet pjësëmarrjes së studentëve në aktivitete të rëndësishme jashtë, vetëm se janë studentë të x apo y pedagogu , armiq të portalit?

E teksa diskutohet për muzikën klasike krahasuar me atë të lehtë vetë portal është ai që e përkrah dhe i jep vendin më të madh kësaj muzike në postimet, nga flokët e këngëtarëve në Kaliforni tek ditëlindjet e miqve anembanë botës ?! Mos duhet transparenca të fillojë me atë shtyp për selektimin që i bën lajmeve dhe publicitetin që i jep gjërave pa vlerë ?

Teksa lexoj për operën dhe studimin e vendosjes së tyre në skenën shqiptare, memorja më thotë se ka mjaft mangësi në data dhe tituj, se dhe dikush që ka punuar në opera mund ta pasurojë atë listë të veprave të huaja dhe shqiptare të vëna në skenë nga 1960. Mjafton të hapësh RTSH dhe të shikosh një nga operat e vëna në skenë në vitet e fundit. Janë krijuar dhe shfaqur opera shqiptare në skenë dhe pas viteve 2000. Nëse i selekton para se tu përmendësh emrin, se mendon se nuk duheshin vënë në skenë, ky është një problem tjetër i madh që ka të bëjë sërish me shkeljen e rregullave bazë të gazetarisë !

Para se të kërkosh nga Ministria e Kulturës transparencë do doja ta nisje nga vetja , së pari çlirimin nga interest e të tjerëve dhe qënia vetëvetja , përtej vënies për interesat e njërit apo tjetrit, duke marrë pozicione qesharake . Po të përshëndes me një parrullë të kohës së dikurshme nga buron gjithë ky mentalitet “ Poshtë lufta kundër ansambleve muzikore, rroftë mendimi i lirë”.

E rëndësishme është mbajtja larg e këtyre mendimeve nga ata që merren me projektet në Ministrinë e Kulturës , përkrahja e artistëve , solistë, individë, orkestra e gjithë formacionet në të mirë të përparimit të artit dhe pasurimit të skenës shqiptare, ruajtjes së trashëgimisë kulturore në muzikë.

Share:
Reklama juaj