Home KRYESORE Përparimi i Kinës në Ballkan, a duhet të shqetësojë BE-në?

Përparimi i Kinës në Ballkan, a duhet të shqetësojë BE-në?

Nga Vesko Garceviç

Ndërsa Europa përqendrohet te kërcënimi rus në rajonin e Europës Lindore, ajo ka shpërfillur rreziqet që i vijnë nga rritja e ndikimit të Kinës në rajon.

Rajoni nuk i di ende rreziqet që i kanosen kur merresh me Kinën. Prandaj, pyetja nuk është nëse duhet apo jo të bëjmë biznes me Kinën; çështja është si të mund të negociojmë një marrëveshje të drejtë.

Kur zyrtarët e BE-së, përfshirë shefen e politikës së jashtme Federica Mogherini, i referohen Ballkanit si një “fushë shahu të re ku mund të luhet loja e fuqive të mëdha”, ata duken se kanë parasysh Rusinë, jo Kinën.

Por, pavarësisht nëse duan apo jo ta pranojnë, Kina po bëhet një lojtare e fuqishëm në lojën strategjike të shahut në Ballkan.

Politika e Pekinit “Një Rrip, Një Rrugë” po prek tashmë Ballkanin dhe prania e saj është e dallueshme thuajse në çdo cep të rajonit.

Angazhimi ekonomik i Pekinit në këtë pjesë të Europës po rritet, ashtu si dhe ndikimi i tij, duke nxitur shqetësim se BE-ja mund të lihet në errësirë me kalimin e kohës nga fuqia e shpejtë në rritje e Kinës – siç ka ndodhur në Afrikë.

Kohët e fundit Pekini rikonfirmoi angazhimin ndaj Europës Qendrore dhe Lindore, kur dërgoi kryeministrin Li Keqiang në Samitin e Gjashtë të Liderëve të Kinës dhe të Europës Qendrore dhe Lindore në Budapest në nëntor.

Njëmbëdhjetë nga 16 vendet pjesëmarrëse në të ashtuquajturën korniza  16 + 1 janë anëtarë të BE, ndërsa pesë janë vende aspirante për në BE. Krijuar në prill të vitit 2012, korniza përbën një platformë që bën bashkë çdo vit krerët e shteteve për të forcuar bashkëpunimin midis Kinës dhe rajonit të Europës Qendrore dhe Lindore.

Mbajtja e një takimi me Kinën është bërë prestigj dhe disa anëtarë të BE-së në grup e konsiderojnë takimin po aq të rëndësishëm sa organizimi i një samiti të BE-së.

Nuk është çudi që Bullgaria, e cila drejton aktualisht BE-në, me padurim argumentoi se Sofja do të organizonte takimin e ardhshëm.

Hungaria fitoi të drejtën për të organizuar takimin vitin e kaluar kur kryeministri Viktor Orban vizitoi Kinën dhe u takua me kryeministrin Keqiang, i cili thuhet se miratoi idenë.

Për vendet në Ballkan, Kina është një rast i ideal për një martesë të suksesshme interesash. Të gjitha vendet e Ballkanit kanë nevojë për para – dhe Kina duket e gatshme të investojë në rajonin e tyre.

Për më tepër, ndryshe nga BE-ja, kinezët nuk bëjnë pyetje të vështira, nuk predikojnë apo nxisin për privatizimin dhe ristrukturim të ndërmarrjeve shtetërore joefikase.

Blerjet e aseteve industriale nga Kina shihet nga politikanët vendas si investim i sigurt që do të krijojnë vende pune – me rëndësi kyçe për vendet që luftojnë me papunësinë.

Në disa raste, BE-ja nuk mund të konkurrojë me Kinën për shkak të rregullave të saj të rënda dhe të ndërlikuara që i bashkëngjiten financimit të BE-së.

Ballkani është “dritare mundësish” për Kinën:

Nga ana tjetër, me një popullsi prej mbi 120 milionë, Europa Qendrore-Lindore (EQL) dhe Ballkani është një dritare e mundësive për produktet kineze dhe Investimet e Huaja Direkte, IHD.

Në pamje të parë, vendet e Ballkanit /EQL dhe Kina janë në fazën e muajit të mjaltit të marrëdhënieve të tyre.

Nga viti 2010 deri në vitin 2015 tregtia reciproke u rrit me 20 për qind, duke arritur në 56.2 miliardë dollarë amerikanë.

Në nëntor 2016, gjatë samitit 16 + 1 në Riga të Letonisë, Kina nisi një fond investimi prej 10 miliardë euro për të financuar projekte në rajonin e EQL.

Pjesa më e madhe e investimeve është përqendruar në infrastrukturën rrugore, në sektorin e energjisë dhe te industritë e rënda.

Kompanitë kineze kanë investuar në fabrikën e çelikut në Smederevo të Serbisë dhe po ndërtojnë centrale të shumta kryesisht me qymyrgur, veçanërisht në Serbi, Bosnje dhe Hercegovinë dhe Bullgari.

Shumica e investimeve kineze në Bosnje shkojnë vetëm në njësinë e dominuar nga serbët, Republika Srpska.

Serbia ka një vend të veçantë në strategjinë e Kinës për Ballkanin. Ajo tashmë ka tërhequr mbi 1 miliard dollarë amerikanë investime në formën e kredive të buta për të financuar projektet e ndërtimit të rrugëve dhe të energjisë.

Investime të tjera të rëndësishme në rajon përfshijnë një kredi prej 580 milionë euro të dhënë Maqedonisë nga Exim Bank e Kinës për një autostradë në 2013 dhe një projekt prej 3.2 miliardë dollarësh të drejtuar nga China Pacific Construction Group, CPCG, , ndërtuesi më i madh privat në vend, për të ndërtuar një autostradë mes Malit të Zi dhe Shqipërisë, e cila do të jetë pjesë e autostradës Adriatiko-Joniane.

Njëkohësisht, Mali i Zi mori një kredi prej më shumë se një miliardë dollarë nga Exim Bank për një autostradë që kalon nga bregu drejt kufirit me Serbinë dhe për të rinovuar flotën e transportit.

Ndryshe nga Rusia, Pekini përfiton nga stabiliteti:

Ndryshe nga Rusia, e cila duket se përfiton nga destabilizimi në rajon, Kina mbështet dhe përfiton ekonomikisht nga stabiliteti i rajonit.

Gjithashtu ndryshe nga Rusia, Kina nuk mbështetet në propagandën për të eksportuar ideologjinë e saj ose të përpiqet të minojë aspiratat e shteteve në rajon për t’u bashkuar me NATO-n ose BE.

Pekini nuk shet një model alternativ ideologjik apo politik për Ballkanin. I nxitur nga interesa më ekonomike dhe politike, Kina do të përfitojë nga integrimi i rajonit në BE.

Njëkohësisht, fuqia “e butë” në rritje pengon modelin e BE-së për Ballkanin.

Kjo është arsyeja pse Kina është një aktor disi më i vështirë për t’u përballur, sesa Rusia.

Vetë rajoni duket i pavetëdijshëm për rreziqet e mundshme të biznesit me Kinën. Prandaj, pyetja nuk është nëse duhet apo jo të bëjmë biznes me Kinën; çështja është si të mund të negociojmë një marrëveshje të drejtë.

Ndryshe nga BE-ja, që ofron një proces të gjatë, kërkues dhe nganjëherë politikisht dëmtues reformash demokratike – që do të çojnë në fund në krijimin e sistemeve demokratike ekonomikisht të qëndrueshme dhe politikisht të përgjegjshme – Kina nuk është e interesuar për demokracinë.

Duke u fshehur pas “mosndërhyrjes në punët e brendshme”, jo vetëm në Ballkan, Pekini paraqitet si një alternativë e lehtë ndaj kërkesave perëndimore për reforma të dhimbshme demokratike.

Ai i jep përparësi marrëveshjeve të drejtuara nga shteti, nga lart-poshtë, lider me lider që nuk llogarisin nëse projektet janë të orientuara nga tregu, janë transparente dhe miqësore me mjedisin.

Stabiliteti në sytë e kinezëve gjithashtu do të thotë mbajtje në pushtet e elitave të tanishme politike për sa kohë ata mund të sigurojnë projekte të reja ekonomike të miratuara nga shteti. Çdo ndryshim i lidershipit, demokratik apo jo, sjell një shkallë rreziku që Kina nuk do të preferonte të shihte.

‘Bujaria’ e Kinës vjen me një kosto:

Duke pasur parasysh deficitin demokratik në Ballkan, shtetet në rajon e kanë vënë veten në një pozitë të varësisë pasive ndaj Kinës.

Pekini krijon financimin e projekteve dhe dërgon punëtorët e vet, duke minimizuar pjesëmarrjen e kompanive vendase.

Kreditë kineze, të dhëna me kushte të buta dhe të lehta, kanë çuar gjithashtu në rritje të barrës së borxhit të rajonit.

Serbia tashmë ka 2.12 miliardë dollarë borxh dhe Bosnja 1.78 miliardë dollarë borxh nga bankat kineze. Për Malin e Zi, kostoja e kredive kineze tashmë e ka detyruar qeverinë të zvogëlojë disa nga projektet e veta të mirëqenies sociale.

Një çështje tjetër është shkalla sipas të cilës Kina i përmbahet rregullave dhe standardeve europiane kur kryen investimet e saj.

Hekurudha e shumëpërfolur e shpejtësisë së lartë [që kushtoi 3.8 miliardë dollarë] midis Beogradit dhe Budapestit pothuajse ka arritur një rrugë qorre; BE po heton shkeljet e mundshme të kërkesave europiane për tenderët publikë.

Serbia ka filluar punën në anën e saj, duke huazuar gati 300 milionë dollarë nga Kina për këtë.

Por dilema është se ku do të përfundojë kjo hekurudhë me shpejtësi të lartë nëse BE-ja e ndalon realizimin e saj nga ana hungareze.

Është e qartë pse BE po nervozohet dhe ka arsye për këtë, kur është fjala për ndërhyrje kineze në oborrin e saj.

Përvoja e rajoneve të tjera ku Kina e ka treguar veten si një lojtar të fuqishëm, sugjeron që pas bujarisë dhe vullnetit të mirë të Kinës, qëndron një interes i qartë për të projektuar ndikimin ekonomik kinez dhe interesat politikë.

Qasja e tanishme e Kinës është pjesë e një strategjie më të gjerë dhe të menduar mirë për të shfrytëzuar fuqinë e saj në vendet e EQL/Ballkanit për të ndikuar brenda BE-së.

Në këto rrethana, BE-ja duhet të përditësojë modelin e saj dhe të rikonfirmojë perspektivën e anëtarësimit në BE për Ballkanin Perëndimor.

Rritja e pakënaqësisë me modelin e demokracisë liberale dhe lodhja nga reformat në Ballkan, si dhe procedurat e komplikuara dhe burokratike nga ana e BE, kanë lehtësuar përparimet kineze.

BE-ja nuk mund të vërë në rrezik axhendën e saj të reformave. Megjithatë, duhen më shumë iniciativa, siç është Procesi i Berlinit, bashkë me vazhdimin e transformimit demokratik.

Që Kina të mos ketë sukses, BE-ja duhet t’i ndihmojë vendet e Ballkanit për ndërtimin e institucioneve të forta dhe të përgjegjshme dhe të ofrojë mundësi të reja dhe të prekshme për investime.

Share: