Home KRYESORE Problemet që më shtynë të nisja heroinën dhe tentativa për t’i dhënë...

Problemet që më shtynë të nisja heroinën dhe tentativa për t’i dhënë fund jetës

0

Pjetri: Dëgjo, jeta ime ka qenë si një film i dhimbshëm edhe i trishtë. Jeta t’i sjell ato gjëra ndoshta edhe prej problemeve, prej pamundësive. Duhet të flasësh gjatë edhe ky emision është shumë i shkurtër.

Ardit Gjebrea: Si e nise këtë rrugë?

Pjetri: Në fillim e kam vazhduar nga ato më të lehtat, si për shembull tek hashashi.

Ardit Gjebrea: Kush ta dha?

Pjetri: E gjeta vet. S’kishte nevojë të ma jepte dikush, ishte kuriozitet që e doja ta provoja.

Ardit Gjebrea: Nga u njohe? Sepse diku e dëgjon…

Pjetri: Normal, e kam dëgjuar se si të tjerët e pinë, si bëhet… Në fillim nuk dija si ta rregulloja edhe isha vetëm kur e mora. Atëherë koha kaloi, unë rashë në dashuri me atë ndjesi që më jepte ngaqë më largonte dhe nga të gjitha mendimet e këqija dhe ndihesha më mirë.

Ardit Gjebrea: Cila ishte ndjesia e keqe që t’i doje t’i largoheshe?

Pjetri: Probleme që nuk ia del dot vetëm.

Ardit Gjebrea: Çfarë të mundonte ty? Sa vjeç ishte atëherëm 17-18?

Pjetri: Po.

Ardit Gjebrea: Çfarë problemesh mund të kishe ti 17 vjeç?

Pjetri: Po unë shkollën nuk e vazhdova ngaqë unë ngela në shkollë edhe nuk isha i barabartë me shokët e tjerë. Vendi ku rrimë ne është vend i vogël edhe ato pak vende pune që janë, janë të zëna. Dhe të rrish gjithë ditën, normalisht që të mundon, nuk ke çfarë bën. Edhe ai ishte si të thuash një ngushëllim. Ishte fillimi. Më pas shkova te të tjerat që janë më të rënda për arsye se një djalë në moshën time 23 vjeç normalisht që mendon që si mund ta ndihmoj unë familjen. Atëherë është dhe pjesa tjetër se çfarë do bëj unë për jetën time. Edhe qenë në këtë vend unë them nuk kam shpresë se është vend me shumë pak shpresa. Gjithmonë kam pasur mendimin që të iku diku. Babai im është i sëmurë edhe vazhdon punon akoma çfarë të mundet. Ndërsa unë jam i ri edhe nuk kam forcën që të bëj ato gjëra që duhet të bëj.

Ardit Gjebrea: Dhe ti gjete ngushëllimin aty.

Pjetri: Nuk gjeta ngushëllim. Fillimisht u ngushëllova, por më pas më bëri të varur.

Ardit Gjebrea: Ishe dhe i përkëdheluri i shtëpisë siç na tregoi motra. Babi nuk ta prishte për asgjë.

Pjetri: Ai nuk ma ka prishur kurrë.

Ardit Gjebrea: Po ti pse duhet t’ia prishje qejfin babit?

Pjetri: E kam bërë pa dëshirën time.

Ardit Gjebrea: E di. A ka një moment që ti lufton për të vënë poshtë diçka që të ka vënë ty poshtë? Kur ka qenë ky moment që ti the boll më?

Pjetri: Ai moment ka qenë kur unë vendosa t’i jepja fund çdo gjëje. E ke parasysh atë qiriun që sa e ndez vazhdon dhe digjet. Kur shkon në fund e sheh se është duke mbaruar edhe nuk e duron atë dhimbje.

Ardit Gjebrea: Qiririn tonë e djeg Zoti, nuk e djegim dot ne. Ne s’e dimë kur është fundi i atij qiriri. Nuk mund ta fikim vet. Këtë e fik vetëm ai që është lart.

Pjetri: Po të ishe në pozitën time atëherë do ta kishe kuptuar.

Ardit Gjebrea: Çdo njeri ka vështirësi, mos kujto që dhe unë e kam pasur jetën të lehtë. Ti mendon që të gjithë ne që jemi këtu, nuk kemi momente të vështira në jetë? Por, mendojmë për ata njerëz të cilët na e dhanë jetën. Dhe nuk mund të jemi aq egoistë sa të mendojmë për veten tonë dhe në fund të lëmë dhimbjen e atij që vjen pas.

Pjetri: Kur e shef se të tjerët po vuajnë më shumë se unë…unë vuaj me dhimbje, kurse ata vuajnë shpirtërisht. Ajo dhimbja e atyre mund të jetë më e keqe se sa dhimbja ime. Dhe mendova që të vuajnë njëherë, por jo gjithmonë.

Ardit Gjebrea: E thua ti këtë gjë…Mendon që është ky moment në jetën tënde për të gjetur forcë?

Pjetri: Normalisht jam përpjekur për ta bërë.

Ardit Gjebrea: Mos më bëj të vij në Shkodër dhe të kërkojmë bashkë lart e poshtë punë për ty.

Pjetri: Mund të vish, por nuk gjen, janë të zëna.

Ardit Gjebrea: Të premtoj që do dalim bashkë në Shkodër dhe do kërkojmë punë. Çfarë pune mund të bësh?

Pjetri: Kam mësuar shumë prej babait tim që të bëj punë hidraulike.

/tvklan.al

Share: