Home KRYESORE Prokuroria do verifikojë procedurat për ekstradimin e Nezar Seitit

Prokuroria do verifikojë procedurat për ekstradimin e Nezar Seitit

Ekstradimi në Itali i Nezar Seitit ka shkaktuar polemika, pasi ishte i vetmi i bandës “Habilaj” i kapur në Shqipëri. Ndaj tij kishte edhe një proces në Shqipëri ndaj nuk dihet në çfarë rrethanash gjykata vendosi për largimin e tij nga vendi.

Sakaq, mediat citojnë burime nga Prokuroria e Pëgjithshme se “kanë nisur verifikimet për procedurat e ndjekura për rastin e ekstradimit në drejtim të Italisë të Seitit, i njohur ndryshe si financieri i grupit Habilaj”.

Ndaj Nezar Setiti ekziston një masë sigurimi nga Gjykata e Krimeve të Rënda në arrest me burg pasi u arrestua gjatë operacionit të policisë në Babicë të Vlorës në 19 tetor, ku u sekuestruan rreth 4 ton kanabis, ndërsa njëkohësisht ishte i kërkuar edhe nga Prokuroria e Cattanias si pjesë e grupit të trafikut të drogës që kryesohej nga Moisi Habilaj. Nezar Seiti bënte shpërndarjen e parave mes anëtarëve të bandës, para këto të fituara nga trafiku i kanabisit.

Pas dyshimeve dhe pikëpyetjeve të ngritura për ekstradimin, mësohet se do të kryhen verifikime në Prokurorinë e Tiranës, të Krimeve të Rënda, në Ministrinë e Drejtësisë dhe Drejtorinë e Burgjeve. Gjithsesi Prokuroria e Përgjithshme nuk është shprehur zyrtarisht se kur dhe si do të kryhen verifikimet, lajmi ka dalë në media duke cituar burime konfidenciale nga ky institucion.

Share: