Home KRYESORE Rama: Në Qershor nis puna për aeroportin e Vlorës, komentuesit e pyesin...

Rama: Në Qershor nis puna për aeroportin e Vlorës, komentuesit e pyesin per aeroportin e Kukesit

Kryeministri Edi Rama njoftoi sot në facebook se në qershor nis puna për aeroportin e Vlorës. Ai tha se ka një kërkesë zyrtare për një investim strategjik, pa dhënë detaje se kush është investitori.

Por, kjo nuk është hera e parë që kryeministri Edi Rama bën premtime të këtij lloji. Në Kukës është gati një pistë për ulje ngritje avionësh dhe për afro dy vitesh asnjë fluturim nuk është kryer ende nga Kukësi dhe as nuk është nënshkruar ndonjë kontratë me ndonjë kompani për operim në këtë aeroport.

“Ndërtimi i Aeroportit të Kukësit nisi në muajin maj të vitit 2002 dhe përfundoi në 2016. Ky aeroport shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 65 hektarësh, 3 kilometra larg qytetit të Kukësit, dhe është i kategorisë ndërkombëtare C. Sipas projektit të ndërtimit, në këtë aeroport është parashikuar që të zbresin njëherësh deri pesë aeroplanë. Aeroporti është i pajisur me të gjitha mjetet e kontrollit të hapësirës ajrore”, shkruhet në faqen zyrtare të Aviacionit Civil.

Vënia në punë e këtij aeroporti është kërkuar disa herë edhe nga pala kosovare nëpërmjet Behgjet Pacollit, pasi zhvillimi i tij do t’i jepte ndihmë ekonomisë në të dyja anët e kufirit.

Le të kujtojmë se çfarë ka deklaruar Kryeministri Edi Rama në Prill të vitit 2017.

“Jam ndjerë i turpëruar çdoherë që takoja emigrantë shqiptarë dhe më shtronin pyetjen e drejtë se pse nuk hapet Aeroporti i Kukësit. Është vërtet e sikletshme kur mendon se Shqipëria është i vetmi vend në rajon që nuk ka linja ajrore me kosto të ulët që i ka çdo vend i Rajonit, duke përfshirë edhe Kosovën.

Ka qenë e papranueshme që bie fjala Mali i Zi që ka banorë sa gjysma e Tiranës të ketë dy aeroporte, ndërsa Shqipëria që ka numrin më të lartë emigrantëve nuk ka akoma një aeroport të dytë” ka thënë kryeministri Rama nga qyteti i Kukësit afro 10 muaj më parë.

Sot, Kryeministri me gjasë e ka harruar këtë premtim dhe turpin që ndjen për mosvënien në punë të aeroportit të Kukësit dhe bën premtimin e radhës për Vlorën. ”Kemi kërkesën zyrtare për investimin e madh të aeroportit të ri kombëtar të Vlorës. Deri në qershor hapja e kantierit”, shkruan në facebook.

Të shumtë janë komentuesit që i shkruajnë se projektet e tij mbeten vetëm në letër sepse tashmë e ka gati një aeroport që duhet ta vendosë në punë përpara se të fillojnë punimet për aeroportin e tretë në vend.  /R.Dedaj-Opinion.al

Disa prej komenteve në faqen e Kryeministrit

Saimir Mekolli Ndo je premtim konkret per pune do te kemi? Apo vetem projekte ne leter, se pa pune me duket sikur nuk eshte jete njerzore keshtu.

Koloshi Dashnor Shum mire ta beni. Po me ate te kukesit qa u bo, apo kur te afrohen zgjedhjet sepse me duket se e patet premtuar ce ne para dy vitesh.

Albin Monte Po por duhet ti japësh fund atij të Kukësit se do ndihmojë për turizmin malor por edhe levizje te ndryshme si ato te mallrave./Opinion.al

*Faqja e aviacionit civil

*Foto nga inaugurimi i aeroportit të Kukësit

 

Share: