Home KRYESORE Ruani çdo faturë tatimore/ Nga 1 Prilli, tatimet në terren për futjen...

Ruani çdo faturë tatimore/ Nga 1 Prilli, tatimet në terren për futjen e TVSH

Duke nisur nga 1 Prilli të gjitha bizneset që bëjnë xhiro vjetore mbi kufirin 2 milion lekë do të përfshihen në skemën e tatimit mbi vlerën e shtuar. Në një intervistë për Televizionin Klan, nëndrejtori i përgjithshëm i Tatimeve, Artur Papajani thotë se të gjithë tatimpaguesit, të cilët kalojnë këtë kufi duhet të fillojnë që të ruajnë faturat tatimore të mallrave që ata blejnë.

“Biznesi duhet të ketë parasysh që çfarëdolloj gjëje që blejnë duhet ta blejnë me faturë tatimore. Kjo është në leverdinë e tyre. Madje u sugjeroj që edhe në rast që blejnë një stilolaps, të shkojnë në një kancelari dhe të kërkojnë faturë me TVSH.”

E gjithë administrata tatimore do të nisë një fushatë komunikimi me bizneset për t’i ndihmuar ata se si duhet të plotësojnë deklaratën e TVSH-së. Deklarimet do të jenë njëherë në 3 muaj dhe e para duhet të dorëzohet në muajin Qershor.

“Të mbajnë regjistrat tek librat e blerjes dhe shitjes, që janë dokumenti bazë për Tatimin e Vlerës së Shtuar, por një herë në 3 muaj do të bëjnë deklarime.”

Papajani thotë se pranë çdo tatimpaguesi do të shkojnë në terren inspektorët, por fokusi nuk do të jetë gjobitja, por këshillimi i tyre.

“Nuk mund të imagjinohet që mund ta fillosh me një gjobë komunikimin me të.”

Sipas Drejtorisë së Tatimeve, përfshirja në sistemin e TVSH-së për biznesin e vogël nuk ka si qëllim mbledhjen e të ardhurave nga ata, por gjurmimin e të gjithë zinxhirit se si qarkullon malli për të arritur te tatimpaguesit e mëdhenj./Tv Klan

Share: