Home KRYESORE Suedia përgatit popullin: Çfarë duhet të bëni në rast lufte

Suedia përgatit popullin: Çfarë duhet të bëni në rast lufte

Suedia po përgatitet për të shpërndarë një manual me informacione për publikun e gjerë se çfarë duhet të bëjnë në rast lufte, teksa debati në vend po vjen gjithnjë në rritje, për mënyrën sesi duhet të përballet me kërcënimin nga Rusia.

Sipas asaj që shkruan e përditshmja britanike “The Telegraph“, broshura që pritet të shpërndahet në 4.7 milion shtëpi, do të informojë publikun sesi të bëhen pjesë e “mbrojtjes totale” gjatë luftës dhe sesi të sigurojnë ujë, ushqim dhe ngrohje.

Ajo do të mbajë emrin “Nëse kriza e luftës vjen” dhe do të japë gjithashtu udhëzime sesi duhen trajtuar kërcënimet nga sulmet kibernetike, terrorizmi dhe ndryshimet klimatike.

Aneksimi i Krimesë nga Rusia dhe mbështetja ushtarake për separatistët ukrainas, sëbashku me rritjen e aktivitetit dhe stërvitjeve ushtarake pranë Baltikut dhe Skandinavisë kanë shkaktuar shqetësim serioz te Suedia.

Ky shtet neutral ka nisur të ndryshojë shkurtimet për mbrojtjen pas luftës, ndërsa aktiviteti i avionëve dhe nëndetëseve ruse kanë shkaktuar një debat të nxehtë nëse duhet t’i bashkohet ose jo Nato-s.

Në Shtator të 2017-ës, Suedia mbajti stërvitjen ushtarake më të madhe në këto 23 vitet e fundit. Në të u kryen lojëra lufte ku morën pjesë 19 mijë suedezë dhe aleatë nga Finlanda, Danimarka, Estonia, Lituania, Letonia, Franca, Norvegjia dhe Amerika.

“E gjithë shoqëria duhet të përgatitet për konflikt, jo vetëm ushtria. Ne nuk kemi përdorur fjalë të tilla si ‘mbrojtje totale’ apo ‘alarm i lartë’ për më shumë se 30 vjet. Ndaj, njohuria e qytetarëve është shumë e ulët”, tha një zyrtare suedeze./gazetaDita.al

Share: