Home KRYESORE Usta Thanasi dhe beu Thanas Gjoka!

Usta Thanasi dhe beu Thanas Gjoka!

0
Nga Skender Laurasi
Usta Thanasi dhe beu Thanas Gjoka atë mot shkoi të piqet me të shumtit e shekullit të tij. Me sytë e mendjes e shoh këtë plak me shtatin e tij të kërrusur nga temenarat që u bënte bejlerëve dhe me supet e mbuluar me një gunë të murrme, të vjetër.
Ecte duke çukitur stapin në çdo çap që hidhte përpara, me kujdes e me ngadalë. Ne të vegjlit i viheshim pas dhe i hiqnim kindin e gunës nga prapa, por xha Thanas Gjoka nuk zemërohej e na merrte me të mirë. Në dimër, kur binte dëbora e parë, i këndonim: ”Bije borë flokë-flokë Mbi shtëpi të Thanas Gjokë; Thanas Gjoka pa këmishë Dogji mjekërën me pishë.” Thanas Gjokën e thërrisnin edhe me nofkën ”ustai i beut të Përmetit”.
Kur u shuan bejlerët e fshatit tonë, pas të cilëve shkonte në Mullallëk e Bosnjë si gramatikua, Thanasi filloi të punonte vazhdimisht për beun e Përmetit. Ai nuk e përdorte hiç mirë dhe i jepte bukë thekër për punëtorët dhe fasule çoço nga më të ligat për të ngrënë. Kishte gjetur belanë, se nuk i vinin as shokët për të punuar me të. Dhe ishte mërzitur shumë.
I bënte temenara beut, po në shpirt e mallkonte. Kur vinte Pashka a Moti i Ri dhe usta Thanasi kërkonte hakën që t’ia shpinte shtëpisë, beu i bërtiste: ”Ti krimb i plehut, dashke të holla ti! Një kopaçe kokës ty!” Me dorë në zemër fliste usta Thanasi: ”Ju bëhem rixha për shokët e punës, bej: njëzet e pesë… ose vetëm njëzet lira.”
– Na dhjetë dhe hiqmu sysh…
– Po nuk na dalin bej efendi…nga një lirë…këtu në Përmet, t’u blejmë kalamajve nga një palë këpucë…shtëpisë
-qirinj…sapun…ndonjë çikëz kafe…
– Edhe kafe doni të pini, koka juaj! More Gjokë, si shumë herë ma ke sjellë në majë të hundës me këtë: para, para!
– Të kam puthur piqinë, bej!
– i thoshte mjeshtri, duke iu krrusur më poshtë e duke i vajtur më afër.
– M’u mërzitën edhe shokët që kam marrë sivjet, se të vjetrit s’më ardhën fare, bej! Janë fukarenj, s’u kanë bukë fëmija… Ju puth tabanin e këmbës, bej!
– Dëgjo, jezit! – i kërcënohej beu
– U thuaj atyre shokëve të rinë urtë, se vallahi! Bilahi! Tallahi! për Imam Hysen! U dërgoj trimat t’i kalbin në dru dhe paratë të mos ua jap fare dhe ti lidh pas grazhdit të kuajve për njëzet e katër sahat… dhe pa bukë! Mua m’a kanë frikën vilajeti i tërë dhe këta palo kaurë…!
– Aman bej, mos m’u zemëro! Kanë punuar të gjorët gjithë dimrin. Janë shokë të mirë…Kanë bërë punë të mirë…Të gëzojnë fëmijët…”
– Më plase jezit. Na edhe këto pesë lira dhe këput zverkun. Dhe të vini shpejt pas Pashke. Kam edhe konakët, ashefin, avllitë për të ndërtuar.
– Si urdhëroni, bej! Baltë e këmbëve të zotërisë suaj u bëfshim! i tha ustai duke bërë temena nga balli gjer te këmbët dhe duke ecur praptazi. Por kur arriu te porta, qëndroi i trembur se mos e tha me zë të lartë dhe ia dëgjuan atë që e mbantë të fshehur në thellësi të zemrës: ”Ardhça e mos të gjeça!”
Ndërsa për Pashkë Gjoka dhe mjeshtrat në fshat po gëzoheshin me fëmijët e tyre, koi që beu i Përmetit u sëmur e vdiq. Kur u kthye usta Gjoka në Përmet e vajti te furraxhiu që ta uronte ‘’Kristos Anesti!’’ (”Krishti u ngjall!”) furraxhiu ia ktheu përgjigjen:”Beu vdiq!”
Mirëpo Gjoka u bë si i paditur. Mori shportën me vezë të kuqe që kishte sjellë për beun dhe u nis drejt sarajeve. Edhe kur hyri brenda në oborr (që e pati shtruar me plloça vetë ai me ato duar të thata) nisi të këndojë. Atëherë doli prej ashefit shërbëtorja dhe i thirri:
”Ç’bën ashtu, mor usta Gjoka. Si nuk e ditke ti që na ka vdekur beu?! Me të dëgjuar këtë, Gjokës i ra zalia dhe s’po merrte dot frymë. Shporta i ra dhe vezët iu thyen. Shërbëtorja zuri kujën. Doli hankoja.
– I ra pika, sa i thashë që vdiq beu! – i tregoi shërbëtorja hankos. U mblodhën zonjat dhe nisën ta tundin e ta shkundin usta Gjokën. I fërkuan duart e këmbët, i hodhën ujë të ftohtë mbi kokë. Dhe ustai mezi nisi të lëvizë, hapi sytë një çikëz, e sikur zuri të fjalosej pakëz:
”Aman ç’më paska gjetur mua…Kur vdiq beu ç’më duhet jeta mua… Lermëni të vdes…Vramëni.” Kështu thoshte me zë të mallëngjyer, por përbrenda me shpirt e në heshtje të thellë mendonte: ”Ma mori të keqen! Vajti në djall!
Shpëtova, se më rropi lëkurën. E zunë gjynahet e mia!” Shërbëtorja dhe hankoja e zunë për krahësh, e ngritën dhe e shpunë të lëkundur në selamllëk:
”Ç’më mbani! Vramëni! Ç’e dua jetën unë kur më vdiq beu!” Herë-herë lëkundej sikur i thyheshin kërcinjtë e mezi ngjiste shkallët. Kur e shpunë në divan dhe e vunë në kanape nisi të rënkojë.
– Durim, usta Gjoka! – i tha hankoja. – Kështu e paska kjo dynja jallane! Dhe i tregoi për sëmundjen e të shoqit që e rrëmbeu aq shpejt e papandehur brenda katër ditëve, dhe që u mblodh gjithë vilajeti me bejlerë e pashallarë për ta përcjellë në varr. Dhe Gjoka:
”Pupu, pupu, që s’e pashë edhe një herë! Po qe njeri i mirë, moj hanko. I dëgjuar në tërë këta vilajetet e Shqipërisë. ” Dhe kur i suall kafenë: ”Ç’më jipni kafe mua! Farmak më sillni mua!” Dhe kur shterën lotët e mehën psherëtimat e shpirtit, e ngushëlloi Gjoka hankon :
” U thashë shokëve, s’e shoh mirë këtë mot: përditë më luan bishti i çekanit. Ndonjë tërsllëk do të kemi. Kur një ditë vërtet,drang! M’u thye bishti i çekanit mu në mes. Po, hanko, për ty qe ters i madh se humbe beun por dhe mua ters m’u nis që kur m’u thye bishti i çekanit.” ”Si urdhëron, usta Gjoka”, tha hankoja e ngushëlluar: ”Mot i zararit ky!”
Foto, i pari majtas, Skënder Luarasi 9-vjeçar.
Ne sfond, pas pemes se arres shtëpia me dy kate e Petro Nini Luarasit ne lagjen Kostallarë të fshatit Luaras
Share: