Home KRYESORE Zbardhen përgjimet: Ja kush e vrau politikanin serb në Kosovë

Zbardhen përgjimet: Ja kush e vrau politikanin serb në Kosovë

0

Pak orë pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, bashkëpunëtorët e tij dhe politikanë serbë në Kosovë dhe Beograd përjashtonin opsionin që prapa vrasjes qëndrojnë shqiptarët. Ata dyshojnë se vrasjen e ka kryer mafia serbe në krye me Milan Radojiçiq, derisa organizimin e ka bërë shteti serb. Kjo dëshmohet në një bisedë telefonike mes një kryetari të një partie në Beograd dhe një asamblisti serb në veri të Mitrovicës. Insajderi.com sjell bisedën e tyre telefonike të përgjuar

Kryetari i një partie serbe në Beograd ishte i shqetësuar për jetën e politikanit lokal të Mitrovicës, Oliver Ivanoviq.

Nikola Sanduloviq, kryetar i Partisë Republikane e kishte këshilluar Ivanoviqin që të kërkonte mbrojtje në Prishtinë. Por, këtë këshillë Ivanoviq e kishte shpërfillur. Tre muaj më vonë, ai u ekzekutua me gjashtë plumba para selisë së partisë së tij në veri të Mitrovicës.

Por kush mund ta ketë vrarë Ivanoviqin?

Një politikan lokal serb, asamblist në Komunën e Mitrovicës së Veriut, pretendon se e di kush e vrau Ivanoviqin. Në bisedën telefonike të këtij asamblisti me kryetarin e Partisë Republikane, thotë se vrasjen e ka kryer mafia në krye me Milan Radojiçiq, mik i afërm i kriminelit Zvonko Veselinoviq. Organizator i vrasjes, sipas tij, është shteti i Serbisë.
Insajderi ka vendosur që për shkaqe sigurie të mos ia zbulojë identitetin e këtij asamblisti i cili edhe gjatë bisedës telefonike prej 13 minutash shfaqet i frikësuar.
Biseda është zhvilluar ditën e vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

Asamblisti lokal serb përjashton mundësinë që Ivanoviqin ta kenë vrarë shqiptarët. Një opsion të tillë, sipas tij, nuk e mendon askush nga serbët.

Shef të nëntokës dhe të krimit ai e cilëson Milan Radojiçiqin, për të cilin Ramush Haradinaj deklaroi se e ka bashkëpunëtor. Me të Haradinaj ishte takuar gjatë negociatave për koalicionin qeverisës.

Gjatë bisedës telefonike që ka siguruar Insajderi, asamblisti serb i tregon bashkëbiseduesit në Beograd se kanë shkuar ta marrin kufomën pas kryerjes së obduksionit.

“Asgjë zyrtarisht nuk na kumtojnë, vetëm se është qëlluar nga pas, këtu para zyrës, një plumb ishte vdekjeprurës i cili e ka goditur arterien, dhe… kjo është gjendja”, thotë ai rreth ekspertizës mjekoligjore.

“E sheh, kemi biseduar, dhe gjithë këto t’i kam treguar. Të kujtohet biseda të cilën e kemi pasur para nja tre muajve”, ndërhyn Nikola Sanduloviq.

“Më kujtohet. Më vjen shumë mirë që thirre. Nuk e di… situata në qytet është e pabesueshme. Populli është shumë i habitur. Nuk e di… as policët nuk mund të besojnë e jo më diçka tjetër. Varrimi është në Beograd me siguri të enjten”, sqaron asamblisti serb.

Lideri i Partisë Republikane e pyet bashkëbiseduesin se cilat janë informatat rreth vrasjes së Ivanoviqit. Në këtë bisedë përmendet edhe ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Slobodan Petroviq. Për të thuhet se në veri shkon vetëm kur vritet dikush.
“E dini, ai ka qenë tip i cili kurrë nuk ka thënë asgjë, vetëm që askush nuk mund të ikë prej asaj që këtë e ka bërë shteti, siç i ka ndodhur të ndjerit Miki, para katër viteve, prandaj është koincidencë e pabesueshme, njerëzit jetonin bashkë…, dhe kur njëri i lidh të gjitha këto…, ja dhe gruaja e tij…, mendoj…, diqysh po përputhen kubëzat…, kurrqysh ndryshe vetëm se… nuk di”.

“Ajo që është e sigurt, edhe sipas informatave që i kam marrë është e sigurt se këtë nuk e kanë bërë shqiptarët”, ndërhyn Nikola Sanduloviq. “Sepse këtu në Serbi të gjithë dyshojnë në këtë Qeveri këtu, e shoh që është atmosferë e tillë”.

“Besomni asnjëri prej nesh nuk dyshon në këtë, besoni apo jo, ky opsion është i përjashtuar. E dini, mendimi im dhe i këtyre të tanëve është se këtë e kanë bërë mafiozët lokalë, por edhe ata kanë qenë të detyruar të marrin leje prej dikujt, madje edhe ata çfarë vagabonda janë nuk guxojnë të bëjnë diçka të tillë pa leje”, sqaron asamblisti lokal.

Sipas kryetarit të Partisë Republikane serbe, ky krim nuk ka mundur të kryhej pa Zvonko Veselinoviqin.

“E di që ata këtë vetë nuk kishin guxuar ta bëjnë, dhe kështu…, dhe tani po shikoj gjithë këtë dhe nuk di njeriu çfarë të mendojë. Ja tani erdh për ngushëllim Sllobodan Petroviqi, të cilin për herë të dytë po e shoh në veri, dhe të dy herë e shoh në ngushëllim. Para katër vitesh kur isha për ngushëllim për të ndjerin Miki aty e kam parë dhe tani po e shoh për herë të dytë…”, shton asamblisti serb.

“… unë me Oliverin nuk jam njohur mirë, dhe për fat të keq nuk më ka dëgjuar. Për fat të keq! Të kujtohet çfarë të kam thënë dhe çfarë bisede kemi pasur? Me vjen keq që nuk munda të depërtoj deri te ai, të ulemi dhe t’i jap çelësin e zgjidhjes në dorë. Ky është tmerr çfarë ka ndodhur. Duhet të jeni të mençur dhe të mos bini nën ndikim të tregimeve të llojllojshme etj., që dikush të mos e prish gjakun, sepse shqiptarët nuk e kanë bërë këtë”, e këshillon politikani nga Beogradi, bashkëbiseduesin nga Mitrovica.
Bashkëpunëtori i Ivanoviqit flet edhe për konfliktet që kishte i ndjeri me politikanët tjerë serbë. Përmend një zjarrfikës që ishte bërë asamblist. Listën Serbe ai e cilëson makineri të rrezikshme që nuk mund të ndalet.

“Unë i kam parë zgjedhjet parlamentare, por mendova se atëherë ata favorizoheshin për shkak të Ushtrisë së Kosovës, por në zgjedhjet lokale e pash se askush më nuk mund t’i ndalë. Kjo nuk mund të ndalet. Kjo është makineri e rrezikshme. Unë më nuk i besoj procesit të zgjedhjeve. Unë nuk e kam të qartë se si arritëm t’i marrim ato 1.500 vota, si edhe ato nuk na i kanë zhvlerësuar”, thotë asamblisti. Ai shton se votat janë vjedhur në favor të Listës Serbe të përkrahur nga Beogradi.

Nikola Sanduloviq e pyet asamblistin lokal se mafia serbe në Mitrovicë me cilin subjekt janë.

“Ai është kumbar i Zvonkos, Milan Radojiciq e hap shampanjën kur këndojnë… I ka pesë mjekroshë rreth vetit të cilët defilojnë non-stop… Nga Serbia…”, shton asamblisti serb.

Biseda Telefonike:

X: “Alo?”

Nikola Sanduloviq: “Alo…, Nikola Sanduloviq!

X: Alo a më dëgjon

Nikola Sanduloviq: Po, po po të dëgjoj,

X: Ja tani jam para kapelës, erdhëm ta marrim kufomën, që sa u krye obduksioni.

Nikola Sanduloviq: Çfarë thotë obduksioni?

X: Asgjë zyrtarisht nuk na kumtojnë, vetëm se është qëlluar nga pas, këtu para zyrës, një plumb ishte vdekjeprurës i cili e ka goditur arterien dhe…, kjo është gjendja.

Nikola Sanduloviq: E sheh, kemi biseduar, dhe gjithë këto t’i kam treguar. Të kujtohet biseda të cilën e kemi pasur para nja tre muajve?

X: Më kujtohet. Më vjen shumë mirë që thirre. Nuk e di…, situata në qytet është e pabesueshme. Populli është shumë i habitur. Nuk e di…, as policët nuk mund të besojnë e jo më diçka tjetër. Varrimi është në Beograd me siguri të enjten.

Nikola Sanduloviq: Të enjten?

X: Po, me siguri do të takohemi atje, nëse do të jeni atje dhe nëse takohemi, e të bisedojmë më gjatë.

Nikola Sanduloviq: E ku është varrimi?

X: Po thonë në Alenë e të Mëdhenjve, e kishin lejuar që atje të varroset.

Nikola Sanduloviq: Më thuaj cilët janë informatat, gjysmë informatat? Çfarë po flitet? Çfarë janë dyshimet? Mendoj në mes jush, që jeni më të afërt rreth tij?

X: E dini, ai ka qenë tip i cili kurrë nuk ka thënë asgjë, vetëm që askush nuk mund të ik prej asaj që këtë e ka bërë shteti siç i ka ndodhur të ndjerit Miki para katër viteve, prandaj është koincidencë e pabesueshme, njerëzit jetonin bashkë… dhe kur njeri i lidh të gjitha këto… ja dhe gruaja e tij… mendoj… diqysh po përputhen kubëzat.. kurrqysh ndryshe vetëm se… nuk di.

Nikola Sanduloviq: Ajo që është e sigurt, edhe sipas informatave që i kam marrë është e sigurt se këtë nuk e kanë bërë shqiptarët.

X: Besomni asnjëri prej nesh nuk dyshon në këtë, besoni apo jo, ky opsion është i përjashtuar.

Nikola Sanduloviq: Sepse këtu në Serbi të gjithë dyshojnë në këtë Qeveri këtu, e shoh që është atmosferë e tillë.

X: E dini, mendimi im dhe i këtyre të tanëve është se këtë e kanë bërë mafiozët lokalë, por edhe ata kanë qenë të detyruar të marrin leje prej dikujt, madje edhe ata çfarë vagabondë janë nuk guxojnë të bëjnë diçka të tillë pa leje.

Nikola Sanduloviq: Jo, sa i përket krimit, pa Zvonko Veselinoviqit, kjo nuk kishte mundur të kalojë.

X: E di që ata këtë vet nuk kishin guxuar ta bëjnë, dhe kështu… dhe tani po shikoj gjithë këtë dhe nuk di njeriu çfarë të mendojë. Ja tani erdh për ngushëllim Sllobodan Petroviqi, të cilin për herë të dytë po e shoh në veri, dhe të dy herë e shoh në ngushëllim. Para katër vitesh kur isha për ngushëllim për të ndjerin Miki aty e kam parë dhe tani po e shoh për herë të dytë…

Nikola Sanduloviq: Si quhet?

X: Sllobodan Petroviq!

Nikola Sanduloviq: E kush është ai? Çfarë është ai?

X: Partia e Pavarur Liberale. Për herë të dytë po e shoh në veri edhe atë dy herë për ngushëllim dhe në varrim.

Nikola Sanduloviq: E herëve tjera nuk ka ardhur te Oliveri apo jo?

X: Ndoshta, madje kanë qenë edhe kumbarë, por nuk ka ardhur këtu në veri (flet me dikë jashtë..), Nikolla, apo dëgjohemi?

Nikola Sanduloviq: Po, po po dëgjohemi.

X: Kurgjë, unë vërtet do të kisha dashur të takohem dhe të bisedoj me ju, nëse kemi rast.

Nikola Sanduloviq: E di çka…, unë nuk jam njeri dyfytyrësh! Unë me Oliverin nuk jam njohur mirë, dhe për fat të keq nuk më ka dëgjuar. Për fat të keq! Të kujtohet çfarë të kam thënë dhe çfarë bisede kemi pasur? Unë nuk mund të jem dyfytyrësh, shprehu ngushëllime bashkëshortes dhe familjes në emrin tim! Vërtet me vjen keq! Sinqerisht më vjen keq! Me vjen keq që nuk munda të depërtoj deri te ai, të ulemi dhe t’i jap çelësin e zgjidhjes në dorë. Ky është tmerr çfarë ka ndodhur. Duhet të jeni të mençur dhe të mos bini nën ndikim të tregimeve të llojllojshme etj, që dikush mos ta prish gjakun , sepse shqiptarët nuk e kanë bërë këtë.

X: Taman puna! Askush nuk dyshon në ta. Ata nuk janë as të dyshuarit e fundit.

Nikola Sanduloviq: E as dikush nga bota e jashtme nuk ka shans ta bëjë në këtë moment kur Amerika dhe Evropa po përpiqen me çdo kusht të bëjnë paqe këtu, dmth. Kjo bjen poshtë, d.m.th. si solucion. Ky është jashtë mendjes së shëndosh. Kjo veç drejton diku tjetër, natyrisht asgjë nuk është 100 % por gjithçka tregon në drejtim tjetër. Ti lajmërohu të enjten, të ulemi dhe të bisedojmë, nëse ju nevojitet çfarëdo ndihme, çfardo lloji, qoftë politike, qoftë me këshilla, apo në terren, unë jam këtu t’ju ndihmoj.

X: Unë edhe atëherë ju kam thënë, në këto zgjedhje këtu, nuk di a ju kam treguar, unë kam hyrë në Kuvend lokal, e fitova numrin e votave dhe u bëra asamblist, njëri i cili ishte i treti në listë, ai për shkak të konfliktit të interesit, pasi punon në gjykatë, nuk mundi të hyjë, dhe unë si i katërti hyra si kandidat i SDP. Atje, do t’ju tregoj edhe për këtë, atje më nuk ishte Kuvend, por konflikt personal në mes të Oliver Ivanoviqit dhe gjithë të tjerëve. Atje asgjë nuk mund të punohet, ata gjithë kohën e komentojnë, ai Dashi, një zjarrfikës, i cili është një marionetë dhe nuk ka lidhje me asgjë, por është aty sepse është i dëgjueshëm. Ai gjithë kohën e sulmonte, nuk ma ke uruar, ju i keni humbur zgjedhje në mënyrë katastrofale…ndërsa zgjedhjet janë të vjedhura.

Nikola Sanduloviq: Po, po.

X: Unë i kam parë zgjedhjet parlamentare, por mendova se atëherë ata favorizoheshin për shkak të Ushtrisë së Kosovës, por në zgjedhjet lokale e pash se askush më nuk mund t’i ndalë. Kjo nuk mund të ndalet. Kjo është makineri e rrezikshme. Unë më nuk i besoj procesit të zgjedhjeve. Unë nuk e kam të qartë se si arritëm t’i marrim ato 1.500 vota, si edhe ato nuk na i kanë zhvlerësuar.

Nikola Sanduloviq: Të jesh i bindur se ju kanë vjedhur së paku edhe pesë herë aq.

X: Kjo shihej nga aeroplani. Raundin e dytë na e kanë vjedhur sigurisht, ndoshta edhe fitoren. Tani nuk është askush nëpër rrugë, të gjithë janë tërhequr nëpër shtëpi dhe nuk dalin.

Nikola Sanduloviq: Natyrisht, populli është frikësuar.

X: Sikur e kanë ditur kë ta vrasin. Unë edhe atëherë kur është arrestuar kam thënë se është vrarë morali te populli, atëherë megjithatë, mbrohej qyteti, ruhej ura.

Nikola Sanduloviq: …, sa kemi folur, rreth gjysmë ore, të kam thënë atëherë, të kam sqaruar, le të vjen dhe të bisedojmë dhe t’ju mundësoj takim që të uleni dhe të bisedoni me Qeverinë kosovare, me njerëz nga atje të cilët do ta mbajnë fjalën. Të kujtohet kur të kam thënë….?

X: Unë i kam thënë atij që këtu ka gjëra pozitive të cilat mund të zgjidhen, çfarë ka ndikuar te ai që këtë ta kapërcejë unë nuk mund ta vlerësoj. Kjo është çështja e tij. Me siguri ka menduar se nuk është koha për ato gjëra, nuk di, nuk mundem as tani të mendoj për këtë, që a do të ishte diçka ndryshe se tani…

Nikola Sanduloviq: Besom, si kur kam folur edhe me të ndjerin Zoran, pesë, gjashtë muaj para vrasjes dhe i kam thënë të gjitha, dmth. Kur disa gjëra i di atëherë i di, nuk mund të them që nuk di kur i di, për këtë më vjen keq sepse kishte mundur të jetë një lider i cili kishe mundur t’i bëjë disa gjëra të cilat janë historikisht të rëndësime për të gjithë. Dhe çfarë tani, tani ai nuk është më. Populli është edhe më tepër i frikësuar, që është katastrofë. Ajo që po flitet këtu tani ato janë tregime qesharake, dmth të kishte dashur ai ta mbrojë, të kishte mundur ta mbrojë, ai do ta mbronte nga burgu dhe ndjekja, ndërsa unë desha ta lidh me njerëzit të cilët janë atje në pushtet dhe që kishin mundur ta stopojnë gjithë këtë, të ulet dhe të bisedojë se çfarë është mirë, ja, kush do të flas tani….

X: Shkoni, unë mendoj se dikush ia ka mbushur kokën që nuk duhet të ketë kontakte të atij lloji. Unë dyshoj në atë Shapiqin, atë vaterpolistin që ishte këtu. Ai e kishte tregimin e vet.

Nikola Sanduloviq: Ai djalë është i retarduar…, ai është vërtet i retarduar. Ai djalë ka arritur nëpërmes të lobit të gjejë në atë vend ku është. Djali është në sistemin e hajnisë së Partisë Demokratike, dmth. katastrofë. Unë aty isha i pafuqishëm, mendoj, të kam thanë edhe atëherë, unë dhe Shapiqi, si Zoti dhe kapuçbërësi, nuk mund të krahasohemi. Unë vërtetë i kam kryer bisedimet preliminare që ta lidhë Oliverin të shkojë në Prishtinë dhe të bisedojë, dhe se ajo pasiguri dhe jorehati e serbëve në veri të Kosovës të përfundojë një herë e përgjithmonë.

X: Po këtu gjithçka fillon dhe përfundon në një restorant, ja tani po kaloj andej, aty është mafia e cila ia ka futë frikën në eshtra popullit…

Nikola Sanduloviq: Më thuaj…, ajo mafia jonë ajo serbe atje, me kënd janë? A janë ende me Zvonkon?

X: Ai është kumbar i Zvonkos, Milan Radojicic e hap shampanjën kur këndojnë…

Nikola Sanduloviq: Aha, ai qenka kumbar i Zvonko Veselinoviqit?

X: Po!

Nikola Sanduloviq: Dhe ai udhëheqë gjithë ata, gjithë atë klan kriminel, të gjithë?

X: Po, i ka pesë mjekroshë rreth vetit të cilët defilojnë non-stop.

Nikola Sanduloviq: E prej nga janë ata të cilët e mbrojnë atë?

X: Nga Serbia…

Nikola Sanduloviq: A nuk janë prej andej, prej Mitrovicës?

X: Jo, jo nuk janë. Të gjithë ata djelmosha janë nga Serbia, mirë… unë ju kërkoj falje…

Nikola Sanduloviq: Asgjë, asgjë, të lutem shprehu ngushëllimet e mia dhe lajmërohu kur vjen në Beograd, dhe të vjen edhe bashkëshortja nëse do, mos të gjunjëzohet tani dhe t’i dëgjojë ata sepse janë duke gënjyer. Mirë lajmërohu kur të vjen…

X: Mirë, ju faleminderit, mirupafshim./insajderi.com

Share: