Home KRYESORE Deputetja demokrate “sulmon” Lindita Nikollën

Deputetja demokrate “sulmon” Lindita Nikollën

0

Deputetja demokrate Valentina Duka, ka reaguar përmes një postimi në FB, lidhur me vonesat e pagave për pedagogët ne arsimin e larte.

Më poshtë statusi i plotë i Dukës

Si po rrënohet autonomia financiare dhe akademike e universiteteve të Shqipërisë?

Sot ministrja e Arsimit më në fund, dha një shpjegim qesharak të arsyeve pse stafet e universiteteve publike nuk po marrin akoma pagat edhe pse muaji shkurt ka hyrë në ditën e dhjetë të tij. Zonja Nikolla kërkoi ndjesë duke e justifikuar vonesën me shtimin e autonomisë financiare të universiteteve të siguruar nga Ligji i Arsimit të Lartë!!! E përkthyer ndryshe, kjo do të thotë: ne ju japim autonomi, por ju pjesëtarë të stafeve universitare, këtë duhet ta paguani shtrenjtë, deri edhe me uri!!! A mund të gjëndet vallë njeri me mend në kokë që të pranojë shfajësime të tilla? Si mund të pranojnë kolegët e stafeve universitare absurditete të tilla? A mund të na shpjegojë ministrja se cili institucion dhe cili individ nuk i ka bërë “detyrat e shtëpisë” dhe pse? A do të ketë vallë përgjegjësi konkrete për këtë çështje?

Çuditem me faktin që ende zyrtarët e lartë të qeverisë Rama mburren me ligjin aktual të arsimit të lartë. Ky ligj është një nga ligjet më të dobëta në historinë e legjislacionit shqiptar për arsimin e lartë, një nga ligjet më të kontestuara nga stafet akademike në kohën kur përgatitej të miratohej dhe që si i tillë, ka shkaktuar shqetësime e anomali serioze në universitetet shqiptare.

Por më e keqja në këtë mes qëndron në atë që edhe kështu siç është ligji në fjalë sot nuk është aspak funksional, sepse Qeveria edhe sot e kësaj dite kur kanë kaluar rreth dy vjet e gjysëm nga hyrja në fuqi e ligjit, nuk ka përgatitur të gjithë paketën e akteve nënligjore që e bëjnë atë të zbatueshëm, duke shkelur kështu në mënyrë flagrante nenin 141 të ligjit në fjalë, i cili e detyronte qeverinë të përgatiste paketën e mësipërme brenda nëntë muajve pasi ligji të hynte në fuqi! Kjo është artsyeja e vërtetë pse sot në shumë aspekte, institucionet e arsimit të larte gjënden në kolaps.

Kjo situate dramatike rëndohet edhe më shumë jo vetëm nga fakti që një pjesë e akteve nënligjore ende nuk kanë dalë (siç janë ato që lidhen me shkollën doktorale, me atestimin akademik të stafeve, me funksionimin e Agjensisë Kombëtare të Financimit të Arsimit të Lartë, Agjensisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit, etj.), por edhe ato të nxjerra deri tani nga qeveria, janë të një cilësie të dobët dhe për më keq, cënojnë rëndë autonominë akademike të Universiteteve. Si shembull për këtë mund të tregohet Vendimi i Këshillit të Ministrave (Nr.41/ 24.01.2018, një VKM që i ngjan një fjalori të keq terminologjik me shpjegime të dobëta që lidhen me procesin mësimor në universitetet shqiptare.

Me këtë VKM qeveria merr përsipër të ofrojë në mënyrë të detyrueshme një tipologji dhe një model unik të planeve dhe programeve mësimore për të gjitha universitetet e Shqipërisë, duke uzurpuar kështu haptazi të drejtat dhe atributet eksluzive që ka çdo universitet për çështje të tilla kudo në botë. Për t’u bindur për këtë, cilido mund të drejtohet në faqen zyrtare të qeverisë (besoj se është publikuar) dhe të shohë madje edhe modelin e detyrueshëm qeveritar të silabusit (programit) të lëndës që u serviret universiteteve. Një gjë e tillë e papranueshme, madje qesharake për standartet dhe statusin e një universiteti, nuk ka ndodhur në Shqipëri as në kohën e diktaturës komuniste. Lere pastaj se ç’do të ndodhte me universitetet e BE-së, ShBA apo Britanisë së Madhe, në se qeveritë e këtyre vendeve do t’iu impononin atyre kallëpe apo modele të tilla???

Share: