Home KRYESORE Energjia – një treg në rritje, mbushur me të paaftë

Energjia – një treg në rritje, mbushur me të paaftë

0

Nga: Dr. Enriko Ceko

Për të shkruar këtë artikull kam marrë shkas nga Tryeza e Rrumbullakët “Energjia dhe Zhvillimi i Qëndrueshëm Ekonomik – Roli i Diplomacise Ekonomike”, organizuar në 21 Shkurt 2018, në mjediset e Hotel Tirana International, nga Shoqata “Konsujt e Nderit në Shqipëri” me mbështetjen e Ambasadës së Norvegjisë në Shqipëri.

Është e kuptueshme se energjia është një burim mjaft i rëndësishëm nëpërmjet të cilit vihen në punë faktorët e prodhimit, toka, puna, kapitali, aftësia sipërmarrëse dhe inovimi teknologjik. Sa më shumë energji si burim të ketë një shoqëri aq më shumë mundësi ka që të shfrytëzohën në mënyrë eficiente dhe efektive faktorët e prodhimit dhe më tej, aq më shumë rritje ekonomike dhe shpejtësi rritjeje ekonomike do ketë në atë vend.

Kryetari i Konsujve të Nderit të Shqipërisë, Z. Ylli Ndroqi në këtë takime vuri theksin tek pikëpamja se “energjia është një burim që nëse i shtojmë ofertën, mund të kemi një zhvillim të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare.

Gjithashtu edhe rritja e investimeve të huaja përcaktohet në një masë të madhe nga oferta për energji. Rëndësi të madhe në këtë proces ka energjia e rinovueshme, prodhimi i së cilës në Shqipëri është i favorizuar për shkak të mundësive që ofron natyra, territori, basenet e lumenjve, era dhe ndriçimi diellor, resurse të jashtëzakonshme dhe ende të paeksploruara”.

Edhe Shkëlqesia e tij Z. Per Strand SJAASTAD, Ambasador i Mbretërisë së Norvegjisë në Shqipëri, e fokusoi diskutimin e tij në këtë çështje, duke theksuar se edhe pse ka shumë oportunitete, është e rëndësishme që Shqipëria të ketë një politikë dhe strategji të plotë dhe cilësore për sektorin e energjetikës, përfshirë edhe energjinë e rinovueshme, gjë për të ciën, ndihma e Qeverisë Norvegjeze dhe e sektorit privat norvegjez nuk do mungojë. Ai tha se: “Norvegjia është një ndër prodhuesit më të mëdhenj të energjisë në botë dhe operatorët norvegjesë kanë arritur të kuptojnë se një nga pikat më të rëndësishme në këtë sektor është lidhja midis blerësve dhe shitësve këtij sektori, për atë ç’ka prodhojnë, ofrojnë dhe kërkojnë në treg”.

Z. Damian GJIKNURI, Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, i pranishëm në këtë takim tha se: “Investimi në prodhimin e energjisë është një investim që kthehet shpejt, është i sigurt dhe dëmton më pak mjedisin se sa veprimtaritë e tjera njerëzore. Për rreth 15 vitet e fundit në Shqpëri janë investuar rreth 1 mld $ në këtë sektor, por ende ka shumë mundësi që duhet të shfrytëzohën, duke patur parasush edhe kërkesën e madher që ka tregu vendas dhe rajoni e më gjerë për energji”.

Edhe Governatori i Bankës së Shqipërisë, Z. Genti Sejko tha se rreth “23% e investimeve të huaja në Shqipëri janë të orientuara dhe fokusuara në prodhimin e energjisë”.

Deri këtu, duket sikur çdo gjë është në rregull. Kemi të huaj të interesuar të operojnë dhe investojnë në tregun shqiptar të energjisë, kemi një kuadër rregullator që lejon operimin me kushte optimale në treg, kemi burime të mjaftueshme natyrore, njerëzore dhe financiare për zhvillimin e sektorit të energjetikës në përgjithësi dhe për realizimin e investimeve në prodhimin e energjisë në veçanti, etj, etj, por, në fakt, gjendja është krejt ndryshe.

Duke e parë këtë gjendje me syrin e një personi që e njeh mirë këtë sektor dhe që ka organizuar një konferencë ndërkombëtare për energjinë para disa vitesh, duke e fokusuar çështjen në origjinën e investimeve të huaja në këtë sektor dhe duke patur parasysh se mund dhe duhet të ishte bërë shumë më shumë për të shtuar ofertën për këtë mall, aq shumë të kërkuar në tregun vendas dhe në tregjet ndërkombëtare, mendoj se duhet që të ndalemi në disa çështje madhore, që janë:

Paaftësia, papërgjegjëshmëria, mungesa e edukatës së punës, korrupsioni, mungesa e trainimeve e punonjësve të administratës publike në përgjithësi dhe e atyre që punojnë në sektorin e energjetikës në veçanti.

Ndjekja e politikave dhe strategjive të gabuara në këtë sektor.

Ndikimi i agjentëve ekonomikë të vendeve fqinje.

Mungesa e një diplomacie serioze ekonomike.

Mungesa e mbështetjet së investimeve në këtë sektor nga ana e bankave të nivelit të dytë.

Konfliktet investime – mbrojtje mjedisi. Etj.

Të gjitha sa më lart, kanë ndikuar për keq në rritjen e ofertës për energji në vend dhe mesa duket pak po bëhet për të eliminuar këto probleme, që e kanë futur në një ngërç të pakuptueshëm prodhimin e energjisë në Shqipëri.

Prej vitesh, duke drejtuar një nga organizatat më të rëndësishme të biznesit ndërkombëtar në Shqipëri, Grupin Shqiptaro – Britanik të Biznesit, që është një organizatë biznesi e krijuar që në vitin 1996, dhe duke drejtuar për një kohë të gjatë Zyrën Tregtare të Ambasadës Britanike në Tiranë, mund të them me kompetencë të plotë se:

Interesi i firmave të huaja serioze, përfshirë këtu edhe kompani të fuqishme britanike, ka qenë gjithmonë në rritje për energjetikën shqiptare, falë burimeve natyrore të rëndësishme të disponueshme.

Sektori publik dhe privat në Shqipëri shumë shpejt do gjendet përballë një kërkese në rritje shumë të shpejtë për energji.

Integrimi i vendit në rajon dhe më gjerë, në kuadrin europian, kërkon ofertë energjie të garantuar, për të qenë konkurrues në një treg agresiv.

Konsumi vendas familjar, edhe pse aktualisht ze një vend të rëndësishëm në përdorimin e energjisë, po kërkon burime alternative.
Etj.

Nën këto presione, edhe pse mundësitë potenciale që Shqipëria të prodhojë shumë më shumë se oferta aktuale për energji, janë të mëdha, përsëri në vend ka probleme madhore. Mjafton që të përmendin vetëm një fakt:

Shqipëria është importuese energjie në vlerë të disa miliona eurove kur lënda e parë, burimet, dëshira, paratë, etj, ekzistojnë.

Mesa duket, ajo që nuk shkon në këtë mes janë njerëzit. Janë njerëzit që vendosin se ç’farë, si, ku dhe kur të prodhojnë, tregtojnë, shpërndajnë, konsumojnë dhe rishpërndajnë. Janë njerëzit që bëjnë politika dhe strategji. Pra, përderisa puna në sektorin e energjetikës nuk ecën si duhet, gjëja e parë që duhet të bëjmë është që të ndryshojmë sa më shpejt mentalitetin e njerëzve që merren me këtë produkt, dhe nëse ata nuk duan që të ndryshojnë mentalitetin, atëhere të marrim masa të menjëhershme që të ndryshojmë njerëzit dhe të vendosin të tjerë që të merren me këtë çështje.

Është pikërisht momenti për shtim të ofertës për energji, në mënyrë që të vemë në punë faktorët e prodhimit, për një rritje të dëshërueshme ekonomike, të aftë që të na afrojë sa më shpejt me vendet e tjera në rajon dhe më gjerë në aspektin e prosperitetit dhe integritetit si individë dhe si komb.

Share: