Home KRYESORE Lufta e ardhshme botërore: Rreziku në rritje i konfliktit midis Fuqive të...

Lufta e ardhshme botërore: Rreziku në rritje i konfliktit midis Fuqive të Mëdha

Gjatë 25 viteve të fundit, lufta ka marrë shumë jetë njerëzish. E megjithatë, lufta dhe konfliktet nuk kanë ndalur, shkruan The Economist.

Edhe pse luftërat civile dhe konfliktet fetare janë të pranishme edhe në ditët e sotme si në Siri, në Afrikën Qendrore, Afganistan dhe Irak, një përplasje shkatërruese mes Fuqive të Mëdha të botës shihet ende si diçka e paimagjinueshme. Por duket se edhe një mendimi të tillë po i vjen fundi, sepse së fundmi, Pentagoni lëshoi një strategji të re mbrojtëse kombëtare, që e vendosi Kinën dhe Rusinë mbi xhihadizmin, duke e nxjerrë në plan të parë dhe duke e cilësuar si kërcënimin kryesor që i kanosej Amerikës.

Edhe gjenerali i përgjithshëm i Britanisë së Madhe paralajmëroi ditët e fundit për një sulm të mundshëm rus. Amerika dhe Koreja e Veriut janë në prag të një konflikti që rrezikon të përfshijë edhe Kinën ose të përshkallëzohet në një katastrofë bërthamore.

Zhvendosjet e fuqishme dhe afatgjata në gjeopolitikë dhe përparimi i teknologjive të reja po shkatërrojnë mbizotërimin e jashtëzakonshëm ushtarak që Amerika dhe aleatët e saj kanë gëzuar deri më tani. Konflikti i mundshëm në një shkallë dhe intensitet të tillë, që nuk është parë që nga Lufta e Dytë Botërore, sa vjen e po bëhet më i besueshëm. Por, bota nuk është e përgatitur për ta përballuar një luftë të tretë botërore.

Situata më alarmante është ndofta lufta në Gadishullin Korean, e cila pritet të fillojë që këtë vit. Donald Trump është zotuar se do të parandalojë Kim Jong Un, udhëheqësin e Koresë së Veriut, që të mos jetë në gjendje të godasë Amerikën me raketa balistike, gjë që, sipas sondazheve të fundit, pritet që të ndodhë në muajt e ardhshëm, për të mos thënë edhe më shpejt.

Midis shumë planeve të tjera të emergjencës, Pentagoni po shqyrton një goditje parandaluese kundër vendeve bërthamore të Veriut. Pavarësisht besimit të ulët në suksesin e një lëvizjeje të tillë, ai duhet të jetë i përgatitur të zbatojë vendimin e Presidentit, në rast se do ta japë një të tillë.

Megjithatë, edhe një sulm i kufizuar mund të shkaktojë luftë të gjithanshme.

Sipas llogaritjeve të bëra nga analistët, artileria e Koresë së Veriut mund të bombardojë të gjithë Seulin, kryeqytetin e Koresë së Jugut, me 10,000 raunde në minutë. Dronët, nëndetëset e mesme dhe kalimi i informacioneve nga një rrjet në tjetrin, mund të jenë disa nga format për vendosjen e armëve biologjike, kimike dhe madje edhe atyre bërthamore. Dhjetëra mijë njerëz do të vdisnin, madje edhe më shumë nëse armët bërthamore do të përdoren.

Sipas “The Economist”, perspektiva e një tmerri të tillë do të thotë se, në qoftë se diplomacia dështon, Koreja e Veriut duhet të kufizohet që një situata të shmanget. Gjithmonë sipas argumentimit të analistëve të kësaj reviste, lufta është një mundësi e vërtetë.

Edhe nëse Kina nuk do të përfshihet në një luftë të dytë koreane, si ajo edhe Rusia po hyjnë në një luftë gjithnjë e më të ashpër për sa i përket konkurrencës me fuqitë e mëdha të Perëndimit.

Ambiciet e tyre do të rriten më shumë në rastin e një përballje me Korenë e Veriut. Tre dekada të njëpasnjëshme, me rritje ekonomike të paparë i kanë dhënë Kinës një pasuri të atillë për të transformuar forcat e saj të armatosura, gjë kjo që shoqërohet normalisht edhe me ndjenjën që i është krijuar udhëheqësve të saj, se momenti i tyre ka ardhur tashmë.

Ndërsa Rusia, në mënyrë paradoksale, duhet të mundohet të sigurojë veten duke qenë se tashmë ajo ka hyrë në fazën e rënies afatgjatë.

Udhëheqësit e saj janë përpjekur shumë dhe janë munduar për të rivendosur dhe për të rifituar fuqinë e dikurshme ruse, si dhe janë të gatshëm të rrezikojnë për të provuar se meritojnë të respektohen dhe të kenë vendin që u takon në tryezën e bisedimeve ndërmjet Fuqive të Mëdha.

Të dyja vendet kanë përfituar nga rendi ndërkombëtar që Amerika është përpjekur shumë për ta krijuar, për ta vendosur, për ta garantuar dhe për ta ruajtur.

Por ata i shohin shtyllat e saj, të drejtat universale të njeriut, demokracinë dhe sundimin e shtetit ligjor, si një imponim që justifikon ndërhyrjet e huaja dhe kërcënon legjitimitetin e tyre. Ato tani janë shtete revizioniste, që duan të sfidojnë status quo-në dhe që i shohin rajonet e tyre thjesht si vende për t’u dominuar dhe ku duhet vendosur influenca e tyre. Për Kinën, kjo gjë nënkupton Azinë Lindore, ndërsa për Rusinë është Europa Lindore dhe Azia Qendrore.

As Kina dhe as Rusia nuk dëshirojnë një përballje të drejtpërdrejtë ushtarake me Amerikën, sepse ato janë të sigurta se do të humbasin. Por ato po e përdorin fuqinë e tyre në rritje, në mënyra të tjera, në veçanti duke shfrytëzuar një “zonë gri”, ku agresioni dhe dhuna funksionojnë pak më poshtë nivelit që do të rrezikonte përballjen ushtarake me Perëndimin.

Në Ukrainë, Rusia ka përzier forcën, keqinformimin, infiltrimin, luftën kibernetike dhe shantazhin ekonomik në mënyrë që shoqëritë demokratike nuk mund t’i kopjojnë si dhe të gjejnë vështirësi për t’i refuzuar. Kina, nga ana tjetër, është treguar më e kujdesshme, por ka pretenduar dhe ka marrë hapësira nënujore në ujërat e diskutueshme.

Kina dhe Rusia kanë shfrytëzuar teknologjitë ushtarake të krijuara nga Amerika, si lufta me saktësi të lartë dhe spektri elektromagnetik, për të rritur në mënyrë dramatike koston e ndërhyrjes kundër tyre.

Të dyja kanë përdorur strategji asimetrike luftarake për të krijuar rrjete që të mos lejojnë aksesin dhe ndërhyrjen në to, të njohura si “anti-access/ area denial”. Kina synon të shtyjë forcat detare amerikane shumë larg në Paqësor, ku ata nuk mund të projektojnë më me siguri pushtetin e tyre në Detin e Kinës Jugore dhe Lindore.

Rusia dëshiron që e gjithë bota ta dijë se, nga Arktiku e deri në Detin e Zi, ajo mund të kërkojë dhe të arrijë të marrë një mbështetje më të madhe forcash në krahasim me armiqtë e saj dhe se nuk do të ngurrojë ta bëjë një gjë të tillë. Nëse Amerika i lejon Kinës dhe Rusisë të krijojnë hegjemoni rajonale, qoftë me vetëdije ose sepse politika e saj është shumë e paaftë për të dhënë një kundërpërgjigje, do t’u krijojë atyre mundësinë për të ndjekur interesat e tyre me anë të ushtrimit të një forcë të dhunshme. Kujtojmë këtu, se kur një gjë e tillë u provua dhe u lejua për herë të fundit, rezultati i saj ishte shpërthimi i Luftës së Parë Botërore.

Armët bërthamore, kryesisht një burim stabiliteti që nga viti 1945, mund të shtojnë rrezikun. Sistemet e tyre të komandës dhe të kontrollit po bëhen gjithnjë e më të prekshme ndaj hakerëve të pajisur me armë të reja kibernetike, ndaj të cilave ata varen. Prandaj në një situatë të tillë, ky shtet mund të gjendet nën presionin për të zgjedhur midis humbjes së kontrollit të armëve bërthamore ose përdorimit të tyre.

Çfarë duhet të bëjë Amerika? Edhe pse të pasuksesshme, luftërat e George W. Bush ishin një formë shkëputjeje dhe një mbështetje në vend për rolin global të Amerikës. Barack Obama ndoqi një politikë të jashtme të kufizimit dhe e shprehte hapur skepticizmin e tij mbi vlerën e fuqisë së madhe. Ndërsa, z. Trump thotë se dëshiron ta bëjë Amerikën përsëri të madhe, por fatkeqësisht ka zgjedhur mënyrën dhe drejtimin e gabuar për ta arritur këtë gjë.

Ai po i largon haptazi organizatat multilaterale, po i trajton aleancat e ndryshme si të padëshiruara dhe admiron hapur udhëheqësit autoritarë të kundërshtarëve të Amerikës. Është sikur z. Trump dëshiron që Amerika të heqë dorë nga mbrojtja e sistemit që ajo vetë krijoi dhe të bashkohet me Rusinë dhe Kinën, duke e rritur numrin e një fuqie tjetër revizioniste.

Amerika duhet të pranojë se ajo është përfituesja kryesore e sistemit ndërkombëtar dhe se është e vetmja fuqi me aftësinë dhe burimet për ta mbrojtur atë nga një sulm i mundshëm. Edhe diplomacia konsiderohet si një prej fuqive të buta, ajo është padyshim jetike në vendosjen e qëndrueshmërisë, por ajo duhet të mbështetet edhe nga fuqia e fortë që si Kina ashtu edhe Rusia respektojnë. Dhe Amerika ka një pjesë të madhe të kësaj fuqie, por ajo po humbet shumë pikë në drejtim të teknologjisë ushtarake, e cila frymëzoi aleatët si dhe frikësoi armiqtë e saj.

Që diplomacia e saj të jetë sa më efikase, Amerika duhet të investojë në sisteme të reja të bazuara në robotikë, Inteligjencën Artificiale dhe armë të drejtuara me energji.

Pa dyshim, që z. Obama e kuptoi se Amerika kërkonte një përpjekje konkrete për të bashkërenduar dhe për të rifituar kryesimin në fushën e teknologjisë. Prandaj z. Trump dhe pasuesit e tij duhet t’i dyfishojnë përpjekjet në këtë drejtim. Garantuesi më i mirë i paqes botërore është një Amerikë e fortë.

Për fat të mirë, ajo ende gëzon përparësi. Amerika ka aleatë të pasur dhe të fortë, ka ende një prej forcave të armatosura më të fuqishme në botë, përvoja të pakrahasueshme në fushën e luftës, sistemet më të mira inxhinierike dhe firmat më të mira të teknologjisë në botë. Megjithatë, të gjitha këto avantazhe mund të rrëzohen lehtësisht. Pa angazhimin e Amerikës ndaj rendit ndërkombëtar dhe pa angazhimin e fuqisë së saj për ta mbrojtur atë kundër sfiduesve të vendosur dhe të aftë, rreziqet do të rriten. Nëse ata veprojnë kështu, një luftë e ardhshme mund të jetë më afër se sa ne të gjithë mund të mendojmë./http://tetovapress.com

Share: