Home KRYESORE Manuali i ri i poezisë… nga Mark Strand

Manuali i ri i poezisë… nga Mark Strand

Përktheu Elona Caslli

Nëse dikush e kupton poezinë, do të ketë probleme.
Nëse dikush jeton bashkë me poezinë, do të vdesë i vetmuar.
Nëse dikush jeton me dy poezi bashkë, do të tradhëtojë njërën prej tyre.
Nëse dikush e ngjiz poezinë, do të ketë një fëmijë më pak.
Nëse dikush ngjiz dy poezi bashkë, do të ketë dy fëmijë më pak.
Nëse dikush vë në kokë një kurorë teksa shkruan, do të demaskohet.
Nëse dikush vë në kokë një kurorë teksa shkruan, nuk do të mashtrojë askënd, përveç vetes.
Nëse dikush do të mërzitet me poezinë, njerëzit do ta përqeshin.
Nëse dikush këmbëngul që të mërzitet me poezinë, gratë do ta përqeshin.
Nëse dikush e dënon publikisht poezinë, këpucët do t’i mbushen me urinë.
Nëse dikush heq dorë nga poezia për pushtet, do të ketë shumë pushtet.
Nëse dikush mburret me poezitë që ka shkruar vetë, të marrët do ta duan.
Nëse dikush mburret me poezitë që ka shkruar vetë dhe i do të marrët, atëherë nuk do të shkruajë më.
Nëse dikush përvëlohet nga dëshira, që të tjerët t’i kushtojnë vëmendje poezive që ai shkruan, do të jetë si gomari nën dritën e hënës.
Nëse dikush shkruan poezi dhe lavdëron poezinë e kolegut, do të ketë një dashnore të bukur.
Nëse dikush shkruan poezi dhe lavdëron me tepri poezinë e kolegut, do ta largojë nga vetja dashnoren e bukur.
Nëse dikush e mbron poezinë e dikujt tjetër, zemra e tij do të zmadhohet dy herë.
Nëse dikush i lë poezitë e tij të bredhin lakuriq lart e poshtë, do të ketë frikë nga vdekja.
Nëse dikush ka frikë nga vdekja, poezitë e tij do ta shpëtojnë.
Nëse dikush nuk ka frikë nga vdekja, poezitë e tij mund dhe s’mund ta shpëtojnë.
Nëse dikush e shkruan poezinë, do të zhytet në hullinë e pasionit dhe do të puthet me fletën e bardhë.

Share: