Home KRYESORE Neranxi shpërthen kundër Erion Velise dhe taksave arbitrare.

Neranxi shpërthen kundër Erion Velise dhe taksave arbitrare.

Nga Nikollaq Neranxi*

Ndoqa mbrëmë Erion Veliajn në “Opinion” dhe sinqerisht më erdhi mirë që mjaftoi fare pak përballje, që njeriu i 1001 fytyrave, i dogji të gjitha në fare pak minuta, duke nxjerrë fytyrën e vërtetë. I mësuar të flasë vetëm me kameran në kronika televizive, sapo gazetarët i bënë pyetje të drejtpërdrejta duke i kërkuar llogari për punën e tij, ai shthuri gojën duke fyer dy gazetarë të shkëlqyer, Robert Rakipllarin dhe Ornela Lipurin, të cilët edhe pse nuk i njoh nga afër, më pëlqejnë sepse në panele kanë qasje antipushtet, në çdo kohë. Humbja e qetësisë përballë tyre duke iu bërë fyerje të ulëta, me siguri ndihmoi për të kuptuar më mirë se kush është Erion Veliaj, edhe ata njerëz që janë mashtruar fort nga propaganda e tij.

Që kur erdhi në krye të Bashkisë, Erion Veliaj rriti dhe shtoi të gjitha taksat e mundshme për bizneset dhe qytetarët e thjeshtë; taksa e hapësirës publike, taksa e infrastrukturës, taksa e fjetjes në hotele, taksa e tabelës, taksa e infrastrukturës arsimore, taksa e pastrimit, taksa e ndikimit në infrastrukturë, taksa mbi ndërtesën, taksa mbi tokën bujqësore, rriti çmimin e ujit dhe bëri me pagesë çdo rrëzë dhe kthinë parkingu në Tiranë, jo vetëm në rrugët kryesore. Kjo solli një kolaps ekonomik tek të gjithë, me përjashtim të klientëve të tij të cilëve taksat nuk iu prishin ndonjë punë, sepse i rregullon Erioni me leje ndërtimi, tendera, prokurime e favore të tjera.

Kanë falimentuar në Tiranë, që kur ka ardhur ky gjakpirës në krye të Bashkisë, me mijëra biznese. Janë bërë anketime nga media të specializuara dhe tregtarët thonë se arsyeja kryesore e falimentimit të tyre është mospërballimi i taksave të larta, sepse këtyre nuk iu intereson nëse falimenton ti që ke 27 vite që mban një dyqan apo ndërmarrje, sepse janë gati të të zëvendësojnë ata që nxorrën para me punë të pista që kur kanë ardhur këta në pushtet dhe që i numëron Ahmetaj sa herë i kërkojnë llogari pse po mbyllen bizneset. Pra këta duan të na bëjnë të besojmë se ky vend, për sipërmarrësit e vjetër që e kanë bërë çdo gjë me ndershmëri, paska krizë, ndërsa për zengjinët e rinj, nuk qenka krizë, por një moment brilant për investim!

Sot konsumatorët blejnë mallra dhe shërbime më të shtrenjta sepse të gjitha këto taksa shkojnë tek çmimi i mallit. Sot çdo qytetar i Tiranës, sa herë të shohë Erionin në televizor që hiqet si shpëtimtari i tyre, duhet të mendojë se për fajin e grykësisë së tij, ju sot bleni më shtrenjtë shtëpinë, ushqimet, rrobat, ujin dhe çdo shërbim tjetër.

Dhe pasi bëri gjithë këto dëme ekonomike dhe sociale, me djallëzinë e shejtanit, Veliaj targeton ata njerëz që duhet të urrehen, si në kohë të diktaturës, që për të sunduar, herë pas here duhet të gjesh armiq. E kam ndjekur një natë në lajme që thoshte se sipërmarrësit janë ata njerëzit e këqinj që nuk paguajnë ujin, se ata sillen si beu i vendit! Tamam fjalim i stilit komunist, për të krijuar urrejtje për burimet e vetme të punësimit dhe për motorët e ekonomisë që mbajnë gjallë këtë vend, që sipas Erionit janë thjesht ca hajduta uji! Pra ideatori i shkatërrimit të sipërmarrjes së ndershme në Tiranë dhe i ngritjes së çmimit të çdo gjëje, i tregon njerëzve se sa të rrezikshëm janë sipërmarrësit!

Prandaj më pëlqeu emisioni i mbrëmshëm, sepse ishte një kontribut më shumë për të kuptuar se pas njeriut me lopatë, fshihet ai që ka çuar në depresion me mijëra familje, sepse i la rrugëve duke iu falimentuar biznesin dhe boshatisi xhepat e qytetarëve me politikat e tij skandaloze të taksave të larta dhe për pasojë të çmimeve të rritura.

Nikollaq Neranxi, Kryetar i Shoqatës për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe Tregut të Shqipërisë

PS: Titulli i autorit ishte: Mjaftoi aq pak për të nxjerrë fytyrën e vërtetë të Erion Veliajt, atë të hajdutit të xhepave të qytetarëve!

Share: