Home KRYESORE NJË VEND NË PARAJSË

NJË VEND NË PARAJSË

0

Nga Paulo Coehlio, Përsiatje nga Vëllimi 3, shqipëroi Klodeta Dibra

Vite më parë, në Nordeste të Brazilit jetonin një burrë dhe një grua shumë të varfër, që kishin vetëm një pulë. Falë vezëve të saj, ata arrinin me mundim të mbijetonin. Por ja që natën e Krishtlindjeve pula ngordhi. Burri, që kishte disa kacidhe të cilat ishin të pamjaftueshme për të blerë ushqime për atë darkë, shkoi t’i kërkonte ndihmë priftit të fshatit.

Prifti i dha këtë ndihmë: “Kur mbyll një portë, Zoti hap një dritare. Meqenëse me të hollat që ke nuk mund të blesh pothuajse asgjë, shko në pazar dhe merr gjënë e parë që do të të ofrojnë. Unë e bekoj këtë blerje dhe, ngaqë dita e Krishtlindjeve është ditë mrekullish, do të ndodhë diçka që do të ta ndryshojë jetën përgjithmonë”.

Burri nuk ishte i bindur se kjo qe zgjidhja më e mirë. Megjithatë, shkoi në pazar. Një tregtar, kur e pa që bridhte kot më kot, e pyteti se çfarë kërkonte.

“Nuk e di. Kam ca kacidhe, po prifti më tha të blej gjënë e parë që do të më ofronin”.

Tregtari, edhe pse shumë i pasur, nuk mund ta humbiste kurrë rastin për të përfituar. I mori të hollat që kishte burri, shkarraviti disa fjalë në një copë letër dhe ia zgjati.

“Prifti kishte të drejtë! Ngaqë gjithnjë kam qenë njeri i mirë, në këtë ditë feste, po ju shes vendin tim në Parajsë!”

Burri mori letrën dhe u largua, ndërsa tregtari ndihej krenar se kishte bërë një punë të mirë. Në darkë, kur përgatitej për të ngrënë supën në shtëpinë e mbushur me shërbëtorë, ia rrëfeu historinë të shoqes duke shtuar se, falë dhuntisë së tij arsyetuese, ia kishte dalë mbanë të pasurohej.

“Ky është turp!”, klithi e shoqja. “Të veprosh kështu ditën e lindjes së Jezusit! Shko te ai burrë dhe merrja atë letër, ose mos shkel më këtu!”

I tromaksur nga zemërimi i gruas, tregtari vendosi t’i bindej. Pasi kërkoi shumë, më në fund e gjeti shtëpinë e burrit. Kur hyri brenda, pa çiftin e ulur te një tryezë e zbrazur, me letrën përsipër.
“Erdha këtu sepse kam bërë një gabim”, tha ai. “Ja të hollat tuaja, më ktheni çfarë ju kam shitur”.

“Ju nuk keni bërë asnjë gabim”, ia ktheu fukarai. “Unë ndoqa këshillën e priftit dhe e di se kjo letër është e bekuar”.

“Është vetëm një copë letër: askush nuk mund ta shesë vendin e tij në parajsë! Po të dëshironi, mund t’ju jap dyfishin”.

Por burri i varfër nuk dëshironte ta shiste sepse besonte te mrekullitë. Pak nga pak, tregtari e ngriti pazarin deri te dhjetë monedha ari.

“Kjo nuk do të rregullojë ndonjë gjë”, tha fukarai. “Duhet t’i jap gruas një jetë më dinjitoze dhe, për këtë, njëqind monedha ari janë të nevojshme. Ja, pra, mrekullia që pres këtë natë Krishtlindjeje.”

I dëshpëruar, ngaqë e dinte se po vonohej edhe më tepër, askush në shtëpinë e tij nuk do të darkonte e as do të mundte të merrte pjesë në meshën e mesnatës, tregtari pagoi më në fund njëqind monedhat prej ari dhe mori copën e letrës. Pra, tregtari kishte përmbushur kërkesën e gruas. Por gruaja nisi të dyshojë: mos vallë ishte treguar shumë e ashpër me të shoqin ?

Sa mbaroi mesha e mesnatës, ajo takoi priftin dhe i rrëfeu ngjarjen.

“Uratë, im shoq takoi një burrë, të cilin e kishit këshilluar të blinte gjënë e parë që do t’i ofronin. Duke dashur të fitonte parà në mënyrë të thjeshtë, im shoq shkroi mbi një copë letër se ia shiste tjetrit vendin e tij në Parajsë. I thashë tim shoqi se nuk do darkonim bashkë nëse nuk shkonte ta merrte atë copë letër dhe si përfundim atij iu desh të paguajë njëqind monedha ari. Mos e kam tepruar vallë? Një vend i tillë në Parajsë ka vërtet një çmim të tillë?”.

“Së pari, yt shoq ka ditur të tregohet bujar në këtë ditë që është dita më e rëndësishme për të krishterët. Së dyti, ai ka qenë vegël e Zotit për të bërë një mrekulli. Por për t’iu përgjigjur më mirë pyetjes suaj: kur shiti vendin e tij në qiell për disa qindarka, ajo nuk kishte asnjë vlerë, por kur vendosi ta riblente për njëqind monedha ari, vetëm e vetëm për t’i bërë qejfin gruas që do, mund t’ju siguroj se ajo vlen më tepër se kaq”.

(sipas një përralle hisidike të David Mandel)

(Paulo Coehlio, Përsiatje nga Vëllimi 3, shqipëroi k.d.)

Share: