Home KRYESORE Pamje nga shkolla: U rikonstruktua para dy vitesh, tavani bie në kokën...

Pamje nga shkolla: U rikonstruktua para dy vitesh, tavani bie në kokën e mësueses

Një incident ndodhi mëngjesin e sotëm në shkollën 9-vjeçare “Osman Myderizi” në Tiranë. Pamjet tregojnë qartë se masa që u shkëput nga tavani ka qenë e madhe, por fatmirësisht mësuesja arriti të shpëtojë.

Ajo ka marrë disa plagë dhe pas mjekimit ka lënë spitalin. Mësuesja Elbarina Toshkallari ishte duke shpjeguar mësimin, kur u shkëput një copë suvaje nga tavani. Mësimi u ndërpre dhe nxënësit dolën jashtë të alarmuar. Siç shohim, çantat kanë mbetur ende në klasë, pasi aty mbërriti policia dhe ambulanca.

Drejtoresha e shkollës shpjegoi për gazetarët se rikonstruksioni i plotë i shkollës është bërë në vitin 2004, por një rikonstruksion i pjesshëm i është bërë edhe në vitin 2016. “Rikonstruksioni i pjesshëm do të thotë që aty ku ka pasur probleme me ndriçimin janë bërë riparime, së bashku me suvanë” u shpreh drejtoresha.

Bashkia e Tiranës ende nuk është shprehur mbi shkaqet e kësaj ngjarje, pasi është ajo përgjegjëse për mirëmbajtjen e institucioneve arsimore.

Share: