Home KRYESORE Po natyrën në Kukës, pse po e shkatërron z.Rama? Nga Azem Parllaku

Po natyrën në Kukës, pse po e shkatërron z.Rama? Nga Azem Parllaku

0

“Kanionet e Skraparit nuk preken”-deklaroi dje Kryeministri Rama. E përshëndes për sa tha, por nuk e përshëndes për sa ka bërë dhe ende bën. Ka dhe një kanion mbi të cilin është bërë “rrugë HEC-esh”. Eshtë fjala për Kanionin e Vanave në Kukës, ku në vitin 2016 nisën prodhimin e energjisë 5 HEC-e të reja, më konkretisht; HEC “Bele 1” me fuqi 5MË, HEC “Topojan 2” me fuqi 5,8 MË, HEC “Bele 2” me fuqi 11MË, HEC “Topojan 1” me fuqi 2.9MË, HEC “Orgjost i Ri” me fuqi 4,8MË. E ndërsa pasi i mallkoi HEC-et private të dhëna me koncesion nga paraardhësit, qeveria rifillon dhënien e lejeve për hidrocentralet private.

Vetëm disa ditë më parë, Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar jo pak por 19 vendime. Pjesa më e madhe e tyre i takojnë disa lejeve të ndërtimit për hidrocentrale të reja në vend të cilët në total shkojnë tetë. Të paktën pesë prej tyre janë në rrjedhën e përroit të Rekës dhe të Shishtavecit në Kukës. Në fakt zhvillimi i tregut të energjisë në Shqipëri, po nxjerr zbuluar strategjinë e dështuar të ndërtimit të hidrocentraleve të vegjël të cilët janë kthyer në një kancer për të ardhmen e turizmit dhe në një barrë për liberalizimin e tregut të energjisë në vend.

Sekretariati për Energjinë me qendër në Vjenë, ka shprehur disa ditë më parë shqetësimin për mungesën e liberalizimit të tregut të energjisë në Shqipëri, i cili, sipas një ligji të miratuar në vitin 2015, harruar në sirtare, duhet të niste në janar të këtij viti, por Shqipëria jo që nuk është gati për këtë treg, por me politikat e zhvillimit të saj, e ka futur në një kolaps të ardhmen e tregut të lirë të energjisë. Një nga këto probleme mbeten dhe hidrocentralet e vegjël, që kanë nisur si një strategji zhvillimi e shpikur nga Berisha dhe që po vazhdojnë për inerci ende nga qeveria socialiste, si shifra që prodhojnë statistikë për rritjen ekonomike.

Sapo erdhi në pushtet, qeveria socialiste shpalli një listë koncesionesh që do t’i rishikonte, në të cilën bënin pjesë edhe HEC-et private të dhëna me koncesion. Prodhuesit privatë të energjisë elektrike dhe ata që i kishin në ndërtim e sipër HEC-et, kaluan një “dimër të madh”. Kjo reformë u reflektua me revokime lejesh, ndryshim të formulës së tarifave të shitjes së energjisë te KESH-i, kontroll të afateve të përfundimit, si dhe shlyerje të penaliteteve që përmbanin kontratat.

Leja për ndërtimin e HEC-eve private në Zajë, Turaj, Xhaferraj, Kollovoz dhe Novosej, në rrjedhën e përroit të Rekës dhe të Shishtavecit, është një vendim i cili definivisht shkatërron natyrën që Zoti u ka falur banorëve lumjanë dhe atyre goranë të kësaj ane. Me këtë vendim që Ju z.Rama keni marrë, keni dënuar me vdekje vendin më të vizituar të turizmit malor dhe atij ndërkufitar në Kukës. Shqetësimi i banorëve të Topojanit, Kollovozit, Novosejt, Shishtavecit, etj, është rritur mjaftueshëm gjatë këtyre orëve.

Cuditërisht heshtin institucionet lokale. Banorëve nuk u është bërë e qartë se, kur është lëshuar leja mjedisore për ndërtimin e HEC-eve në këtë zonë, e cila me VKM Nr.898 datë 21.12.2011, është shpallur Zonë e Mbrojtur. Në këtë Rezervat Natyror të Menaxhuar, rriten rret 46 specie të rëndësishme bimore të futura në listën e specieve të rrezikuara të vendeve të rëndësishme bimore të Shqipërisë. Grupi i vertebrorëve në zonën e Koretnik-Korabit përfaqesohet në tërësi nga 205 lloje. Grupi më frekuent është ai i shpendëve me 135 lloje, i ndjekur nga grupi i gjitarëve me 30 lloje.

Më pas vijojnë peshqit me 15 lloje, reptilët me 14 lloje dhe së fundi amfibët me 11 lloje. Ndër këta vertebrorë të paktën 74 lloje hyjnë në kategorinë e specieve të kërcënuara në shkallë kombëtare. Këtu bëjnë pjese 14 lloje reptilësh, 11 amfibë, 39 shpendë dhe 10 gjitarë. Objektet kulturore, fetare, historike brenda zonës janë një tjetër pasuri e madhe e cila i tërheq vizitorët nga e gjithë bota.

Pra duhet t’a dini z.Kryeministër se; Zona dallohet jo vetëm për vlerat e spikatura natyrore por edhe për vlera unike të kulturës, historisë, veshjeve, banesave karakteristike, traditave e zakoneve që ruhen e transmetohen brez pas brezi. z.Kryeministër, pasi në Kukës, ata që flasin, janë dy llojesh: ose servilë militantë që mendojnë se ju po bëni mrekulli, ose armiq militantë të krahut tjetër politik që u ke marrë pushtetin.

Por ka edhe një pjesë tjetër dhe janë shumë, që bashkë me mua nuk u intereson as partia juaj e as partia tjetër, por jetesa dhe standardet e saj. U intereson ruajtja e natyrës dhe pasurive të saj, dhe jo shkatërrimi për interesa mafioze. Duke e shkatërruar këtë mjedis ju nuk ngjallni shpresë. As ju, as kundërshtarët e tu politikë. Ju z.Kryeministër duhet t’a dini se njerëzit e kësaj ane kanë filluar të lodhen nga dhuna, por kurrësesi nuk janë të trembur për të klithur, mbasi tirania juaj tashmë nuk është enigmë. U ktheni shpresën këtyre njerëzve z.Rama!

Sepse; Kjo zonë është një nga mrekullitë e papërsëritshme të natyrës shqiptare. Është zona turistike më e vizituar në rrethin e Kukësit, madje nga më të vizituarat në gjithë veriun pas luginës së Valbonës. Jo HEC-e vetëm turizmi këtu do të përmirësojë ekonominë e banorëve, të cilët tashmë kanë një alternativë më tepër, përveç emigracionit apo bujqësisë për të siguruar jetesën.

Share: