Home KRYESORE Ceni Laku – Doktori popullor që shëroi 500,000 pacientë

Ceni Laku – Doktori popullor që shëroi 500,000 pacientë

0

Ai do të kujtohet si personi që i dhuroi shoqërisë plot 70 vite pune, me përkushtim për të shpëtuar nga sakatllëku qindra mijëra njerëz të dëmtuar, të traumatizuar e të aksidentuar, duke i riaftësuar ata për një jetë normale. Njihej në të gjithë Tiranën si Ceni i Lakut.

Ceni do të mbetej jetim shpejt, pasi babai i tij Hasani ra dëshmor në luftën kundër pushtuesve të huaj për mbrojtjen e qytetit të Shkodrës më 1912. Vetëm me nënën dhe gjyshen plakë, e cila vdiq pas një viti, Ceni u rrit më pas nga daja i tij Islami, i cili u kujdes për edukimin, arsimimin, punësimin e derisa doli në jetë si personalitet i spikatur. Në moshë shumë të re fillon punë si berber, çirak tek miku i familjes së dajës, Mahmut Kurdari (Laku), ku mësoi dhe zanatin e ortopedit. Usta Laku e pëlqeu djaloshin e ri për karakterin e tij dhe i propozoi ta martojë me të bijën, Gjylen. Këtu nis karriera e ortopedit të ri, që menjëherë pas kësaj fillon të punojë me vjehrrin, duke i marrë zanatin dhe duke e perfeksionuar atë çdo ditë.

Pas njëzet vjet martesë me Gjylen, me të cilën nuk pati fëmijë, Ceni pati një martesë të dytë me Nurien, që i dha plot gjashtë fëmijë, tre djem e tri vajza. Tashmë për Cenin nisën vitet e punës si mjek popullor ortoped. Ai fillon të mjekojë pacientet, duke shëruar duar e këmbë të thyera dhe çdo ditë emri i babë Cenit bëhej gjithmonë e më i njohur, jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë. Me aftësinë e tij të komunikimit, me një kujtesë fenomenale, që do ta kishte zili çdo njeri me Cenin bisedoje për tema nga më të ndryshmet.

Ai ishte patriot i shkëlqyer. Flamurin dhe shqiptarizmën, gjuhën dhe zakonet i mbronte me fanatizëm. Tek çdo njeri që e mban mend babë Cenin, nuk mund të mos harrojë mënyrën si bisedonte ai burrë, i cili nuk mungonte në miqësi, në farefis, në gëzime e ngushëllime. Ceni ishte edhe besimtar i mirë musliman dhe ritet e fesë i kryente në mënyrë shembullore. Aktiviteti i tij 70 vjeçar si ortoped ka arkivuar qindra e mijëra raste pacientësh, duke filluar nga fëmijët tek të rriturit, nga sportistët e deri tek udhëheqësit e shtetit.

Nga disa të dhëna që disponohen rezulton se Ceni ka mjekuar më shumë se 500 mijë pacientë. Gjatë këtyre viteve, edhe pse me ngacmime të vogla, Babë Ceni mbeti i respektuar edhe nga të gjithë mjekët e spitaleve të asaj kohe, veçanërisht nga Prof. Dr. Frederik Shiroka, Dr. Dërrasa, Dr. Boga, Dr. Heqimi, Dr. Topi etj. Pasi mjekoi me sukses Mehmet Shehun pushuan sulmet ndaj tij dhe ushtrimit të profesionit. Shpesh e kishin sulmuar duke i vënë fletë rrufe revolucionare nga të rinjtë komunistë, për zakone prapanike, ngaqë ishte martuar me dy gra dhe baë Ceni i ktheu përgjigje rinisë revolucionare. Bashkangjitur fletërrufesë ai shkroi si përgjigje ndaj akuzave që mbante dy gra:

Fletërrufe moj fletërrufe…

T’jap dy të vjetra, më jep një të re…

humor i hollë nga ana e Cen Kazazit, një njeri i përkushtuar me shërbimin ndaj të gjithë njerëzve pa dallim feje apo se nga e kishin prejardhjen. Bashkia e Tiranës e ka nderuar Babë Cenin me tituj nderi si “Mirënjohja e Qytetit të Tiranës” dhe “Qytetar Nderi i Tiranës”. Përgatiti: Roald A. HYSA

Share:
Reklama juaj