Home KRYESORE Debati i plotë Basha-Imami, ish-ministri refuzon propozimin e kryetarit

Debati i plotë Basha-Imami, ish-ministri refuzon propozimin e kryetarit

Kryesia e Partisë Demokratike është mbledhur të enjten pasdite, ku pritet të vendoset data e zhvillimit të mbledhjes së Këshillit Kombëtar të kësaj partie.

Kryetari Lulzim Basha propozoi një grup pune për ndryshimet statutore brenda partisë, mes emrave të këtij grupi ishte edhe Arben Imami.

Ky i fundit, një kritik i ashpër i lidershipit aktual të PD-së, nuk pranoi të jetë pjesë e këtij grupi, duke theksuar se kapaciteti i tij nuk është për grupe pune.

Imami: “Nuk jam për grup pune, vendos dikë tjetër në vendin tim. Jam kundra mbledhjes së kuvendit pa u thirrur Këshilli Kombëtar. Nuk kuptoj pse duhet te bëjmë kongres të parakohshem. Nuk jam dakord me kete nxitim, sepse nuk kuptoj shkaqet. Pasi në mbledhjen e fundit u fol vetëm për analizë. Nuk zgjidhen gjërat në mënyrë mekanike, e as me grupe pune. Fjalët i ke të bukura por të mungojnë veprat. Duhet frymë jo duke na futur në grupe pune”.

Basha: Vlerësoj frymën e diskutimit tuaj. Pse them kuvend i parakoshhem, që në fakt duhet te ishte në shtator? Pyete si do te krijohet hapësira ku çdokush të ketë kushtet për të kontribuar dhe jo thjesht bashkim mekanik. Ky bashkim duhet të ndodhë permes një mekanizmi që çdokush të vlerësohet sipas meritës. Une jam angazhuar që këtë t’i paraqes kuvendit. Statuti është kompetencë e kuvendit. Dhe sigurisht ju ftoj ta konsideroni pranine tuaj në këtë grup, për zërin tuaj kritik të muajve të fundit dhe do të keni garancinë absolute që procesi të mos jetë formal. Ju garantoj për vullentin tim të plotë për të krijuar kushte reale dhe jo formale për një bashkepunim sa më të frytshëm me këdo për të shkuar drejt modernizimit dhe transforminit te partisë.

Imami:Vendosni dike nga ata që ka patur propozime. Kapaciteti im nuk është per grup pune. Ndoshta është vetevleresim i lartë, por do ta ruaj këtë.

Basha: Ky nuk është grup për ndryshime statutore, por eshte grup politik me pervojen e duhur per te mbledhur opinionet, propozimet e te gjitheve. Nese nuk hidhet ky hap, nuk mund te nise asnje proces.”

Kujtojmë se Imami kërkoi shkarkimin e menjëhershëm të Bashës si përgjegjsin kryesor të humbjes së thellë të zgjedhjeve por ai nuk është bërë pjesë e asnjë lëvizje.

Pjesë të këtij grupi pune, lideri demokrat ka propozuar edhe nënkryetaret Paloka, Spaho, sekretari përgjithshëm, Ristani, sekretarët Bozdo, Kadilli, anëtari tjetër i kryesisë Imami.

Mbledhja e kryesisë zhvillohet pas përfundimit të analizës së degëve të PD-së, që do t’i hapë rrugë mbledhjes së Kuvendit Kombëtar. Gjithashtu anëtarët e Kryesisë janë drejt fundit të mandatit, pritet riorganizim edhe në degët e tjera të PD.

Basha disa ditë më parë tha se në pranverë PD do të mbledhë Kuvendin Kombëtar, nga ku do të nisë fazën për riorganizimin e saj.

Partia Demokratike mblodhi kryesinë sot pas gati 5 muajsh. Mbledhja e fundit e kryesisë e zhvilluar në selinë blu ishte në shtator të vitit të kaluar./opinion.al

Share: