Home KRYESORE Eksperti i ekonomise sjell një kujtesë për Qeverinë Rama 2 dhe Bankën...

Eksperti i ekonomise sjell një kujtesë për Qeverinë Rama 2 dhe Bankën e Shqipërisë

Nga Kasem Seferi

Këto ditë të fundit lajm ishte organizimi nga Zoti Majko si Ministër për Emigracionin i një ngjarje për emigracionin shqiptar, veçanërisht atë në Itali, si dhe kontributin e tij të mundshëm për investime në atdhe/mëmëdhe.

Nuk e di përse këto ngjarje i përjetoj si ironi të radhës!

Në qoftë se dikujt, ose dhe shumëkujt nuk i pëlqen përfundimi im, po arsyetoj dhe argumentoj si vijon:

Sasia e remitancave/dërgesave në para, ardhur në Shqipëri nga emigracioni, vërteton faktin se këto dërgesa, ose rrjedhat ndërkombëtare financiare, në kohën para krizës së fundit financiare dhe ekonomike po tërhiqnin më fort vemendjen e qarqeve akademike, politikëbërëse, bankierëve, organizatave joqeveritare dhe veprimtarëve që punojnë në emër të komuniteteve migrante.

Madje, për njëfarë kohe ndërmjet politikanëve, këto dërgesa u panë si zhvillim i një ilaçi çudibërës por, me të rënë euforia fillestare, ato morën rrugë vlerësime më realiste në lidhje me kontributet zhvillimore të tyre në vendin amë.

Kontribut i dërgesave njihet si risk i moralit publik, sepse dërgesat bëjnë të mundur që qeveria në vendet në tranzicion t’i zvogëlojë shpenzimet për mallrat publike që, tradicionalisht, kanë gëzuar mbështetjen publike në lidhje me kapitalin njerëzor dhe shërbimet shoqërore.

Kështu dërgesat e emigrantëve shqiptarë kanë mbuluar gabimet e qeverive përsa u përket politikave të dobëta të luftës kundër varfërisë që, zakonisht, nxitën çrregullime shoqërore të vitit 1997 dhe në një formë tjetër më të dobët pas vitit 2008.

Numri i emigrantëve shqiptarë në vendet e BE – së nga 380 978, ose 12,47 për qind në vitin 2000 u rrit në 872 064, ose 27,56 për qind në vitin 2007, duke shënuar kështu përqindjen më të madhe krahasuar me numrin e emigrantëve të Bosnje – Hercegovinës, Kroacisë, Maqedonisë, Serbisë, Bullgarisë, Rumanisë dhe Sllovenisë.

Dërgesat e emigrantëve shqiptarë nga 12,41 për qind në vitin 2000 u rritën në 20,33 për qind të PBB – së në vitin 2006.

Në vitin 2007 dërgesat ishin më shumë se dy herë më të mëdha se sa rrjedhat e ndihmës së zhvillimit administrativ dhe pothuajse sa gjysma e investimeve të huaja direkte dhe investimit portofol.

Është i padiskutueshëm fakti që, menjëherë sapo njerëzit i plotësojnë nevojat e tyre bazë, më pas, dërgesat i përdorin për kursime, për pagimin e borxheve, për mjete konsumi afatgjatë, për blerjen e shtëpive dhe tokës, për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe agrobiznesit, si dhe për investime në arsim dhe kujdes shëndetsor; në të vërtetë, në Shqipëri këto efekte të dërgesave nuk u bënë objekt i interesit të veçantë të politikëbërësve.

Roli shumë interesant që kanë luajtur dërgesat është Ai se ato funksionojnë si një nga format e siguracionit shoqëror që mbështet konsumin dhe investimet familjare për kapitalin njerëzor, duke siguruar mbështetje kritike gjatë krizave politike, financiare dhe ekonomike, si edhe në rastet e fatkeqësive natyrore.

Mbështetja materiale e siguruar nga dërgesat për të goditurit gjatë krizave, është një arritje që nuk mund të mohohet, por marrëdhënia ndërmjet dërgesave dhe goditjeve ekonomike është më komplekse nga sa mund të kuptohet zakonisht.

Një nga aspektet e marrëdhënieve ndërmjet dërgesave dhe politikave të mangëta, që kanë ndjekur qeveritë në Shqipëri, për shkak se kanë rudhur programmet sociale dhe përgatitjet publike institucionale që, tradicionalisht, nuk i kanë ndihmuar si duhet qytetarët për t’i bërë ballë goditjeve dhe, madje, në disa raste që të zvogëlonin gjasat kur këto goditje mund të ndodhnin.

Megjithëatë, nuk duhet të injorohet roli destabilizuaes i dërgesave edhe pse ka pak raste ku aktualisht dërgesat kanë qenë një kanal i pavarur i destabilizimit, si është rasti i Shqipërisë ku u pa qartë se si remitancat e shqiptarëve që jetonin dhe punonin në Itali dhe Greqi frynë skemat piramidale të vendit në vitet 1995 – 97, për arsye se dërgesat që financuan skemat piramidale tërhoqën një sasi paraje pothuajse sa gjysma e PPB – së së vendit në 1996 dhe kolapsi i skemave piramidale çoi në destabilizim serioz politik dhe ekonomik të vitit 1997, i cili u stabilizua vetëm me anë të një raundi të ri migrimi dhe të remitancave.

Përfundimisht, për arsye të lidhjeve shumë të ngushta që kanë ekonomitë e vendeve, dërgesat mund të shiheshin ende si një kanal tjetër infeksioni, që mund ta transmetonin paqëndrueshmëri ekonomike, ose tkurrjen nga një vend në tjetrin.

Në çështjen e deportimit me force të emigrantëve kanë rezultuar disa çështje interesante që kërkojnë investigim.

Është e dukshme se deportimi me forcë sjell ndalimin e dërgesave, por ajo çfarë ka filluar të kuptohet është se rënia e dërgesave bëri të mundur krizën e tregut të shtëpive për arsye se dërgesat u përdoren për të mbështetur blerjen e shtëpive dhe tokës në vëndin e origjinës së emigrantëve.

Deri tani janë bërë pak kërkime mbi pasojat politike të angazhimit financiar nëpërmjet dërgesave të bëra nga komunitetet e diasporës, edhe pse shumë vende kanë pasur politika aktive për ta mbajtur diasporën të angazhuar me vendin nëpërmjet dërgesave siç është rasti i Kosovës para vitit 1999.

Politikanët, të cilët pak vite më parë festonin ndikimin zhvillimor të dërgesave, tashmë mund të detyrohen ta njohin faktin se dërgesat dhe rrjedhat e tjera të kapitalit privat ndërkombëtar, ose zevendësojnë ndihmën për zhvillim administrativ, ose janë për strategjitë e zhvillimit ekonomik për të mobilizuar dhe kanalizuar në shërbim të zhvillimit të vendit burime që gjenerohen me drejtim brenda vendit.

Efektet e krizës financiare dhe ekonomike botërore mbi ekonominë e vendit tonë kohët e fundit sollën në fokus ndikimin e dërgesave, gjë që dëshmoi se kishte ardhur koha të përcaktohej se cili do të ishte roli që do të luanin dhe do të luajnë ato në modelin e ardhshëm të zhvillimit të vendit.

Një faktor i tillë i një rëndësie hapëse nuk mund t’i lihet fatit, por duhet të bëhet objekt i një interesi të veçantë për qarqet politike, bankierët, grupimet e biznesit privat dhe për shoqërinë civile përsa i përket hartimit të politikave ekonomike.

Pranohet nga të gjithë roli që ka luajtur emigracioni shqiptar në dekadat e fundit, por ende askush nuk e ka shpallur publikisht: “Emigrantët shqiptarë janë herojtë e kombit.”.

Një vlerësim i tillë të çon drejt një kompromisi me vlera të jashtëzakonshme për një popull që ka pothuajse një të tretën e tij në emigracion.

Një vlerësim i tillë, është i domosdoshëm për të përcaktuar rolin që do të luajë diaspora (e re) shqiptare në zhvillimin e vendit, si dhe në përcaktimin e mënyrave të komunikimit me emigrantët dhe familjarët e tyre që jetojnë në Shqipëri.

Hartimi i një strategjie afatgjatë lidhet ngushtë me përgjigjen që i duhet dhënë çështjeve të tilla madhore si: roli i “politikës së bashkëbisedimit me diasporën”; roli i shoqatave të diasporës; dhe fitorja e pavarësisë nga dërgesat për zhvillimin e vendit.

Ndryshimet dinamike në Shqipëri, tashmë, kërkojnë politika efektive për ta nxitur emigracionin shqiptar që paratë e tij (një sasi kjo e konsiderueshme në euro, paund dhe dollarë amerikanë) t’i investojë në Shqipëri në fusha me interes të veçantë, ku përqindja e fitimit do të jetë më e madhe në krahasim me ofertat e tjera jashtë vendit.

Në këtë kuptim përpjekjeve që bëhen për zvogëlimin e kostove të transferimit dhe forcimin e potencialit të remitancave në zhvillimin ekonomik, kanalizimin e rrjedhës së remitancave nëpërmjet sistemeve bankare të vendit me ato të vendeve ku jetojnë e punojnë, promovimin e turizmit, etj, duhet t’u bashkëngjiten politika nxitëse që shkojnë në përputhje me prirjen dhe interesin e emigrantëve dhe familjarëve të tyre.

Dihet mirë se një pjesë e madhe e parasë që kanë në dispozicion emigrantët (për hir të traditës) ndodhet jashtë kanaleve bankare të vendeve ku jetojnë e punojnë dhe nuk është aspak e lehtë t’i bindësh ata që t’i kanalizojnë paratë e kursyera prej tyre nëpërmjet llogarive bankare si në ato vende ku ndodhen, po ashtu dhe në Shqipëri për shkak të vështirësive të ndryshme me të cilat ata ndeshen.

Tërheqja e disa qindra milion eurove nga depozitat bankare në Shqipëri në tetor të vitit 2008, kryesisht nisi nga emigrantët dhe familjarët e tyre, veçanërisht, në ato rrethe që shquhen për nivelin e lartë të emigracionit, ngjarje e papritur dhe e paparashikuar kjo që e vuri vuri në alarm Bankën e Shqipërisë, e cila së bashku me Shoqatën e Bankave të Shqipërisë, morën masa të shpejta për ta vënë nën kontroll dukurinë, sepse, pavarësisht shkaqeve të ndryshme, solli në kujtesën e opinionit publik tërheqjen e një numri serioz depozitash me një vlerë rreth 550 milion euro nga disa prej bankave kryesore tregtare të Shqipërisë në vitin 2008.

Rritja e numrit të emigrantëve është hapi i parë që duhet të bëjë çdo qeveri për të rritur dërgesat, çka dëshmon rëndësinë që do të kishin përpjekjet për e qytetarëve shqiptarë në vendet anëtare të BE – së, gjë që vërteton se, tek e fundit, ndikimi i dërgesave varet nga politikat e emigracionit të vendeve që i pranojnë emigrantët.

Zhvillimet politike të kohëve të fundit, pavarësisht çështjes që trajtojnë, janë të lidhura ngushtë me të gjitha aspektet e trajtuara më lart dhe nuk duhen parë, thjesht, si një çështje e zakonshme me të cilën ndeshesh, rëndom, në politikën shqiptare të këtyre dekadave.

Vitet e fundit dëshmuan një rënie në numrin e emigracionit, pjesërisht për shkak të perceptimit më realist të së ardhmes së emigrantëve shqiptarë në lidhje me mundësitë në Europë, pjesërisht për shkak të qendrimeve jomiqësore në vendet pritëse dhe deklaratës së Kryeministrit Rama 1 se Shqipëria garantonte punë dhe siguri.

Faktorët kryesorë shtytës ishin varfëria, papunësia e lartë, veçanërisht, ndërmjet të rinjve të rritur, kujdesi i varfër shëndetsor, ose e drejta e vështirë e hyrjes në një tillë, kushtet e varfëra të jetesës dhe mungesa e perceptuar e sigurisë në Shqipëri.

Informacioni që rrodhi nga takimi i organizuar nga Zoti Majko, përveç propagandës klasike “thekso anën pozitive”, nuk dha asgjë tjetër në lidhje me problemet e trajtuara më lart.

Nuk di nëse kishte përfaqësues të Bankës së Shqipërisë dhe institucioneve të tjera në atë takim?!

Ngelet për t’u parë mire se çfarë përfaqësojnë këto veprimtari dilettante të Qeverisë Rama 2!

Kasem Seferi – ekonomist

Share: