Home KRYESORE A është spiun Artur Meçollari? Ja si përgjigjet ish-kreu i SHISH

A është spiun Artur Meçollari? Ja si përgjigjet ish-kreu i SHISH

0

Ish kreu SHISH Fatos Klosi ka komentuar deklaratat e bërë nga ish-kryeministri Berisha për një nga negociatorët për marrëveshjen me Greqinë, Artur Meçollarin duke e cilësuar atë si spiun.

Klosi ka shpjeguar në një intervistë për “Panorama” se çfarë profili ka një spiun. Klosi tha se gjithashtu se “spiun” brenda NATOS nuk ka.

“Nuk di të them, mua më vjen për të qeshur kur dëgjoj për spiunë në këtë kohë. Nuk e di se çfarë i ka mbetur Shqipërisë sekret për t’u ruajtur. Ne, në momentet më të vështira, na kanë ardhur grekët, italianët, gjermanët, për të mbajtur qetësinë në Shqipëri,” tha Klosi.

Ish-Kryeministri akuzoi si spiun një nga anëtarët e grupit negociator për marrëveshjen e detit me Greqinë. Duke qëndruar te bota e spiunazhit, çfarë profili ka sot një spiun?

Në një libër vërtet shumë të bukur që ka bërë ish-shefi i shërbimit italian, i cili ka qenë shef shërbimi dhe gjatë Luftës së Ftohtë dhe pas saj, jep një situatë vërtet interesante. Ai thotë nuk ka më kuptim termi ‘spiun’, nuk ka më sekrete. Sipas tij, kur merrnim vesh se dikush punonte për rusët, ne ua thoshim atyre se ky agjent i tyre është dekonspiruar. Dhe vetë rusët e largonin një ditë më vonë në një shërbim tjetër. Sekretet sot i ka më shumë teknologjia se sa shtetet. Rusët, për shembull, prodhojnë dhe shesin avionët e fjalës së fundit të teknologjisë së tyre dhe në momentin që shiten, janë në dorë të blerësit dhe nuk ka më sekrete për këtë lloj avioni. Të njëjtën gjë bëjnë dhe amerikanët. Spiunë brenda NATO-s jo se nuk ka, sepse janë evidentuar, janë ankuar edhe gjermanët dhe e kanë përzënë një amerikan. Mendoj se është e rëndë për atë shtet, për të cilin pretendohet se personi është spiun, nuk e di, mund të jetë shërbimi grek apo amerikan, nuk i di detajet, por t’i thuash spiun dhe për këtë arsye ne nuk e vëmë në delegacion?!! Spiunazhi nuk është aq kollaj të vërtetohet, se hëngri një drekë apo u bë një takim me një atashe të huaj dhe ky të quhet argument për ta cilësuar spiun, më duket e rëndë.

Nuk shikoni një paradoks kur ky person nga njëra anë cilësohet spiun dhe nga ana tjetër punon si këshilltar pranë zyrës amerikane në Kabul, i pajisur me certifikatë sigurie të NATO-s?

Nëse është, ai spiun i një vendi të NATO-s është. Me NATOn ai është në rregull, problemin e gjejmë brenda nesh. Nuk di të them, mua më vjen për të qeshur kur dëgjoj për spiunë në këtë kohë. Nuk e di se çfarë i ka mbetur Shqipërisë sekret për t’u ruajtur. Ne, në momentet më të vështira, na kanë ardhur grekët, italianët, gjermanët, për të mbajtur qetësinë në Shqipëri. Një shtet i tillë që krijon situata të tilla, nuk e di se çfarë sekretesh i kanë mbetur. Një herë, një drejtues i lartë i një shërbimi perëndimor më ka thënë: Fatos, duhet t’ua bësh të qartë drejtuesve të vendit tënd se ju jeni vend i vogël, as na prishni dhe as na ndreqni punë. Por një gjë nuk duam që të na e bëni përsëri: Të na detyroni të vijmë të mbajmë qetësinë! Ne duam një njeri në krye, që garanton stabilitet. Ne aktualisht kemi shumë këshilltarë të huaj në dy ministritë më të rëndë- sishme, në atë të Mbrojtjes dhe të Brendshme. Ku janë sekretet tona?! Se duhet të kesh sekrete që të prodhosh spiunë!! Loja me spiunë është lojë e Berishës, që vetëm ai mund t’i thotë. Berishës nuk i pëlqen që Rama po bën një marrëveshje të re me grekët, ndërkohë që marrëveshja që ai bëri në 2009, u rrëzua në Gjykatën Kushtetuese. Kjo është pjesë e luftës së tij politike, por marrëveshja e kufirit është shumë serioze dhe nuk duhet përfshirë në luftën politike. Puna e grupit negociator do të jetë një punë kolektive, anëtarët e grupit nuk do të punojnë në mënyrë individuale. Në fund, drafti përfundimtar i marrëveshjes do të tregojë se sa spiunë ka pasur grupi negociator. Unë, nga qeveria ime, do të doja pak më shumë transparencë, edhe pse nuk jemi ende në negociata. Por Gjykata Kushtetuese aty është, po rinovohet dhe nëse shihet se ajo cenon interesin kombëtar, mund të dërgohet edhe kjo në Gjykatën Kushtetuese./360grade.al

Share:
Reklama juaj